Ministria e Financave e shtetit jugor gjerman të Baden-Württemberg, shtëpia e gjigantëve si Bosch, Mercedes, nuk është një vend i keq për të hetuar ankthet e Gjermanisë. Vendi është i mbërthyer nga frika e deindustrializimit teksa po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme që duket e sigurt se do e largojë nga pushteti kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz, nëse partia e tij nuk e shkarkon atë më herët.
Ministri Danyal Bayaz, shqetësohet se Gjermania ka shpërdoruar “dividendin e globalizimit” të 15 viteve të fundit, duke nënfinancuar sferën publike në një epokë me norma të ulëta interesi.
Tani që po përballet me një shtrëngim të energjisë, konkurrencën në rritje nga Kina dhe perspektivën që SHBA-ja e Donald Trump të vendosë tarifa 10-20% mbi importet, modeli i biznesit të vendit, frikësohet ministri, është “në kolaps”.
Bayaz ankohet për paaftësinë e Gjermanisë për t’u përshtatur me teknologjinë e re, pavarësisht nga pikat e saj të forta për sa i përket kërkimit dhe inxhinierisë. Ai vë në dukje se startup-i i fundit i madh i suksesshëm i Gjermanisë ishte SAP, një firmë softuerësh. Gjermania ka mbi 60 herë më shumë njerëz se Estonia, por vetëm 15 herë më shumë startupe në pronësi private me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
Është një përsëritje e mërzitshme. Industria gjermane, veçanërisht firmat e saj të vogla dhe të mesme janë përqendruar në inovacionin në rritje, duke e lënë atë të papërgatitur për goditjet teknologjike si ardhja e automjeteve elektrike. Lidhjet komode midis biznesit, bankave dhe politikanëve ngjallën vetëkënaqësi dhe rezistencë ndaj reformave.
Respektimi dogmatik i rregullave fiskale çoi në ndryshkje të urave, në prishje të shkollave dhe në vonesa të trenave. Rritja në tregjet e huaja majmën fitimet (dhe të ardhurat e thesarit) të Gjermanisë për një periudhë kohe, por ai model i udhëhequr nga eksporti e la Gjermaninë të ekspozuar kur erërat e globalizimit u kthyen kundër.
Tani Gjermania, e cila vitin e kaluar zëvendësoi Japoninë si ekonomia e tretë më e madhe në botë, po korr atqë ka mbjellë. Është e vështirë të dallosh ndonjë rritje neto të PBB-së reale që para pandemisë. Parashikimet janë më pak të mira dhe nuk marrin parasysh rreziqet e një lufte tregtare Trumpiane.
Volkswagen, prodhuesi më i madh i makinave në Evropë, po bën thirrje për mbylljen për herë të parë të fabrikave në historinë e tij 87-vjeçare, gjë që mund të çojë në humbjen e deri në 30,000 vendeve të punës. Papunësia po rritet, ndonëse nga një bazë e ulët.
Çmimet e larta të energjisë, veçanërisht pasi Gjermanisë iu desh të largohej nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin në shkurt 2022, janë një ankth i zakonshëm midis firmave në një vend ku prodhimi ende përbën 20% të vlerës së shtuar bruto. Kjo mbetet pothuajse dyfishi i shifrës për Francën, edhe pse prodhimi industrial arriti kulmin në vitin 2018 dhe që atëherë është ulur më shpejt se kudo tjetër në BE (shih grafikun 1), veçanërisht në sektorët me intensitet energjie si prodhimi i çelikut.
Porositë janë ulur dhe investimet e planifikuara janë shtyrë ose zhvendosur jashtë vendit. Shefi ekzekutiv i Thyssenkrupp, një prodhues çeliku me humbje, ka thënë se Gjermania është “në mes të deindustrializimit”. Edhe shitësit me pakicë janë goditur. Pas pushtimit të Rusisë, Raoul Rossmann, i cili drejton një zinxhir farmacish me seli pranë Hanoverit që mban mbiemrin e tij, vizitoi degët e saj për të gjetur se si të kursehet në faturat e energjisë.
Ankesa të tjera përfshijnë mungesën e punëtorëve të kualifikuar ndërsa Gjermania po plaket, dhe shtresat e burokracisë, shumica e të cilave buron nga Brukseli, që Instituti Ifo në Mynih llogarit se i kushtojnë ekonomisë 146 miliardë euro në vit. Një zhvillim thelbësor, sipas Sander Tordoir i institutit të kërkimit Qendra për Reformën Evropiane, është ndryshimi i marrëdhënieve me Kinën.
Në vitet 2000 dhe 2010, Gjermania ishte në një pozicion të përkryer për të kënaqur oreksin kinez për makinat e saj, kimikatet dhe pajisjet e projektuara me saktësi: eksportet e mallrave në Kinë u rritën me 34% midis 2015 dhe 2020, edhe pse ato në vendet e tjera ranë.
Deri në vitin 2020 Kina ishte një importues neto i makinave, por vitin e kaluar ajo u bë eksportuesi më i madh në botë. Firmat kineze po shndërrohen nga klientë në konkurrentë dhe tashmë kanë ardhur për të kullufitur jo vetëm bukën e industrisë gjermane të automobilave, por edhe të industrive të mesme e të vogla.
“Historia me makinat është emblematike, por ka të bëjë edhe me makineritë dhe kimikatet”, thotë Tordoir.
Siç vë në dukje Clemens Fuest nga Ifo, Kina tani përbën vetëm 6% të totalit të eksporteve gjermane, me të njëjtin pjesë me Holandën fqinje. Por historia e Kinës nuk ka të bëjë vetëm me varësinë nga eksporti. Në një punim të ardhshëm për CER (Qendra për Reforma Evropiane), Tordoir dhe Brad Setser, një ekonomist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, një institut amerikan, përshkruajnë se si “goditja e dytë nga Kina” mund të përkeqësojë problemet industriale të Gjermanisë.
Tregu i brendshëm i Kinës nuk mund të thithë më prodhimin e tepërt të prodhuesve të saj të subvencionuar nga shteti dhe ndërsa ata kërkojnë klientë jashtë vendit, suficiti tregtar i vendit është rritur ndjeshëm. Kjo paraqet vështirësi për firmat gjermane në vend dhe në tregjet jashtë vendit.
“Tregjet e drejtuara nga shteti në Kinë mund të ofrojnë nivele të paarsyeshme financimi për investimet kineze në kapacitete të reja, për më gjatë sesa shumë sektorë të industrisë gjermane mund të kenë aftësi pagesash”, shkruajnë dyshja.
Ndërsa eksportet gjermane drejt Kinës janë zvogëluar, Amerika ka ndërhyrë pjesërisht për të mbushur boshllëkun (shih grafikun 2). Disa kompani kanë përfituar nga mundësitë e krijuara nga shkëputja e Amerikës nga teknologjia kineze; të tjera janë pasuruar nga subvencionet e mëdha të iniciuara nga Akti i Reduktimit të Inflacionit.
Por Donald Trump rrezikon të ndryshojë këtë gjendje. Jo vetëm që tarifat amerikane duken në horizont – Bundesbank mendon se ato mund të ulin GDP-në e Gjermanisë me një pikë përqindjeje – por kufizimet e reja amerikane mund të godasin prodhuesit gjermanë që përdorin përbërës kinezë. Ato do përshpejtojnë gjithashtu përpjekjet e eksportuesve kinezë për të gjetur tregje alternative, përfshirë Evropën.
Industria gjermane ka qëndrime të ndara për Kinën, vëren një diplomat: ndërsa shumë kompani të vogla dhe të mesme (Mittelstand), veçanërisht ato të makinerive, mbështesin politikën e “reduktimit të rrezikut”, prodhuesit e makinave dhe konglomeratet si BASF po dyfishojnë angazhimin e tyre.
Volkswagen dhe BMW po planifikojnë investime të mëdha të reja në prodhimin në Kinë, ashtu si dhe firmat e pjesëve të makinave si Continental. Lobimi nga sektori i automobilave ndihmoi që Gjermania të ishte një nga vetëm pesë vendet që votuan kundër tarifave të BE-së për importet kineze të makinave elektrike në tetor.
Brenda qeverisë gjermane, ka tensione midis diplomatëve dhe agjentëve të sigurisë, të cilët duan të ndëshkojnë Kinën me kufizime tregtare për mbështetjen e saj ndaj luftës të Rusisë në Ukrainë, dhe atyre që shqetësohen se kjo është një masë që Gjermania me rritje të ulët nuk mund ta përballojë.
Fundi i fetishit
Historia e deindustrializimit është më e ndërlikuar sesa duket. Humbja e vendeve të punës në sektorin e prodhimit ndikon në produktivitetin tashmë të ulët të Gjermanisë. Megjithatë, vlera bruto e shtuar në prodhim ka mbetur e qëndrueshme, edhe pse prodhimi ka rënë.
Me fjalë të tjera, disa prodhues gjermanë mund të jenë duke prodhuar mallra më cilësore, edhe pse shesin më pak. Kjo “cilësi mbi sasinë”, siç e quan Deutsche Bank, sugjeron një të ardhme për firmat gjermane në teknologjinë e avancuar, përfshirë makinat luksoze. Gjermania gjithashtu ruan një përparësi në teknologjinë e gjelbër, përfshirë turbinat me erë dhe elektrolizatorët.
Megjithatë, kjo nuk mund të kompensojë humbjet në sektorë të tjerë. Gjermania duhet të kapërcejë “fetishin e industrisë”, mendon Moritz Schularick nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore. Industrive me konsum të lartë energjie nuk u është rritur kapaciteti prej dy dekadash. Sektori i automobilave ka humbur vende pune për gjashtë vite radhazi, dhe një kthesë duket e pamundur.
“Për vite ata besonin se ‘ne jemi më të mirët’, dhe papritur gjithçka mori fund,” thotë një zyrtar i BE-së.
Forca të thella strukturore po ndryshojnë modelin industrial të Gjermanisë. Bindja e gjermanëve se ekziston një alternativë ndaj të qenit Exportweltmeister (kampionë botërorë eksporti) është një proces që kërkon vite, jo muaj. Edhe kompensimi për rënien e tregtisë në vende të tjera është një maratonë: pavarësisht përpjekjeve më të mira të Gjermanisë, negociatat për tregti të lirë të BE-së me Mercosur, një bllok i madh tregtar i Amerikës së Jugut, kanë zgjatur për 25 vite. (Franca, ndër të tjera, vijon të kundërshtojë.)
Për disa, një mjet më praktik për të nxitur ekonominë do ishte reforma e një pjese tjetër të modelit gjerman që duket se nuk funksionon më: frena e borxhit, një veçanti e Kushtetutës që kufizon deficitin vjetor strukturor të buxhetit federal në 0.35% të prodhimit.
Kufiri i borxhit është një relike e një epoke të kaluar, thotë Max Krahé nga Dezernat Zukunft, një qendër kërkimore në Berlin, kur Gjermania mbështetej në deficitet e vendeve të tjera për të nxitur ekonominë e saj. Në një botë ku globalizimi ka ngecur, ky model nuk funksionon më.
Ndërkohë, kërkesat për investime publike në Gjermani – sipas një vlerësimi të gjerë, rreth 600 miliardë euro për një decade – janë bërë shumë të mëdha për t’u anashkaluar (shih grafikun 3). Përveç kësaj, do nevojiten fonde të reja për mbrojtjen. Këtë vit, Gjermania arriti më në fund objektivin e NATO-s prej 2% të PBB-së, por vetëm falë një fondi të veçantë që do skadojë së shpejti. Madje mund të nevojiten edhe më shumë për të qetësuar administratën e re Trump.
Për këto arsye, ekziston një ndjenjë në rritje se koalicioni i ardhshëm, ndoshta i udhëhequr nga Friedrich Merz, kreu i KristianDemokratëve të qendrës së djathtë, mund të jetë i hapur për një reformë modeste mbi borxhin. (Gjermania do mbajë zgjedhje në shkurt, pas shpërbërjes së koalicionit këtë muaj.)
Nëse kjo ndodh, thotë Tordoir, një bum investimesh mund të ndihmojë në kompensimin e humbjeve nga eksportet në periudhën afatshkurtër; nëse menaxhohen mirë, investimet në arsim, ku Gjermania mbetet pas vendeve të tjera, dhe në infrastrukturë mund të rrisin normën e rritjes afatgjatë të Gjermanisë.
Ekzistojnë shumë ide për reforma, duke përfshirë rritjen e kufirit të lejuar për deficitin (ose zëvendësimin e tij me udhëzime më të gjera), përjashtimin e investimeve publike nga kufijtë e huamarrjes, ose krijimin e fondeve jashtë buxhetit për infrastrukturë ose mbrojtje.
Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese, të gjitha këto do kërkonin një shumicë prej dy të tretave në dy dhomat e parlamentit. Dhe ka shumë gjasa që partitë ekstreme të kenë një pakicë bllokuese prej një të tretën në Bundestag pas zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë arsye, SocialDemokratët në qeveri i kanë kërkuar Merz të mbështesë reformën tani, duke i dhënë partive pro-reformë numrat e nevojshëm. Deri tani, ai ka kundërshtuar ta bëjë këtë.
Thorsten Benner, drejtues i Institutit Global të Politikave Publike në Berlin, thotë se Gjermania ka kaluar nga “optimizmi i lehtë” i viteve të Angela Merkel në një “kurth dëshpërimi”, ku politika jofunksionale, kufizimet nga kufijtë e borxhit, mbiburokratizimi dhe mosbesimi publik forcojnë njëri-tjetrin. Ai shpreson që qeveria e ardhshme të veprojë si një “shkëputës për këtë qark”.
Kjo nuk duket e pamundur. Gjendja është bërë aq e zymtë, sa që, ndryshe nga gjashtë muaj më parë, ekziston një ndjenjë e re se ndryshimi i thellë është i pashmangshëm.
Ky do jetë sfondi i marrëveshjes së ardhshme të koalicionit, e cila mund të përfshijë një “pazar të madh”, ku Merz pranon ndryshime në kufijtë e borxhit nëse partnerët e tij bien dakord për ulje taksash ose reforma në sistemin e mirëqenies.
Por do ishte një ironi të zymtë nëse aritmetika parlamentare do pengonte ndryshimin, pikërisht kur kushtet për të janë përmbushur.