Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, ku ka kryer disa takime në Parlamentin Britanik.
Ai u takua me deputetët britanik Martin Vickers dhe Stephen Gethins, me të cilët ka ndarë shqetësimin mbi nevojën për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie kujdestare që adreson rekomandimin kyç të OSBE-ODIHR për ndalimin e përdorimit të shtetit në zgjedhje.
Më tej, Bardhi ka ngritur shqetësimin edhe të pasjes së një shtet ligjor dhe një sistem drejtësie të pavarur, teksa është ndalur edhe te largimet masive të shqiptarëve, kryesisht të rinjve për shkak të pamundësive ekonomike dhe meritokracisë.
Përveç Bardhit në këto takime ishin dhe deputetët demokrate, Sorina Koti, Andia Ulliri, Elda Hoti si dhe deputetja e PL-së Erisa Xhixho.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Kënaqësi që gjatë vizitës në Parlamentin Britanik të takoheshim me deputetët Martin Vickers dhe Stephen Gethins, miq të Shqipërisë dhe me një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Britania është një shëmbull i demokracisë dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre.
Nevoja për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie kujdestare që adreson rekomandimin kyç të OSBE-ODIHR për ndalimin e përdorimit të shtetit në zgjedhje; shteti ligjor dhe një sistem drejtësie i pavarur; si dhe shqetësimi për largimet masive të shqiptarëve, kryesisht të rinjve për shkak të pamundësive ekonomike dhe meritokracisë, ishin disa nga çështjet që diskutuam.
Deputetin Martin Vickers e falënderova edhe për mbështetjen që Partia jonë simotër e Konservatorëve Britanikë i dha Partisë Demokratike në Mbledhjen Ekzekutive të IDU për miratimin e Rezolutës për Shqipërinë, që ishte një skanim realist i situatës dhe mbështetje e fuqishme për kauzat e PD, përfshirë kërkesën për krijimin e një Qeverie Kujdestare për zgjedhjet sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të vitit të ardhshëm një delegacion i Partisë Konservatore Britanike do të vizitojë Shqipërinë dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë, me qëllim thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit, si dhe mbështetjen e ndërsjelltë mes dy partive tona.