Albania
Veliaj shmang përgjigjet për veten, merret me Berishën
“Kufomë e pakallur”, “jargë ligësie”, “çorbë e prishur”, “turinj të pistë etj”/ Kryebashkiaku çthur gjuhën për të shpëtuar paratë
Që kur Prokuroria e Posatshme njoftoi se i kishte bërë kontroll banesës së tij, shtëpive të të vëllait dhe se i ka sekuestruar telefonin bashkëshortes, Erion Veliaj i është fshehur përballjes me mediat, qoftë kur e prisnin të premten vonë në Rinas, por makina e mori direkt e nga salloni VIP, qoftë kur hyri të hënën nga dera e pasme e PS. Të vetmet reagime ai i ka bërë në rrjetet sociale, një herë për të sulmuar gazetarët, ndërsa këtë të martë, për t’u marrë sërish me ta, por për të shenjestruar kryesisht Sali Berishën.
Në tekstin e botuar nga kryebashkiaku, ku nuk jepet asnjë spjegim se çfarë është gjetur në shtëpinë e tij, se pse u krye kontrolli, për çfarë dyshohet dhe si i përgjigjet akuzave, duket qartë se ka vullnet për ta nxjerrë problemin nga thelbi. Për këtë përdoret një teknikë e thjeshtë: ndyrja e fjalorit për të shkaktuar polemikë përmes epiteteve dhe sharjeve.
Në një numërim të shpejtë që i ka bërë Lapsi.al, aty përdoret 10 herë fjala “hienë”. Gjashtë herë fjala “korb” ndërsa teksti është i mbushur me togfjalësha si “kufomë e pakallur”, “jargë ligësie”, “çorbë e prishur”, “turinj të pistë etj”.
Pyetja është përse gjithë ky arsenal i shfrenuar? Një ditë më parë Sali Berisha bëri denoncim ekstravagant dhe pa e mbështetur në ndonjë provë konkrete. Ai deklaroi se në galerinë “Harabel”, që i përket Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë janë gjetur 230 mijë euro nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Berisha vuri theksin tek prezenca e djalit të Arta Dades, biznesmentit Alban Dabulla, duke pretenduar se ky i fundit ka bërë presione gjatë kontrolleve dhe ka kërcënuar me publikimin e materialeve kompromentuese për Olsi Ramën
“Dabulla shoqëroi Velicën (Ajolën) dhe ekipin e BKH-së në kontrollin që u bë në galerinë ‘Harabel’. Gjatë atij kontrolli janë gjetur 230 mijë euro të fshehura në galeri. Qytetari Dixhital e informoi Sali Berishën me kompetencë të plotë, në fakt BKH-ja Dixhitale, se aty u gjendën 230 mijë euro dhe se Dabulla lëshoi ultimatumin: guxoni, përmendni, fotografitë dhe regjistrimet e Olsit me Xibrakën bëhen publike brenda 3 orëve”.
Kereu i opozitës nuk i mbështeti me ndonjë fakt pretendimet se në zyrën e Ajola Xoxës u gjetën këto shuma parash të pa deklaruara. Por, të hënën në mbrëmje, për këtë temë foli në emisionin TPZ edhe gazetarja Klodiana Lala, e cila deri më tani ka dëshmuar se ka burimet më të besueshme brenda SPAK. Ajo nuk e konfirmoi shumën që lëshoi Berisha por pohoi se në zyrën e Ajolës u gjendën sasi parash. “Mund të konfirmoj që gjatë kontrollit në qendrën Harabel, është sekuestruar një shumë e konsiderueshme por nuk jam në gjendje të them nëse është e njëjta shumë që deklaron Sali Berisha”, deklaroi Lala.
Pra, çdo mendje e ftohtë do të donte të dinte të vërtetën rreth kësaj. Nëse do të vendoste të fliste, duke ruajtur të gjithë të drejtën për të mos e bërë, bazuar në pozicionin e vështirë ku gjendet, Veliaj duhet të jepte sqarime për akuzat konkrete. Me një fjali mund të thuhej se Berisha gënjen dhe tek Harabeli i Ajolës nuk është gjendur asnjë lek. Ose se janë gjetur para, po kishin filan origjinë dhe do përdoreshin për këtë qëllim. Në vend të një spjegimi kaq bazik kryebashkiaku u dergj në orteqe sharjesh për “jargët e ligësisë që ka kohë që s’me bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndjehen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë”.
Po të lexohet teksti i plotë, megjithëse premton se do të thotë dy fjalë, ai nuk tregon asgjë. Bën propagandën e zakonshme se mbështet hetimet e kolegëve dhe se PS ndryshe nga PD-ja ka sjellje të ndryshme ndaj prokurorisë së posatçme, por kaq.
Hutimi dhe konfuzioni i këtij “mbështetësi të SPAK” shfaqet dukshëm kur ai aludon se kontrolli në shtëpi iu bë pa vendim gjykate, madje se prokurorët (askush nuk e dinte përpos tyre) lajmëruan edhe gazetarët “hiena dhe korba” që të qëndronin poshtë shtëpisë së tij tek Kodra e Diellit për ta mediatizuar kontrollin e banesës.
E megjithëatë, pyetja mbetet: çfarë i intereson më shumë publikut, mendimet e Veliajt kundër Berishës, apo transparenca lidhur me hetimin ndaj njërit prej zyrtarëve që administron më shumë fonde publike. “Jargët”, “Kufomat”, “Varrëmihësit”, apo fati i parave të inceneratorit dhe 5 D?
Vetëm nëse e shtron kështu problemin i kupton më mirë dufet e përçarta të Veliajt dhe faktin se për ai bëri target Berishën për t’iu shmangur thelbit.
©Lapsi.al
Teksti i plotë Veliajt, me bold epitetet e forta
Reagim me një ndjesë të përulur për të gjithë ju, që jeni duke lexuar këto fjalë drejtuar një hiene të xhindosur, një qenie të paskrupullt, një kufome të pakallur të quajtur Sali Berisha – një ligësie, i cili e ka helmuar dhe fatkeqësisht, vijon ende ta helmojë e ta përçajë këtë vend prej 34 vjetësh.
Që kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ‘90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ‘97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar, kur u kap live duke vrarë në 21 janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr.
Që Zoti, duke e mbajtur gjallë për ta damkosur dhe tërhequr zvarrë, tani po i jep atë që kishte hak pasi e vrau, e dogji, e grabiti, e sakatoi këtë vend, edhe ky është fakt publik dhe historik, që e dini dhe e shihni çdo ditë me sytë tuaj.
Megjithatë, jargët e ligësisë së tij ka kohë që s’më bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndjehen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë.
Unë as jam marrë, as do të merrem me familjen e tij, por me krimet që ai ka bërë, të cilat shpresoj dhe uroj që drejtësia t’i zbardhë sa më shpejt, deri në fund, që hiena e fundit komuniste e Europës të marrë atë që meriton edhe nga drejtësia, pasi populli shqiptar e ka ndëshkuar me kohë, duke e flakur një herë e përgjithmonë në koshin e historisë.
Por, cila është e vërteta e ngjarjes që, së fundmi shfrenoi fantazitë mediatike dhe e solli turirin e hienës deri brenda shtëpisë time?
Në datën 5 Dhjetor jam nisur për një takim zyrtar me Kryetarin e Bashkisë së Hamburgut, dhe të nesërmen, në 6 Dhjetor, isha në Dhomën e Tregëtisë së Hamburgut, për të promovuar aty, për operatorët e interesuar gjermanë, Zonën e Lirë Ekonomike të Tiranës – TEDA.
Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartametit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë.
Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.
Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre. Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK.
Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre.
Që nga dita që kam nisur këtë punë me Këndin e Lodrave te Liqeni, ku Opozitë e Presidencë bëheshin bashkë me pistoleta mbi kolovarëse, e gjer më sot, nga Teatri tek Astiri, e thuajse me çdo punë që kemi bërë, ku baltosja, paditë e çuditë nuk rreshtin së bombarduari dhe penguari këtë qytet, unë e kam marrë me vetëdijen e plotë të kostove të përballjes përditë me hiena e korba, përgjegjësinë e të çuarit përpara të Tiranës, me kokën lart për shumë punë të mira që kemi bërë dhe pa u fshehur, as kur është dashur të pranoj gabimet që janë bërë.
Ndryshe nga hiena që fut përditë turinjtë e pistë në çdo shtëpi të Shqipërisë dhe korbat që bëjnë krra-krra, ditë e natë, për llogari të tij, unë nuk e kam raportin me drejtësinë të përçudnuar as nga tmerri prej krimeve të bëra, as nga makthi i pasurive të fshehura dhe as nga dëshpërimi i humbjes së pushtetit për t’u rimarrë me çdo kusht.
Për mua, SPAK-u nuk është i drejtë kur godet kundërshtarët dhe i padrejtë kur më heton edhe mua vetë, qoftë edhe për paditë e bëra nga korbat. Më pëlqen a s’më pëlqen kjo që po ndodh aktualisht në raport me mua dhe a më duken a s’më duken, mua personalisht, të drejta të gjitha veprimet e SPAK-ut ndaj meje e famijes time, kjo nuk ka pikë rëndësie për mua institucionalisht. Prandaj, jo vetëm nuk i kundërvihem në asnjë formë veprimtarisë së prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut, por e mirëpres që ta kryejnë deri në fund, siç e mendojnë, detyrën e tyre.
Po çfarë do të ndodhte sikur edhe ne, socialistët, pas çdo hetimi apo transparence që kërkohet nga SPAK-u, ta sulmonim SPAK-un si bandë kriminale apo të organizonim protesta si hienat që e kanë mbajtur peng këtë vend prej dekadash?
Ky është dalllimi ynë: Ne i trajtojmë institucionet e drejtësisë si kolegë dhe shtetarë, opozita i konsideron banditë dhe tradhtarë. Ky është edhe dallimi i madh fare, që mua më bën të ndjehem shumë mirë përpara atyre që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në tërë këto vite, që nga Edi Rama i pari, te shokët e forumeve të partisë, dhe qytetarët e Tiranës, që sot jetojnë në një qytet europian, në një metropol nga më të rëndësishmit e rajonit.
Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë. Jam po aq i bindur në të drejtën time dhe shpresëplotë në profesionalizmin dhe pavarësinë e këtij institucioni kushtetues.
Pikërisht, ky është dallimi mes nesh dhe hienave që kemi përballë, i cili duhet të bëjë krenar çdo anëtar e votues të Partisë Socialiste dhe duhet të turpërojë, si shqiptar e si qytetar çdokënd që vazhdon duartroket dhe përshëndet mortjen Sali dhe shpurën e korbave të tij
Albania
Ambasada e SHBA në Tiranë u uron shqiptarëve Vitin e Ri: Të forcojmë partneritetin tonë!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka përcjellë shqiptarëve urimet për Vitin e Ri, duke theksuar forcimin e vazhdueshëm të partneritetit mes dy vendeve, bazuar në qëllime dhe vlera të përbashkëta.
Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se fundi i vitit shërben si një moment reflektimi mbi arritjet e përbashkëta dhe njëkohësisht si një periudhë entuziazmi për zhvillimet që priten gjatë vitit 2026.
“Ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026! Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, thuhet ne mesazhin e tyre.
Albania
“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
Qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin sot nga Londra drejt Tiranës me kompaninë ajrore “Wizz Air” kanë denoncuar sërish mungesë serioziteti dhe kompetence nga ana e kësaj kompanie.
Sipas denoncuesve, pas imbarkimit dhe hyrjes në avion, ata janë detyruar të zbresin sërish me arsyetimin se në kontenier ishte ndezur një sinjal paralajmërues.
Pas zbritjes, udhëtarët janë përballur me orë të tëra pritjeje pa asnjë informacion të qartë, ndërsa i vetmi shpjegim i dhënë nga kompania ka qenë se ekziston një problem teknik.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe nisjen sa më shpejt drejt destinacionit të tyre, ku i presin familjarët për t’u bashkuar me festat. Ata theksojnë se kjo nuk është hera e parë që hasin probleme me këtë kompani ajrore.
“Wizz Air” është shpeshherë objekt ankesash për vonesa të shumta, anulime në momentet e fundit dhe mungesë komunikimi apo përgjigjeje ndaj udhëtarëve.
Albania
Vendimi i qeverisë, zbardhet skema e re e kompensimit, nga 600 deri në 1800 lekë shtesë në muaj, ja kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, një masë që hyn në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.
Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, fondi total për këtë skemë kap vlerën e 9.8 miliardë lekëve.
Si ndahen kategoritë dhe sa është shtesa?
Qeveria ka ndarë përfituesit në 5 kategori kryesore, bazuar në nivelin e të ardhurave mujore që ata kanë pasur deri në datën 31.12.2025:
Shtesën maksimale prej 1,800 lekë/muaj e përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë të plota (urbane), minatorët, punonjësit e naftës, gazit dhe metalurgjisë.
Shtesën prej 1,000 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionet rurale (të fshatit).
Shtesën 800 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 22,000 lekë.
Në këtë grup përfshihen pensionet e pjesshme (urbane), pensionet sociale dhe ata që nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit.
Shtesën 700 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë, ku janë përfituesit e pensionit familjar, përfshirë familjet e pilotëve.
Ndërsa shtesën 600 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë.
Këtu përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve të invaliditetit.
Kush përfiton tjetër?
Një pikë e rëndësishme e vendimit është se ky kompensim nuk prek vetëm pensionistët aktualë. Përfitojnë edhe personat që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, me kusht që të ardhurat e tyre të mos kalojnë tavanet e përcaktuara më sipër. Megjithatë, ata që fitojnë të drejtën e pensionit pas datës 1 janar 2027, nuk do të jenë subjekt i këtij vendimi.
Vendimi saktëson gjithashtu se këto kompensime nuk do të preken (nuk do të ulen apo ndryshojnë) në rastet kur qeveria miraton indeksime të tjera të pensioneve në të ardhmen.
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pagesat do të shpërndahen përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania2 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK21 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
