Kosova
100 mijë persona dalin në protestë kundër Vuçiç, presidenti serb merret me Albin Kurtin
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Vuçiç tha se Kurti ‘po përpiqet të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë – Lista Serbe dhe se me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron të shfarosë popullin serb’, raporton KosovaPress.
‘Kur kësaj i shtohen edhe sulmet e ashpra të grupeve të ndryshme të presionit brenda vendit, të gjithëve e kanë të qartë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Ne nuk do t’ia japim Serbinë askujt dhe Serbia nuk do të ndalet! Nuk ka dorëzim,’ tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e shkurtit për shkak të qëndrimeve kundër shtetit të Kosovës. Disa prej arsyeve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe Zlatan Elek gjatë prezantimit të listës së kandidatëve.
Deklarata e presidentit serb erdhi në një ditë mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë të Serbisë zhvilluan një marshim proteste në rrugët e Beogradit deri në ndërtesën e prokurorisë së shtetit. Ata dorëzuan plot 1 mijë letra identike në adresë të Prokurores së Lartë Publike, Zagorka Dolovac, duke i kërkuar që të fillojë të bëjë punën e saj për të bërë drejtësi për tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona.
‘Studentët presin që ju të luftoni për ligj dhe drejtësi, pa keqpërdorime politike apo korrupsion’, lexohet në letrat e dorëzuara. Prokurorja ka kërkuar një ballafaqim me organizatorët e protestës, por që nuk është pranuar nga studentët. Ndër kërkesat e tyre është dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së kryeministrit Millosh Vuçeviç, të cilët akuzohen si përgjegjës për neglizhencë dhe korrupsion me riparimin e strehës që u shemb në stacionin e trenave në Novi Sad më 1 nëntor.
Organizatorët kanë thënë për mediat se po përballen me kërcënime, teksa premtuan se asgjë nuk do t’i ndalojë, as moti i keq më dëborë që ishte sot. Presidenti Vuçiç paralajmëroi me përdorimin e njësive speciale ushtarake ‘Cobra’ për shpërndarjen e protestuesve. Të dielën studentët dhe fermerë në zhvilluan protestën më të madhe ndonjëherë në historinë e Serbisë, duke mbledhur mbi 100 mijë persona.
Kosova
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Kosova
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania14 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
UK13 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
