Connect with us

Albania

“Ja si më toruruan barbarisht”, dëshmia e kreut të protestës së 14 janarit 1990

Published

on

Publikohet historia e panjohur të ngjarjeve të ndodhura  30 vite më parë në qytetin e Shkodrës, ku më 14 janar 1990 u organizua një demonstratë proteste që synonte heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në qëndër të qytetit.

Dëshmia e rrallë e dy prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, Gjergj Livadhi dhe Viktor Martini, të cilët në mesnatën duke u gdhirë 14 janari ’90-të, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me mbështetjen e Forcave Speciale që kishin ardhur nga Tirana dhe u dërguan në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ku ndaj tyre u përdorën tortura çnjerzore fizike dhe psikollogjike nga vetë drejtuesit kryesorë të saj, duke i vënë revolen në kokë Viktor Martinit, apo duke i çpuar trupin me gjilpëra, për ta parë nëse ai jetonte ende, apo kishte ndërruar jetë nga torturat që ishin ushtruar ndaj tij…?!

Sipas dëshmisë së Gjergj Livadhit, i cili ka qenë një prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj demostrate, njeriu i parë që hodhi idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit, ishte shoku dhe miku i tij i ngushtë, Dedë Kasneci, i cili që në pasditen e 10 janarit të vitit 1990-të, bisedoi gjatë për atë problem me shkodranin tjetër, Rin Monajka.

Të nesërmen e asaj dite, Rin Monajka shkoi në lagjen Serreq ku banonte Gjergj Livadhi dhe pasi i tregoi atij për bisedën që kishte bërë me Dedën një natë më parë, i kërkoi që të mblidhte sa më shumë njerëz e t’i nxirrte në lulishten ku ndodhej busti i Stalinit, ku do të mbahej një demostratë e heshtur në shenjë proteste për heqjen e atij busti. Rin Monajka e siguroi Gjergjin se demostrata do të bëhej patjetër, pasi atë gjë e kishin dhënë në edicionet e lajmeve edhe disa stacione televizive italiane. Pas kësaj, Gjergji shkoi në lagjen e tij ku për më pak se një gjysëm ore, mblodhi rreth 100 persona dhe bashkë me ta doli në qëndër të qytetit ku ndodheshin fare pak njerëz.

Advertisement

Mospjesmarrja e banorëve të Shkodrës atë paradite në sheshin ku mendohej të zhvillohej demostrata, lidhej me faktin se ajo gjë kishte rënë në veshin e Sigurimit të Shtetit dhe me urdhër nga “lart”, data 11 janar ishte shpallur ditë pushimi. Po atë paradite të 11 janarit, ndërsa Gjergj Livadhi u takua me Dedë Kasnecin dhe Flamur Elbasanin në qendër të qytetit, shoku i tyre, Rin Monajka, diku në një nga rrugët e piacës, ishte takuar me ambasadorin gjerman që kishte ardhur aty nga Tirana dhe kishte zhvilluar me të një bisedë dy-tre minutëshe lidhur me demostratën që pritej të mbahej.

Diplomati gjerman i kishte thënë Monajkës: “Hë, ç’ prisni akoma”. Ndërsa eksponentët kryesorë që po merreshin me organizimin e demonstratës që pritej të mbahej më 14 janar në sheshin kryesor të qytetit ku në një lulishte ndodhej busti i Stalinit, në mbrëmjen e 13 janarit Forcat Speciale që kishin ardhur nga Tirana nën drejtimin e kreut të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizit, dhe mbështetjen Degës së Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ndërrmorën arrestimet e para dhe një prej tyre ishte vetë Gjergj Livadhi, të cilin e çuan në Degë ku filloi ta marrë në pyertje vetë Zylyftar Ramizi. Po ç’ndodhi më pas me Gjergj Livadhin dhe si u zhvilluan ngjarjet të nesërmen, më 14 janar 1990-të?! Lidhur me këtë na njeh dëshmia e z. Gjergj Livadhi në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij, ekskluzivisht për Memorie.al dhe bashkë me këtë intervistë po publikojmë edhe dëshminë e Viktor Martinit, njërit prej organizatorëve kryesorë të demonstratës së 14 janarit 1990-të që synonte për heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në sheshin qëndror të qytetit, i cili rrëfen për ekskluzivisht Memorie.al, torturat çnjerzore që iu bënë atij në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës.

Zoti Livadhi, si u zhvilluan ngjarjet më 14 janar, kur ju kishit planifikuar demonstratën?

Advertisement

Unë nuk kam qenë atë ditë ne shesh, pasi siç ju thashë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit që në orët e para duke u gdhirë 14 janari. Por se çfarë nodhi atë e kam mësuar më pas nga shokët, kur ishim të arrestuar dhe mbaheshim në qelitë e degës së Brendëshme.

Po përveç jush, kush u arrestua tjetër nga organizatorët kryesorë të asaj demonstrate që pritej të mbahej?

Bashkë me mua u arrestuan edhe Dedë Kasneci me Flamur Elbasanin. Këto ndodhën pasi në datën 13, së bashku me disa shokë, ne shpërndamë në lagjen “Parrucë” disa fletushka me përmbajtje antikomuniste.

Advertisement

Po të nesërmen më 14 janar, ç’ndodhi, si u zhvilluan ngjarjet?

Në paraditen e 14 janarit me mijëra banorë të Shkodrës dolën në shesh, ku forca të shumta të Sigurimit të Shtetit dhe ato speciale të ardhura nga Tirana e kishin rrethuar bustin e Stalinit, duke bërë një gardh me trupat e tyre. Po kështu, në çdo pikë dhe lartësi të qytetit ishin vënë snajpera dhe makinat e policisë lëviznin pa pushim nëpër rrugë. Shkëndijën e parë e dha Ndoc Liqejza, i cili i bëri thirrje të hapur popullit, duke folur me zë të lartë, që të afroheshin dhe të rrëzonin bustin e Stalinit.

Ç’ndodhi pas fjalës së tij?

Advertisement

Pas fjalëve të tij, u bë një zhurmë që, si të thuash, ishte aprovim dhe, në mos gaboj, Ylli Gërshana, qëlloi me një hekur një makinë të policies, duke i thyer një xham.

Çfarë ndodhi pas kësaj, a reagoi Policia e Sigurimi?

Policia e arrestoi menjëherë atë person, duke e futur në makinat e tyre dhe turma lëvizi duke reaguar ndaj arrestimit të tij. Në ato momente njerëzit e Sigurimit dhe policia filluan të hapnin panik, duke thënë se ishin arrestuar 300 persona.

Advertisement

Pas kësaj, a u larguan njerzit…?

Aspak, populli i Shkodrës qëndroi aty në shesh, pa lëvizur fare, deri në orën 13.00 dhe ai ishte shumë i egërsuar e gati për të shpërthyer. Pasi u shpërnda demonstrata, njerëzit e Sigurimit të shtetit dhe Policia filluan arrestimet në masë.

Sa persona u arrestuan?

Advertisement

Arrestimet vazhduan për dhjetë ditë, dhe thuhet se numri i tyre shkoi në rreth 300 veta. Organizatorët kryesorë u izoluan në Degën e Shkodrës, ndërsa të tjerët i nisnin në Tiranë apo qytete të tjera.

Kur u zhvillua gjyqi ndaj jush?

Gjyqi ndaj nesh filloi më 21 maj 1990 dhe ai zgjati 5 ditë. Kryetari i Gjyqit, Sh. M., që më pas u bë ministër i Drejtësisë, për ne organizatorët kryesorë dha dënime deri në 12 vjet burg. Të gjithë ne thamë se ishim të pafajshëm, vetëm Kolec Kublina pranoi se kishte dashur të mbante fjalimin për rrëzimin e bustit të Stalinit. Pas mbarimit të gjyqit, mua dhe Dedë Kasnecin na dërguan në burgun e Sarandës, ku u liruam me të fundit të dënuar politikë, më 31 mars 1991.

Advertisement

Dëshmia e Viktor Martinit, që u izolua nga Sigurimi në Psiqiatrinë e Elbasanit: “Si më torturuan në Degën e Shkodrës, para Çapajev Taçit”

Kush është Viktor Martini?

Viktor Martini u lind në vitin 1940-të në qytetin e Korçës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga malësia e Hotit, pjesa e trojeve shqiptare që sot ndodhen nën juridiksionin e Malit të Zi. Babai i Viktorit, Gjush Martini, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak i Mbretërisë në disa rrethe të vëndit, si në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj., ku lindën dhe gjashtë fëmijët e tij: dy vajzat dhe katër djemtë, Paskualini, Angjelini, Viktori dhe Rudolfi.

Advertisement

Me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, për familjen Martini do të fillonte një kalvar i gjatë vuajtjesh e mundimesh, me burgje, internime dhe punë të rënda. Kështu që në vitin 1946, babai i Viktorit, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vite burg, për të vetmin faj, se kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut. Ai nuk doli më i gjallë, pasi vdiq në vitin 1954 gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit.

Për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist, vetëm pak kohë pas arrestimit dhe dënimit të tij, djali i madh i familjes, Paskualini, me motrën e vogël, u arratisën nga Shqipëria dhe përfunduan në republikat e ish-Jugosllavisë. Pak kohë më vonë u arratis nga Shqipëria edhe djali i dytë, Angjelini, ndërsa dy djemtë e tjerë që mbetën në Shqipëri, Viktori me Rudolfin, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, përfunduan burgjeve si të dënuar politik. Po kështu në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës përfunduan edhe Paskuali me Angjelinin, që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Paskuali u kthye nga Sigurimi i Shtetit, pasi ishte kapur në telat e klonit me rrymë elektrike në kufirin çekosllovak, ndërsa Angjelini erdhi vetë për të shpëtuar nga pushkatimi vëllanë e tij.

Ndërsa katër djemtë e familjes Martini, Paçi, Lini, Viktori dhe Leri (Rudolfi) dergjeshin burgjeve të regjimit komunist, në shtëpi kishte mbetur vetëm nëna e tyre, një grua heroike e cila punonte në punët më të rënda për të fituar bukën e gojës, e për t’ua çuar fëmijëve të saj që ishin shpërndarë në kampe e burgje. Pas daljes nga burgu i Burrelit ku vuajti për më shumë se shtatë vite, Viktori dhe vëllezërit e tjerë që u liruan disa vjet pas tij, punuan në punët më të rënda të krahut, edhe pse Viktori ishte me një këmbë dhe Lini me një dorë. Në janarin e vitit 1990-të kur në qytetin e Shkodrës u zhvillua demostrata masive për heqjen e bustit të Stalinit, Viktor Martini mori pjesë aktive duke qenë një ndër organizatorët kryesorë të saj.

Advertisement

Ai u arrestua dhe u torturua në mënyrën më barbare nga Sigurimi i Shtetit, duke përfunduar në spitalin e burgut të Tiranës dhe atë Psiqiatrik të Elbasanit.

Me fillimin e proçeseve demokratike në fillimin e viteve ’90-të, Viktori u angazhua tërësisht duke qenë një nga themeluesit e Shoqatës Kombëtare të Përndjekurve Politikë për degën e Shkodrës dhe gjithashtu i gazetës “Pishtari”.

Në vitin 1994 Viktori u largua nga Shqipëria për në SHBA-ës, ku banon dhe aktualisht së bashku me familjen e tij dhe vëllezërit e tjerë. Me rastin e 30 vjetorit të asaj ngjarje, z. Martini i kemi marrë një intervistë të gjatë ekskluzive për Memorie.al, nga e cila kemi shkëputur pjesën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

Advertisement

Dëshmia e Viktor Martin

“Ndërsa po bisedoja me Dedë Kasnecin në shtëpinë time, sesi do organizonim demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit, zilja e derës na ndërpreu muhabetin. Dola te porta e dallova një person të njohur, që punonte në Degën e Brendshme, i cili tha: ‘Viktor Martinin desha’.

Ndërsa u thashë: ‘Unë jam, po vij sa të vesh xhaketën’, ata më kapën menjëherë prej krahësh dhe më çuan në fundin e rrugës, ku priste mikrobusi, me të cilin me çuan drejt e në zyrën e kryetarit në Degën e Brendshme.

Advertisement

Kur më futën aty, kryetari Naim Lezha më tha: “Në emër të popullit, je i arrestuar”, dhe njëri nga vartësit e tij me të shpejt nxori nga xhepi hekurat e, duke i shtrënguar, më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë.

Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur.

“Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu”, u thashë unë.

Advertisement

“Ta tregojmë ne arsyen”, më tha ai dhe me një shkelm më goditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Pastaj nga brezi nxori një shkop gome dhe, duke më kërcënuar më tha: “Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose qumështin e nënës do të të nxjerr”.

“Nuk po ju kuptoj se për çfarë e keni fjalën”, i thashë unë, duke u munduar të mbrohem.

Ndërsa nuk e kisha mbaruar ende fjalën, shkopi i tij i gomës u përplas mbi kurrizin tim, që mbrohej vetëm nga një bluzë e hollë. Pastaj më ulën në një karrige me duar mbrapa dhe ashtu të lidhur me godisnin pa pikë mëshire. Shkopi ngrihej e shkapetej papushim mbi shpatullat e gjoksin tim dhe ai më thoshte: “Hë, do të tregosh apo jo?”.

Advertisement

Pas rreth ndonjë ore torturë, trupi im kishte marrë ngjyrë mavi. Një tjetër i panjohur hyri brenda, u afrua dhe, mbasi më çoi fanellën e kanotierën, dallova ngjyrën mavi të trupit.

“Paske vendosur të vdesësh si hero ëëë?”, qeshi me ironi dhe pastaj shtoi, “Vazhdo, vazhdo…” e doli përsëri nga dera. Me të doli edhe nënkryetari. Pas largimit të tyre, unë mbeta vetëm me atë person të panjohur për mua si shkodran, i cili më detyroi të ngrihesha në këmbë duke më goditur pa mëshirë mbi vithe.

Trupi filloi të më dridhej, por sa vinte dhe nuk i ndieja më dhimbjet si në fillim. Oficerët e Degës filluan të vinin me radhë, për të bërë sehir, dhe njëri prej tyre më tha: “Pse e merr veten në qafë, të gjithë shokët kanë treguar, veç ti jo”?!

Advertisement

Unë iu përgjigja se nuk dija gjë fare për atë punë, por ata vazhduan të më pyesnin se përse e kisha marrë në motorr Dedë Kasnecin.

Ndërkohë që unë u thashë: “Çfarë ka bërë Deda, mos ka vrarë njeri?”, njëri prej sampistëve filloi të më godiste pa mëshirë. Pastaj ai futi duart mbi supet e mi, afër qafës, dhe me thonj filloi të më shkulte mishin.

Më kërcënuan se do të më çonin në morsën e hekurt. Vetë Çapajev Taçi hyri si i tërbuar dhe, duke më vënë revolen në kokë, më tha: “Do t’ju pushkatojmë, nuk e lëshojmë pushtetin në dorë të armiqve”, dhe duke dalë nga dera shtoi: “Kërbaç!”.

Advertisement

Sampisti më goditi me shkop mbas koke. M’u morën mendtë, shikimi më humbi, por nuk rashë. Si nëpër mjegull, dëgjoja thirrjet e sampistit. “Fol, fol”. Më pas më kapën prej krahësh dhe më ulën në karrige. Vendosa të rri si në kllapi, për të pushuar pak e nëpërmjet qerpikëve paksa të hapur mundohesha të shikoja se çfarë ndodhte në dhomë. Naim Lezha u çua nga tavolina, duke marrë një gjilpërë dhe filloi të më ç’pojë trupin, për të parë se mos shtiresha. Nuk e pata të vështirë ta përballoj, se trupi nuk ndiente më dhimbje, ishte enjtur pa masë. Pas më hodhën një kovë ujë në fytyrë, fillova ta marr veten, por shpejt fillova të vjellët.

Më sollën një kovë, më zgjidhën duart e nuk më trazuan më. Dridhesha i tëri dhe shikoja në dysheme ku kishte njolla gjaku. Edhe nga këmba ime vura re se rridhte gjak. Nga ora dhjetë paradite kishim mbetur në dhomë vetëm unë e nënkryetari, i cili herë pas here shikonte orën. Aty rreth orës dymbëdhjetë të darkes, u dëgjua një e buçitur dhe zhurma makinash që dëgjoheshin herë pas here. Dëgjohej zhurmë nëpër korridore. Në orën një e gjysmë më dorëzuan në Hetuesi dhe më përplasën në qeli. E kisha më të lehtë të rrija në këmbë sesa të shtrihesha në dysheme, nga dhimbjet e trupit. Nga ora dhjetë e darkës më çuan në dhomën e hetuesit. Trupi kishte marrë të dridhura dhe dhëmbët më kërcisnin, ca nga dhimbjet e ca nga të ftohtit e janarit. Hetuesi më tha të ulesha në karrike. Pastaj mori disa letra, ndezi zjarrin në stufë dhe filloi të më pyeste se me kë isha takuar ditët e fundit. Unë i numërova disa njerëz, që nuk kishin të bënin me çështjen e demonstratës dhe kur më pyeti për Ded Kasnecin unë i thashë po atë përgjigje që u kisha dhënë edhe të tjerëve. Pas pesë ditësh më nxorrën nga qelia dhe më futën në një ambulancë. Duart m’i shtrënguan tmerrsisht. Pas pak aty sollën Ndoc Liqejzën, Gjovalin Rolben, Pjerin Velin, Paulin Shtjefnin, Gjovalin Zefin.

Dy policë hynë me ne në makinë dhe pas tri orësh e pamë veten në Spitalin e Burgut në Tiranë. Aty na mbajtën për 17 ditë dhe më pas na çuan në Spitalin Psiqiatrik të Elbasanit. Sapo më futën aty, tre sambistë më kapën prej këmbësh e krahësh e më përplasën në vendin ku vizitoheshin të sëmurët, me gjoks poshtë. Njëri prej tyre urdhëroi infermierin: “Shpejt bëji gjilpërën” dhe ai zbatoi urdhrin. Krijova bindjen se kjo gjilpërë ishte vdekjeprurëse. M’u duk e qartë se po na vrisnin pa gjyq dhe do të na groposnin pa shenjë. Gjuha filloi të më trashej e nuk isha në gjendje të komandoja më gjymtyrët. Më kapën prej krahësh dhe më përplasën mbi një krevat në qoshe të një dhome të madhe. Kisha etje, thërrisja me sa fuqi kisha të më sillnin ujë, por askush nuk përgjigjej.

Advertisement

Drejtori i spitalit, nëpërmjet doktor Bashkimit, na kishte lajmëruar se në fund të marsit do të na lironin prej këtij izolimi. Fjala ishte për një urdhër të Ministrisë së Brendshme. Institucioni i psikiatrisë edhe kësaj here, si në shumë raste të tjera, ishte i varur nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë kisha lajmëruar Lizën të më sillte rrobat. Në datën 30 mars, Liza e nipi i saj erdhën nga Tirana me shpresë se do të ktheheshim të gjithë bashkë. Por jo. Kur Liza e Mondi ishin paraqitur tek Dr. Bashkimi, shefi i pavionit u kishte thënë se urdhëri qe anulluar direkt nga ministri i Brendshëm. O Zot! Tmerri dhe lotët e Lizës tronditën spitalin dhe tërë ambjentin përreth. Tashmë i kishim humbur shpresat se do të më linin të dilja i gjallë nga ky vend, ku jetonin krijesat e fatkeqësisë…

Në mëngjes të datës 1 prill, rreth orës nëntë paradite, doktor Bashkimi na thirri në dhomën e tij dhe na tha se ishim të lirë e mund të iknim në shtëpitë tona. U gëzova ma masë…Pasi u veshëm me rrobat tona, morëm rrugën për në qendër. Shkova në postë dhe lajmërova të më prisnin në darkë te treni….

Te treni në Shkodër më priti Mondi, nipi i Lizës. Megjithëse në diferencë moshe me Mondin, ai u gëzua pa masë nga kthimi im i papritur.

Advertisement

Lerit ende nuk i ishin shëruar plagët e torturave të natës së 13 janarit, në të cilat kishte marrë pjesë vet ministri i Brendshëm…

Por qyteti kishte marrë pamje të trishtuar, njerëzit mblidheshin herët në shtëpi. Jashtë nëpër rrugët e Shkodrës kishte rënë një heshtje si në shkretëtirë. Vetëm këpucët ushtarake dëgjoheshin natën nëpër trotuare e rrugica…/Memorie.al

20200114_011625
20200114_011801
20200114_011823
Dega-e-Shkodres
IMG-20200115-WA0000
Viktor-Martini-1
VMARTINI
Continue Reading

Albania

Vit sfidues

Published

on

By

Opinion Nga Ilir Kalemaj 

Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.  

Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në. 

Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030. 

Advertisement

Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim. 

Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.

Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.

Advertisement

Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji. 

Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.

Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.

Advertisement
Continue Reading

Albania

Elozhi i kujtesës

Published

on

By

nga Mira Meksi Shkrimtare

Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit

Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.

Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.

Advertisement

Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.

Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.

Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…

Advertisement

Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)

Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.

Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që  zhbëhet nga sëmundja.

Advertisement

Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)

Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.

Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:

Advertisement

 ‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)

Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha. 

Advertisement
Continue Reading

Albania

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Published

on

By

Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.

“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.

Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.

Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.

Advertisement

“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.

Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.

Advertisement
Continue Reading

Live ALBUK TV

Bota1 hour ago

Përplasjet kufitare Taxhikistan-Taleban: Çfarë fshihet pas tyre, pse ndikojnë në Kinë?

Kulture1 hour ago

Shuhet ikona Brigitte Bardot, biondja seksi që revolucionarizoi kinemanë në vitet ’50

Albania1 hour ago

Vit sfidues

Albania1 hour ago

Elozhi i kujtesës

Kosova8 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

UK8 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Albania9 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Bota9 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Albania9 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Kosova9 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Albania10 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Albania10 hours ago

Vlora 4 ditë pa ujë, protestuesit shpërthejnë derën dhe futen në festën e Bashkisë

Kosova10 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Kosova10 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Kosova10 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Albania2 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Albania9 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Albania9 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

UK1 day ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania10 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

UK8 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Bota9 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Kosova10 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Kosova8 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

Kosova9 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Kosova10 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Albania10 hours ago

Amnisti penale nga qeveria! Lamallari: 380 të burgosur lirohen, 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi (video)

Kosova10 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Kosova15 hours ago

Voton Presidentja Osmani: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë

Albania15 hours ago

VIDEO/ Aferat e AKSHI-t, reagon Rama: Mirlinda Karçanaj gjendet në një masë sigurie me një akuzë të hatashme, të presim drejtësinë dhe jo tenxheret politike

Trending