Agron Duka nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit, raporton A2 CNN. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste njoftoi në një konferencë për mediat vendimin.
Unë nuk kandidojë më për Parlament. Shumë njerëz më thonë që ky vendim do të ndikojë negativisht në Partinë Agrare Ambientaliste. Por nuk mendoj se është kështu. Gjatë gjithë kohës themi pse nuk i hapet rrugë të rinjve, unë këtë po mundohem të bëj. Nëse kjo tezë bie poshtë me këto zgjedhje do të thotë që, meqë unë u largova, këta që ofrohen nuk grumbullojnë vota, atëherë ky lloj eksperimenti dështon dhe i themi kryetarëve të partive “rrini aty deri sa të vdisni, se ndryshe nuk u voton njeri”. Unë besoj që këta që vijnë janë më të rinj se unë, kanë energji më shumë”, tha Duka.
Ai tha se forca e tij politike synon të marrë 40 mijë vota në të gjithë vendin. I pyetur për përçarjen e opozitës, Duka shtoi që, nëse partitë që do të garojnë veçmas do të arrijnë të nxjerrin deputetë, do të ndihmojnë opozitën të vijë në pushtet. “Me këtë ligj elektoral do të ishte mirë që të kishim një koalicion të madh të opozitës. Nëse nuk do të arrijnë t’i konkretizojnë në deputet votat, atëherë kjo do të shkojë në favor të kundërshtarit politik”, tha Duka.