Kosova
Studentët protestë para Kuvendit të Kosovës
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas më shumë se tre muaj negociatash nuk po arrijnë të formojnë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.
Dështimi për formimin e qeverisë së re nuk po shihet mirë as nga studentët e Universitetit të Prishtinës, një grup i të cilit kanë protestuar sot para objektit të Kuvendit të Kosovës me moton ”Boll luajtët me këtë popull”.
Studentët kërkuan me këtë rast që partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit që t’i anashkalojnë interesat e tyre dhe të mendojnë edhe për qytetarët, duke formuar sa më shpejt institucionet e reja të vendit, për t’i dhënë fund ngërçit politik të krijuar tash e sa kohë.
Grupi i studentëve para objektit të Kuvendit u ndalua nga Policia e Kosovës, por kjo nuk i pengoi ata që të vazhdojnë protestën.
Bekim Ibishi, student në Fakultetin Filozofik, tha se Policia e Kosovës po e ndal aktivizmin studentor i cili tenton parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë. Ai shtoi se Kosova po rrezikon që të përballet edhe një largim të mundshëm të të rinjve drejt vendeve tjera.
“Prej marsit, çdo i ri që ka mundësi, çdo i dijshëm, çdo njeri që ka potencial Gjermania na e ka dhënë një mundësi, që për t’u kualifikuar në Gjermani, ne do të ikim që të kualifikohemi. Klasa e njerëzve të mirë do të ikë, për këtë arsye edhe vendi është rrugës së kolapsit dhe nëse nuk votohet buxheti do të ketë edhe trazira edhe më të mëdha. Jo vetëm bullizmi që kemi për t’ju bërë në rrugë përfaqësuesve të popullit, por do të provojmë edhe forma të tjera”, u shpreh ai.
Në fund studentët vendosën edhe një mbishkrim “Boll luajtët me këtë popull”.
Studentët paralajmëruan se nuk do të ndalen dhe se do të vazhdojnë prapë me protesta të tilla.
Protesta e studentëve ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.
Kosova
I dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën, Kurti mesazh falënderues për të gjithë votuesit e LVV: U jemi mirënjohës përjetë
Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
Kosova
“Kurti fitues pas muajsh bllokade politike”, BBC: Normalizimi i marrëdhënieve me Brukselin dhe Uashingtonin në axhendën e qeverisë së re
Partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka fituar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me 90% të votave të numëruara, kjo parti, emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje”, ka marrë 50.8% të votave, çka i siguron liderit të saj, Albin Kurti, një mandat të tretë në pushtet.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e qendrës së djathtë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë marrë përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet edhe në muajin shkurt, por pa arritur shumicën, dhe Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale që nga ajo kohë.
Kjo bllokadë ngriti një pyetje të madhe mbi këto zgjedhje të dyta parlamentare brenda vitit: a do ta ndëshkonin votuesit Kurtin për muajt e gjatë të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, apo partitë opozitare që refuzuan të merrnin parasysh një koalicion me lëvizjen e tij të majtë?
Elektorati ka dhënë një përgjigje të qartë. Edhe pse rezultati nuk mjafton për t’i siguruar Kurtit qeverisje pa partnerë koalicioni, ai nuk pritet ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje te deputetët e partive të pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 vendet në Kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përbën një rehabilitim politik pas bllokimit nga partitë opozitare të përpjekjeve të Kurtit për të formuar qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kurti e quajti këtë “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe tha se pret që opozita këtë herë të bashkëpunojë, e jo të pengojë proceset.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e renditur e treta, sinjalizoi se kjo mund të jetë e mundur. “Kur flasin votuesit, rezultati nuk mund të injorohet,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm,” shtoi ai.
Në lojë janë shumë interesa. Kosova ka humbur qindra miliona euro fonde nga Bashkimi Evropian për shkak të mungesës së një qeverie funksionale. Kurti përmendi gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, të cilat do ta çonin shumën totale në mbi 1 miliard euro.
Rregullimi i marrëdhënieve me mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës, BE-në dhe SHBA-në, pritet gjithashtu të jetë në axhendë. Kurti ka zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin duke ndërmarrë vazhdimisht veprime ndaj institucioneve që u shërbejnë pakicës serbe në Kosovë – nga zyrat postare deri te institucionet shëndetësore – duke rritur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe.
BE-ja ka rënë dakord më në fund të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, por pritet të kërkojë nga Kurti një qasje më pragmatike ndaj dialogut të ngecur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vend të vijës së tij zakonisht dogmatike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kjo mund të mbetet një shpresë e kotë.
Fakti që votuesit e Kosovës kanë mbështetur fuqishëm një figurë kaq polarizuese pasqyron pakënaqësinë e tyre ndaj alternativave. Partitë e lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dominuan qeverisjen në dekadën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në vitin 2008, por nuk arritën të përmbushin premtimet për prosperitet.
Një analist, Artan Muhaxhiri, vuri në dukje “shkeljet e panumërta të kushtetutës nga Vetëvendosje, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe prishjen e marrëdhënieve me aleatët” gjatë viteve të saj në pushtet.
Megjithatë, ai përfundoi se “pavarësisht të gjitha mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën më të dëmshme”.
Kosova
Përfundon numërimi i votave për subjektet politike, nis numërimi për kandidatët në 38 Qendra Komunale
Të dielën në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt.
Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit.
Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,557 vendvotime të rregullta, ka mundësuar:
– votimin me kusht në 38 qendra votimi me 57 vendvotime;
– votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile votuesit me nevoja të veçanta dhe
– votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860.
Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania16 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania16 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania17 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK15 hours agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Kosova17 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
-
Bota16 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
