Një ekzekutim barbar me dhjetëra plumba tronditi kryeqendrën e veriut mbrëmjen e 4 janarit ku u vra i riu Ramazan Mataj.
Për ngjarjen u arrestuan 2 vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj të cilët në gjykatë deklaruan se krimin e kishin kryer për të mbrojtur nderin e motrës, të cilës sipas tyre viktima i kishte prishur 2 martesa.
Në fshatin Dragoç, Rustem Hasaj babai i dy djemve të arrestuar, e quajti ngjarjen si një “bombë’ që ka rënë në shtëpinë e tij ndërsa zbuloi se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe që prej vrasjes, është ngujuar në shtëpinë e tij.
“Unë jam Rustem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit. Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur. Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur. Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”- u shpreh Rustem Hasaj.
Ndërsa rrëfeu mes të tjerash se me të atin e viktimës kishin qenë shokë klase dhe miq prej kohësh.
“E kam njohur, e kam pasur shoqëri, kam qenë 8 vjet në një klasë me të dhe s’kemi pasur mosmarrëveshje kurrë me të dhe as me fisin e tij. As me një në katund. Kështu që kjo më ka rënë si bombë në shtëpinë time” shtoi ai.
Në sallën e gjyqit ku u la në burg autori Arjon Hasaj dhe bashkëpunëtori i tij vëllai Klisman Hasaj, këta të fundit deklaruan se viktima zotëronte foto intime të motrës së tyre të cilat ua kishte dërguar dy ish-bashkëshortëve të saj.