Konflikti i interesit në vendimin e Edi Ramës për të shpallur investitor strategjik kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump i cili projekton për të ndërtuar një resort luksoz në Sazan, ka marrë vëmendjen e mediave amerikane.
Gazeta New York Times, e cila edhe më parë ka hedhur dyshime për këtë projekt, thotë se ajo është një nga disa marrëveshjet që anëtarët e familjes së presidentit të sapozgjedhur Donald Trump kanë me vendet e huaja. Por, thekson gazeta, këto vende kanë çështje politike të hapura me Shtetet e Bashkuara.
“Projekti është një nga disa të tillë që përfshin Trump dhe familjen e tij të gjerë drejtpërdrejt me institucione qeveritare të huaja. Ato do të ecin përpara edhe kur Trump do të jetë në krye të politikës së jashtme dhe do të marrë vendime edhe për këto shtete”.
Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i dha zotit Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh në ishullin e Sazanit.
New York Times thotë se ka tentuar të kontaktojë me Kushner dhe qeverinë shqiptare, por nuk kanë marrë asnjë koment.
Por të pyetur më parë për këtë projekt, të dy kanë thënë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo ndonjë përpjekje për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.
“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri, na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i kryeministrit vitin e kaluar në një deklaratë për New York Times, kur u pyet për projektet.
Affinity Partners, kompani private e Kushner me kapital të mbështetur me rreth 4.6 miliardë dollarë, kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të pasurisë sovrane të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin e Shqipërisë së bashku me Asher Abehsera, një sipërmarrës i pasurive të paluajtshme që Kushner iu bashkua më parë për të ndërtuar projekte në Brooklyn, NY.
“Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi, do të punojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar vendin ku do të ndërtohet hoteli nga çdo municion që mund të ndodhet aty dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet të zgjidhet përpara se të nisë projekti”, shkruan gazeta amerikane.
Dokumenti, i datës 30 dhjetor, vë në dukje se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin”, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.
Firma e Kushner ka thënë se plani është të ndërtojë një “komunitet eko- resort” me pesë yje në ishull duke e kthyer një “ish-bazë ushtarake në një destinacion të gjallë ndërkombëtar për mikpritjen dhe mirëqenien”.
Ivanka Trump, vajza e Trump, ka thënë se po ndihmon me projektin. “Ne do ta zbatojmë atë,” tha ajo për projektin, gjatë një podcast vitin e kaluar.
Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshjet e mëdha të pasurive të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera që përfshijnë qeveri të huaja.
Kompania mori miratimin paraprak vitin e kaluar për të ndërtuar një kompleks hoteli luksoz në Beograd, në ndërtesën e ish ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka mbetur bosh për dekada pasi u bombardua nga NATO në 1999 gjatë një lufte atje.
Serbia dhe Shqipëria kanë çështje të politikës së jashtme në pritje me Shtetet e Bashkuara, pasi të dyja vendet kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e tyre të ngecura prej kohësh për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe zyrtarët në Uashington po përpiqen të bindin Serbinë që të forcojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara në vend të Rusisë.
NYT/ Përgatiti Lapsi.al