Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu në një intervistë për agjencinë boshnjake Fena, të transmetuar nga Koha.net, ka kërkuar nga qeveritë e rajonit masa sistematike ndaj situatës dramatike me ndotjen e ajrit.
Sipas saj, kjo nënkupton refuzimin apo largimin e pajisjeve vjetra teknologjike dhe në të njëjtën kohë vendosjen e sensorëve për matjen e cilësisë së ajrit. Bregu, gjithashtu ka thënë se duhet shmangur përdorimi i lëndëve djegëse të lira për ngrohje dhe të cilat e dëmtojnë shëndetin e njerëzve.
“Shtrenjtë, por domosdoshmërisht nëse duam të ndryshojmë diçka. Nuk jam unë që ofroj zgjidhje, e as nuk e kam të gatshme atë. Por, ajo në të cilën jam e sigurt është se ky nivel i ndotjes së ajrit përbën kërcënim për jetën tonë.
Statistikat e ditëve të fundit e kanë nxjerrë Prishtinën, Beogradin, Shkupin e Sarajevën ndër vendet më të ndotura në botë.
Në qytetin e Tuzllës në Bosnje e Hercegovinë, qytetarët prej dy ditësh po protestojnë kundër ndotjes duke kërkuar nga autoritetet komunale, masa për uljen e nivelit të ndotjes.