Autoritetet franceze kanë lëshuar një urdhër të ri arresti për ish-presidentin sirian, Bashar al-Assad, në lidhje me akuza për bashkëpunim në krime lufte.
Dy gjykatës francezë kanë nxjerrë këtë urdhër pas një hetimi që ka zbuluar se Assad dyshohet të ketë qenë përgjegjës për një bombardim në qytetin sirian Deraa në vitin 2017, që shkaktoi vdekjen e Salah Abou Nabout, një shtetas franko-sirian dhe ish-mësues francez.
Viktima, 59 vjeç, u vra më 7 qershor 2017, kur shtëpia e tij u bombardua nga helikopterët e ushtrisë siriane. Gjykata franceze ka deklaruar se Assad kishte urdhëruar dhe siguruar mjetet për realizimin e sulmit.
Ky është urdhri i dytë i lëshuar nga autoritetet franceze për ish-liderin sirian. Urdhri i parë u dha në vitin 2023 për përfshirjen e tij në sulmet me armë kimike në vitin 2013, ku humbën jetën mbi 1000 persona.
Omar Abou Nabout, djali i Salah Abou Nabout, ka shprehur shpresën se do të ketë një proces gjyqësor ku ata që kanë kryer këto krime do të arrestohen dhe gjykohen kudo që ndodhen. Ai theksoi se kjo çështje është kulmi i një lufte të gjatë për drejtësi për familjen e tij.