Duke theksuar mbështetjen ndaj drejtësisë, kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili u arrestua dje me urdhër të SPAK.
Rama tha në rubrikën “Sy m’sy” se do “thyejë traditën” dhe opinionet e tij nuk do i mbajë më për vete. Kreu i qeverisë e quajti të padrejtë arrestimin e “kokës së kryeqytetit” siç e quajti ai, pa gjyq.
“U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër e blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, u përdezën nga era e mishit me gjak që të vijnë këtu të kërkojnë dorëheqjen time se u bë deti kos tani. Këtu janë punët e tyre dhe s’kanë lidhje me punën time.Marrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë, është një ngjarje e madhe. Lajmi që kam për ju sot është se nuk do ti mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme për ti ndarë me publikun. Drejtësia e re ka hyrë tani në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm. Mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj. Por nuk ka pse të mos i shprehim dhe opinionet kritike që janë të domosdoshme”-u shpreh Rama ndër të tjera.
Fjala e plotë e kryeministrit Rama:
Atëherë edhe njëherë një lajm shumë i mirë sot në mëngjes, interesant për faktin edhe të momentit ku jemi sepse raporti i Transparency International, i cili ka dalë sot, – “e vonove pak”, – po nuk e vonova more i dashur.
Po ndërkohë po iu thoja që Transparency International ka nxjerr raportin e vet vjetor ku Shqipëria ka një pozicion me 5 pikë plus ka përparimin më të madh nga gjithë vendet e tjera dhe bashkë me Kosovën janë të dyja vendet që kanë përparim. Ndërkohë që vendet e tjera në rajon janë me rënie dhe Mali i Zi ishte aty ku ishte vjet dhe sot në raportin për korrupsionin të Transparency International që është një raport global Shqipëria ka pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Pra “çuditërisht” edhe Transparency International vlerëson luftën që po bën Shqipëria kundër korrupsionit, përparimin në betejën me korrupsionin dhe hapat që po hidhen në këtë drejtim. Hapa, të cilat tregojnë se tanimë jemi në një fazë tërësisht të re dhe se e gjithë kjo, “bla, bla, bla, kua, kua, kuaja”, “korrupsion, korrupsion, korrupsion, korrupsion” është shumë më tepër një tam-tam propagandistik për arsyet që dihen sesa një jehonë e një realiteti konkret.
Para Transparency International patëm raportin e SIGMA-s. Tani këtyre do t’u referohemi se këta janë ata që punojnë me fakte, që punojnë me të dhëna dhe që nuk kanë axhenda politike, nuk kanë luftëra të brendshme këtu për të bërë dhe nuk kanë ambicie për të marrë vota.
SIGMA na nxori të parët në rajon për Prokurimet Publike, ca do të thotë kjo? Prokurimet më pak të afektuara nga korrupsioni në të gjithë rajonin tonë janë prokurimet që bëhen në Republikën e Shqipërisë dhe me diferencë nga vendi i dytë, Shqipëria. Të parët në menaxhimin e financave publike, të parët në organizimin dhe zhvillimin e administratës publike dhe kështu me radhë. Dhe lufta kundër korrupsionit është një luftë e cila bëhet frontalisht dhe ku çdo segment bën punën e vet. Në këtë luftë kundër korrupsionit Shqipëria ka transformuar tërësisht shërbimet e veta dhe sot falë kësaj lufte kundër korrupsionit çdo qytetar shqiptar, qoftë në Shqipëri, qoftë në Australi është në gjendje të marrë shërbim përmes kompjuterit apo telefonit pa qenë i detyruar që të niset për te sporteli, të mbajë radhë, të presë sa ti vijë radha, pastaj të nder veprojë me një person aty dhe pastaj të jetë në rrezikun e kërkimit të ndonjë bakshishi.
47 milion kontakte me një shërbim të kërkuar apo të dhënë janë zhvilluar në këto vite, falë platformës e-Albania që janë 47 milion kontakte direkt të eliminuara, kohë e humbur e shpëtuar, radha të shmangura, rrezik bakshishi i eliminuar. Kjo është sot e rëndësishme dhe qëlloi që filloi pikërisht me këtë edhe ky bashkëbisedim. Tani vijmë te kua, kua, kua-të sepse kemi pasur dje një zhvillim interesant besoj unë, i cili meriton patjetër të komentohet dhe meriton të komentohet nga një fakt shumë interesant, sepse Trumpistët e vetëshpallur të kënetës sonë opozitare kanë pasur dje një ditë “masturbimi kolektiv” tamam si ato adoleshentet që bëjnë dashuri me foton e një aktoreje filmash atje lart në mur, shpallën një fitore dje, sepse sollën me kushedi se sa lek, një konsulent që paska punuar edhe me presidentin Trump. Tani konsulentët atë punë kanë dhe të them të drejtën unë jam vetëm i lumtur për çdo të huaj që viziton Shqipërinë, se aty ku të tjerët numërojnë konsulentë, unë numëroj turistë. Luli për shembull kishte më shumë se një konsulent, e kishte partinë shumë më në formë dhe arriti një rezultat që këta do ta shohin me dylbi në 11 maj. Sepse nuk ka konsulent që e bën dot kënetën të duket si det, apo bufin e kënetës të ulet si kalë me fletë, nuk ka konsulentë, madje unë them që ka më shumë shanse që Kavaja të fitojë Champions League duke marrë konsulent Carlo Ancelotti-n sesa bufi plak i kënetës të fitojë gjësendi përveç se disfatës së 11 majit se mori një konsulent që më parë ka punuar për Donald Trump.
Tani vërtet interesante nga dita e djeshme, sidoqoftë nuk ishte edhe aq shumë euforia e kua, kua, kua-ve të kënetës që kaluan nga një pensioniste si Doris Pack te një punëtor i Donald Trump. Edhe pse e mira e Doris u del në krah për dashuri, jo për lek. Ajo që ishte vërtet interesante ishte se si u ekzaltuan nga arrestimi i Erionit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe si u turrëm për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i partisë së bufit të kënetës dhe mangallët e “partiçkave” që ua kam thënë të re kanë vetëm moshën e pronarëve të tyre, asgjë tjetër nuk kanë. U përndezën nga era e mishit me gjak dhe kanë vënë shishet këtu poshtë si dikur në radhën e qumështit, që të vijnë e të kërkojnë dorëheqjen time sonte njëri, nesër tjetri se u bë deti kos tani dhe o burra të hidhemi tek kryeministria.
Nejse, këto janë punët e tyre që nuk kanë lidhje me punën time, nuk kanë lidhje me punën tonë. Natyrisht që marrja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, jo një here, por tre herë, por po marrim aktualisht, – është një ngjarje tejet e madhe, të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjecare “Nuk kam koment, nuk kam koment” dhe lajmi që kam për ju sot është se unë nuk do të mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do të bëjë punën e saj, siç e ka bërë deri më tani.
Sot, opinioni im është ky. Drejtësia e re ka hyrë tanimë në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj, e pa lëkundur, por ama nuk ka më pse dhe të mos i shprehim opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur si drejtësi, jo thjesht e pavarur të hetojë dhe të godasë majtas dhe djathtas kë konsideron të arsyeshme, por dhe si një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike europiane. Aq më tepër ku në këtë mexhelisin tonë u bë 5 vjet që flasin të tërë, mbarë e mbrapsht për këdo, për çdo individ që bën atë parakalimin atje, para kamerave të lajmëruara përpara për spektaklin tek stacioni i trenit dhe vetëm ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, garante e reformës në drejtësi, forca që qeveris vendin heshtim, heshtim, heshtim.
Heshtja jonë patjetër që, besoj unë të paktën, i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë deri këtu ku është e qartë sot, se ajo që u mungon është kritika konstruktive, është nxjerrja në pah e të metave apo e prirjeve të gabuara sepse institucionet e reja të drejtësisë sot përballen ose me hosananë e një pjese të konsiderueshme të publikut, që mezi ka pritur ditën që të shikojë, më në fund, njerëz të lidhur me pushtetin politik që të përgjigjen përpara drejtësisë ose sulmet barbare, denigruese, destruktive të asaj pjese të opinionit, të udhëhequr nga armiqtë e reformës në drejtësi, nga bufi stërplak i kënetës dhe nga gjithë kuak-kuak-kuak që i mbajnë ison ndërkohë që pozicioni konstruktiv është bosh, pozicioni i kritikës konstruktive është bosh.
Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar, jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi apo nga komentatorët e shumtë që na duan të vdekur dhe në çdo mbrëmje dalin në të gjithë ato frëngjitë të ekzaltuar me thikë në gojë në kërkim të presë, por është keqkuptuar, më duket mua, dhe nga disa konsumatorë të reformës, të cilët përkundër privilegjeve shumë speciale që u janë dhënë nga reforma sepse të mos harrojmë që aktorët e sistemit të ri të drejtësisë, duke filluar nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale, sot kanë privilegje të jashtëzakonshme, në raport me të gjithë të tjerët.
Flitet për pagat e deputetëve, por pagat e deputetëve nuk krahasohen me pagat e tyre, për shembull. Pra, këta konsumatorë, disa konsumatorë duhet tua kursejnë shtetit dhe shoqërisë çorbën e derrit në menunë e drejtësisë.
Natyrisht që nuk ka asnjë makineri institucionale që të jetë perfekte, nuk ka absolutisht asnjë organizatë, organizim, institucion, kompani që të mos ketë probleme dhe nuk ka sesi të mos ketë probleme në këtë fazë, në këto institucione në funksionimin e tyre, në raportet e tyre me standardet aq më tepër kur janë institucione fare të reja.
Por, prej te gjithë atyre ama, pikërisht se janë më të privilegjuarit dhe më të mbështeturit në të gjitha kuptimet sepse po të flitet këtu për fonde, jo Sorros, por në fakt fondet që i janë dhënë këtyre institucioneve në masën 99% të tyre janë fonde të taksapaguesve shqiptarë dhe patjetër që prej tyre pritet, pa përjashtim, nga të gjithë, prokurorë e gjykatës, një drejtësi gjithmonë e më europiane në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk pritet asgjë më pak.
Prandaj, besoj unë, ndarja me komunitetin nga sistemi i drejtësisë dhe njëkohësisht me publikun hapur, në mënyrë transparente e opinioneve kritike është gjëja më e dobishme që tani mund të bëjmë ne në këtë fazë të re për të mos lejuar që në emër të qëllimit tonë madhor të pavarësisë së drejtësisë nga pushteti politik, individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës së prokurorit apo të gjykatësit, duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve kushtetues siç është, për shembull, rasti tejet flagrant që është aktiv sot që flasim, prej vitesh tanimë, i marrjes peng të projektit për portin turistik të Sarandës.
Nuk e di a e keni të gjithë parasysh projektin e portit turistik të Sarandës, është program i qeverisë, jemi votuar duke u zotuar që do t’i bëjmë Shqipërisë portet e reja turistike sepse Shqipëria prej shumë vitesh është e vetmja zonë që është si vrimë e zezë në gjithë Mesdheun në raport me turizmin e detit dhe pikërisht sepse nuk ka pasur infrastrukturën e nevojshme dhe një nga pikat ku kemi marrë zotimin është porti turistik në Sarandë, aty ku ndodhet një pseudo-bazë ushtarake ku ka vetëm hekurishte dhe nuk ka asgjë. Është marrë peng prej vitesh, një investim rreth 250 milionë euro, një marrëveshje e bërë me të drejtën e vet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, pushteti ekzekutiv, pushteti i pavarur ekzekutiv për arsyen e mosarsyes së një prokurori, prokuroreje nuk e di, as nuk e njoh as nuk më intereson personalisht që thotë “Jo”. Ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk është e vetmja kjo ndërhyrje.
Jo vetëm duke mos shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve kushtetues sepse është një absurditet që të çohet një gjykatës atje dhe na tregon se çfarë është siguria kombëtare, çfarë është ushtria e kështu me radhë.
Ndërkohë që, ne jemi votuar, kemi marrë mandat nga populli për të ushtruar pushtetin ekzekutiv. Ata kanë mandat nga Kushtetuta dhe nga ligji për të ushtruar kontrollin mbi pushtetin ekzekutiv jo duke ju mbivendosur institucioneve të tjera, jo duke bërë audit, jo duke bërë punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo duke bërë punën e Gjykatës Administrative, jo duke bërë punën e Institutit të Pavarur të Deklarimit të Pasurive e kështu me radhë e as duke shkelur kufijtë kushtetues që garantojnë liritë dhe të drejtat e individit në këtë vend ku prezumimi i pafajësisë, prezumimi i pafajësisë nuk është një fjalë goje që shkruhet në fund të një akt-akuze aty për të larë gojën pas telenovelash linçimi publik.
me lënde të parë atje nga stacioni i trenit. Fenomene të tilla nuk mund të lihen më pa u diskutuar dhe pa u ndarë me publikun. Në asnjë mënyrë me ngut, kurrsesi kurrë me mjetet e ulëta të armiqve të reformës në drejtësi. Asnjëherë duke shënjestruar me akuza personale individë të veçantë, siç fatkeqësisht ka ndodhur vijimësisht me drejtuesin e SPAK-ut, i cili është në shënjestër dhe përditë e përditë e përditë është i goditur familjarisht me libër shtëpie siç dinë të bëjnë vetëm bufi i kënetës dhe kuak-kuak-kua-të dhe ka gjithë solidaritetin dhe mbështetjen tonë për të kryer detyrën.
Ne do ta bëjmë këtë proces me maturi, me argumente, me prova konkrete për çka sipas nesh nuk shkon sepse e përsëris, në këtë proces pas 5 vitesh këto institucione kanë krijuar një vetëbesim të plotë më duket mua dhe kanë jetuar në mungesë të një pozicioni konstruktiv kritik. Sepse kanë pasur, thashë, ose hosanatë “të gjithë hajdutë të gjithë në burg, jepini, bjerini sakatojini” që është një çmenduri ose kanë pasur nga ana tjetër të gjitha gjylet e baltës përditë e përditë nga armiqtë e reformës në drejtësi.
Tani për ta mbyllur këtë pjesë, duhet ta dini që rastin e Erionit unë e kam ndjekur. E kam ndjekur për një sërë arsyesh që do duan kohën e tyre për tu shpjeguar, ku ajo që më ka shqetësuar shumë seriozisht dhe më ka nxitur që të bëhem shumë i vëmendshëm në ndjekjen e këtij rasti, ka qenë intimidimi, e dëgjuat mirë, intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit dhe të kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës. Por nuk dua të hyj në detaje këtu se ne nuk duhet të ngutemi. Do mundohemi të krijojmë një opinion të konsoliduar për akt akuzën për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqi kokën nga shpatullat baskisë së Tiranës duke e lënë praktikisht pa drejtim një kryeqytet me 1001 punë në ditë, pa gjyq. Pa gjyq! Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh, shumë të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh. Novelë anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh afërisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurori dhe gjykatësi paraprak bashkë kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim. Pyetja që lind është fare e thjeshtë, jo vetëm kush e çon dhe e merr këtë fëmijë nga shkolla, por edhe kush dhe si i jep këtij fëmije për të ngrenë dhe kështu me radhë. Teoria po mirë se s’ka problem, kanë njerëz e kështu është një teori e gjitha për tu diskutuar, por nuk dua të zgjatem këtu. Por vetëm ky fakt, se kemi patur raste të tjera kur me të drejtë një nëne me fëmije nuk i ishte privuar liria ndërkohë që ndiqet në gjendje të lirë dhe jo me fëmije 6 vjeç. Kemi pasur dhe raste të tjera që për 1001 arsye janë trajtuar ndryshe. Pra mungesa e këtij uniformiteti dhe fakti që merren, trajtohen si kriminelët e kriminelëve kryetari i bashkisë dhe e shoqja dhe fëmija 6 vjeç në mes është e një peshe të atillë që nuk duhet folur asnjë fjalë më shumë sot pa kuptuar më parë se cilat janë krimet. Cilat janë krimet që pretendohen se janë zbuluar, për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie, pa gjyq. Pa gjyq! Dhe këtu flas për krimet e provuara, nuk flas për krimet e promovuara nëpër media, nëpër rrugë nga gojët më të ndyra të mexhlisit tonë, nga kuak-kuak-kuak-të dhe nga bufi stërplak i kënetës se për ato krime unë duhet të isha varur tek sheshi Skënderbej me këmbët lartë, me kokën poshtë por ato nuk besoj se janë për tu marrë seriozisht. Ky ishte qëndrimi im i përgjithshëm për këtë çështje dhe patjetër që kemi kohë që gjërat t’i diskutojmë dhe t’i flasim ashtu si duhet duke u bazuar tek faktet.
‘Bëhu si burrë, jep dorëheqjen”. Po për çfarë arsyes për shembull sipas teje dhe nuk po flas sipas atyre të tjerëve që dorëheqjen time e kanë kërkuar që përpara se unë të bëhesha burrë. Po për çfarë arsye për shembull se është shumë interesant kjo punë. “Bëhu si burrë, jep dorëheqjen”. Për cilën arsye? Nuk dua ta diskutoj më sot çështjen. Për atë çështje do të merremi me shumë seriozitet, me shume maturi dhe do të ndërtojmë një pozicion shumë konstruktiv publik, të hapur. Sepse e thashë që kjo është e domosdoshme. Sepse thotë e ke gjysmën e qeverisë në burg. Po si e kam? E para punës një herë që gjysmën apo të gjithën kjo është një çështje që në të gjitha rastet ka një zanafillë por hiri së të vërtetës e do të thuhet që nëse i referohemi fakteve dhe nëse shohim historikun e gjithë kësaj periudhe, e para qysh nga viti 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe Shqipëri u bë shtet, nuk ka pasur deri kur reforma në drejtësi filloi të japë efektet e veta asnjë anëtar qeverie të asnjë regjimi, të asnjë force pas rënies së regjimeve që të jetë gjykuar, lëre pastaj dënuar, por as hetuar nga një drejtësi e pavarur. Asnjë. Tani si ndodhi se duhet thënë si ndodhi? Se ra nga qielli kjo. Altin Dumani për shembull që është drejtues i SPAK e ka patur “21 janarin” në tavolinë dhe më parë kur ka qenë në një prokurori të zakonshme. Ka qenë prokuror i “21 janarit”. Ka pasur mundësi ta luftojë ta korrupsionin dhe atëherë. Dini gjë ju që të ketë bërë luftë kundër korrupsionit, që t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani? Jo. Pse? Sepse ka qenë e pamundur, jo për të, por për të gjithë. Sepse drejtësia ka qenë e kapur. Sot drejtësia doni ju, s’doni ju, duan s’duan ata që bëjnë kuak-kuak dhe ata të tjerët që iu shkojnë nga mbrapa me profile fallco apo me verbërinë e fanatikut që lahet në kënetë dhe kujton se po lahet në det, drejtësinë e ka çliruar nga kontrolli i pushtetit politik forca politike që unë kam privilegjin të udhëheq dhe e ka çliruar për ekzaktësisht gjërat që kam thënë dhe kemi thënë. Për të bërë luftë pa kompromis majtas dhe djathtas. Tani ne jemi në pushtet prej 12 vitesh. Ju thoni gjysma, disa thonë gjysma e qeverisë. Cila gjysmë e qeverisë. Sepse këtu çfarë bëni, llogarisni dikë që ka qenë në qeverinë e parë? Qoftë i partisë sonë, qoftë i koalicionit, por më tregoni një anëtar të kabinetit qeveritar që nuk ka qenë i larguar dhe që është marrë dhe është trajtuar nga drejtësia për arsyet e veta, nuk kam asnjë koment për këtë ende. Më tregoni. Unë kam pasur rreth 60 ministra. Nuk bëhen as 6 ish-ministra që kanë pasur apo kanë probleme me drejtësinë. Çfarë do të thotë kjo? Do të ishte më mirë që të mos ishte asnjëri? Do të ishte më mirë që të kishim të njëjtin sistem si më parë që të bënim sikur luftonim korrupsionin dhe të mos ja shihnim derën, jo të negociatave, po as të shpresës për negociata me Bashkimin Europian. Do ishte më mirë kjo? E kuptoni se çfarë flisni, apo jo? mund të jeni kundër qeverisë, mund të jeni kundër meje, mund të doni dikë tjetër e të tjerë, por arsyeja pse nuk fitoni dhe nuk keni për të fituar, është se nuk dini të ndani atë që është e Çezarit me atë që është e Zotit. Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit, jepi Zotit atë që i takon Zotit.
Se në fund të fundit, kjo nuk është betejë futbollistike, ku luajnë lojtarët, fitojnë lojtarët, humbin lojtarët, paguajnë lojtarët, bëjnë kontrata lojtarët dhe tifozët paguajnë për t’u argëtuar, por në fund ikin në shtëpi. Kjo është betejë për Shqipërinë, për vendin e përbashkët. Dhe interesi i gjërave që bëhen është i të gjithëve, se bëhen për të gjithë nuk bëhen për një pjesë. Gjithë veprat publike, gjithë reformat, shërbimet publike online, nuk bëhen për një palë, bëhen për të gjithë, nga ato përfitojnë të gjithë, po çfarë flisni, cilën dorëheqje kërkoni? Të kujt? Timen?! Po për çfarë arsye? Apo pse e kemi sjellë Shqipërinë në pozicione që nuk ka qenë kurrë më parë?! Apo pse në 2030 do ta ngjisim në majën ku i takon dhe ku e kanë aspiruar të gjithë paraardhësit, dhe paraardhësit e paraardhësve dhe paraardhësit e paraardhësve të paraardhësve tanë. Kush do të qeverisë, bujrum: Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe Muço kapedani. Ndërkohë që beteja jonë, është betejë reale, serioze, është betejë me historinë, nuk kemi ne lidhje fare. Unë personalisht njëherë po e po, e kam thënë, nuk kam lidhje fare me këto muhabete. Unë llogaritë i kam me historinë dhe unë për këtë rri këtu. Nuk kam asnjë arsye tjetër që të rri këtu.
Ndërkohë vazhdon këtu një lloj zulme e gjithfarëllojshme, po i jap disa përgjigje të shpejta se sot u zgjatëm më shumë siç në fakt, duhej të ndodhte sepse situata ka qenë e tillë dhe nevoja për të dhënë përgjigje është normale.
Dëgjo Nikolin, mua më është thënë çdo gjë. Unë nuk jam këtu për të provuar asgjë në raport me çfarë ‘kua-kua-kuajnë’ dhe ‘kuou-kuou-kuojnë’ ata që më janë qepur që kur unë kam hyrë në politikë. Në janar, kam dhënë një prononcim të gjatë. Referojuni atij. Unë nuk jam këtu për të provuar sa të vërteta janë maskarallëqet dhe mizerabilitetet që më janë thënë. I kam marrë përsipër vetëm për një arsye, për ta bërë më të mirë këtë vend dhe për të lënë pas një gjurmë ku të tjerët të lënë gjurmë të tjera. Vetëm për këtë. Sa për patronazhistët Nikolin, ti dhe cilido tjetër që i merr nëpwr gojë, iu merr të keqen patronazhistëve sepse me patronazhistët nuk përballemi dot dhe që ta mësosh me këtë rast, nëse do ta mësosh, nëse s’do ta mësosh vazhdo se s’ka asnjë problem. Je në të drejtën tënde të mbetesh i paditur. Në të gjithë botën e qytetëruar demokratike, patronazhistët janë pjesë e sistemit elektoral të partisë. Trokitje derë më derë, pyetje e njerëzve që hapin derën, mbajtje shënimesh për prirjen e njerëzve, krijim raportesh, rikthim e të tjerë. Është botërore kjo të të gjitha partitë që fitojnë zgjedhje dhe që dinë të fitojnë zgjedhje. Kështu që patronazhistëve, iu merr të keqen dhe sa për “padrinon” po të them që unë raportin me të gjithë llumin dhe baltën nuk e kam fare me personat, as me ty. Ti je thjesht një viktimë e llumit dhe e baltës. Se kam fare, hiç. Më vinte shumë keq dikur, tani nuk më bën asnjë përshtypje, sepse kam kuptuar që nuk luftohet me qorrin që s’do sy, me shurdhin që s’do veshë, nuk luftohet me murin kur muri nuk do të të lërë të vazhdosh rrugën, por kapërcehet dhe vazhdon rrugën.
-Zoti kryeministër, a jeni të sigurt që SPAK-u po punon mirë? Ai që s’po ia përmend unë emrin, se ky e shkruan me emër, bufi, gëzon dhe flet përçart në parlament, gëzon dhe flet përçart në parlament, i ka duart me gjak shqiptari. Erion Veliaj është në burg, kush ka faj le të paguajë, por ka faje dhe faje. SPAK-u duhet të merret me këtë që jep milionat në fushatë, deklarohet pensionist e të tjerë.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo miku im. Unë kam shumë respekt për punën e SPAK-ut dhe e kam mbështetur dhe do ta mbështes. Natyrisht, edhe në punën e SPAK-ut ka siç e thashë, probleme që nuk shkojnë, dhe për këtë arsye, unë sot e kam ndarë dhe po e rindaj me ju, e konsideroj të mbyllur fazën e 5 vjetëve ‘no comment’. Ne do të ndërtojmë një pozicion konstruktiv. Do të bëjmë sa më shumë që të jemi në gjendje, një kritikë konstruktive për gjërat që nuk qëndrojnë, por duke e mbështetur pa asnjë rezervë luftën për drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo nuk diskutohet.
-Nuk dua të “komentoj” arrestimin e Erion Veliajt, por dua të pyes si numri një i PS-së, zoti Kryeministër a mund të më thon, .duket si skenar i ngjashëm i PD-së drejt shkatërrimit.
Kryeministri Edi Rama: Miku im, Partia Socialiste, shikoni këtu, është buja, është zhurma, është risia e madhe e të pasurit të një sistemi drejtësie që godet persona publikë me lidhje politike, me fuqi politike, që krijon idenë sikur këtu të tërë po kalojnë në atë sitë, sepse të tërë janë njësoj. Jo zotëri. Të tërë nuk janë njësoj. Unë që jam këtu, mund të jem në shumë gjëra i diskutueshëm, i kritikueshëm, por njësoj me këta të tjerët nuk jam. Në asnjë aspekt. Fare! Zero! Zero, dhe Partinë Socialiste, nuk duhet t’ia qajë hallin askush sepse është njësoj si t’ia qash hallin kalorësit që po i varen këmbët.
Partia Socialiste është 800 mijë. Në 11 maj do t’i afrohet 1 milionëve. Do t’i afrohet, pra do të jetë më afër 1 milionëve sesa 800 mijëve dhe Partia Socialiste, ka forca të pafundme. Natyrisht që, e përsëris ka qenë vullneti dhe është vullneti i Partisë Socialiste kjo që po ndodh. Kuptojeni. Është vullneti i Partisë Socialiste kjo që po ndodh. Amerika, Amerika, amerika! Cila Amerikë? Amerika na ka mbështetur, Europa na ka mbështetur. Amerika mund të ndryshojë qasje, është komplet e kuptueshme në të drejtën e vetë. Këtu qasja nuk ndryshon, këtu qasja nuk ndryshon. Lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë, pa kompromis, majtas dhe djathtas, kjo është e ndarë por ama kundër korrupsionit dhe ai prezumimi i pafajësisë nuk mund të jetë një rresht aty në fund ku pasi e shqyen dikë dhe pasi e merr pa gjyq nga detyra dhe e çon e mbyll brenda dhe jo nga një detyrë dosido por nga drejtimi i kryeqytetit ku ka një mijë e një punë për të bërë çdo ditë, shkruan aty “Prezumohet i pafajshëm”. Jo. Këto gjëra janë pak si tepër, por megjithatë do t’i shikojmë me maturi dhe me qetësi.
“Si ka mundësi, ata po tallen me drejtësinë, ky po tallet me drejtësinë”.
Miku im, edhe njëherë tjetër. Shumëkush më drejtohet mua dhe më thotë “pse ti nuk bën drejtësi”. Ajo çka kam bërë unë dhe Partia Socialiste është unikale, është historike dhe dëgjoni këtu; unë e di që shumë shqipo e kanë “Vdis pa të të dua”, unë e di që nesër këto gjëra kur të filtrohen ujërat e turbullt, kur të zhduket specia e kuak-kuak-kuak dhe ku politika të marrë një përmasë tjetër dhe opozita të jetë diçka krejt tjetër nga kjo kënetë që është dhe ku njerëzit të fokusohen tek e përditshmja, kjo e sotmja që do të jetë e shkuara do të vlerësohet si një moment historik në Shqipëri, momenti i kthesës së madhe të drejtësisë dhe momenti i hapjes përfundimtare të dyerve të Bashkimit Europian. Unë i di këto, jam shumë i qartë për këto, por mirë është që sot, qysh sot kush do ta kuptojë, ta kuptojë që nuk bëj unë drejtësi more zotëri, larg qoftë të bëj unë drejtësi.
Larg qoftë të bëj unë drejtësi, larg qoftë të bëjë qeveria drejtësia, larg qoftë të bëjë partia në pushtet drejtësinë, larg qoftë të bëjnë politikanët drejtësi. Drejtësinë e bën drejtësia. Ajo që ne bëjmë dhe mund të bëjmë është reforma dhe çlirimi, pavarësimi i drejtësisë që jemi e para forcë politike në historinë e shtetit shqiptar që ka marrë guximin ta bëjë, me të gjitha kostot. Pse, nuk e kam ditur unë që do të ndodhin të gjitha këto? Por ama, unë di çfarë do të thuhet dhe çfarë do të mbetet nesër. Pa problem, këtu në lëkurë të gjitha, të gjithë thonjtë, të gjitha gërricjet, të gjitha kafshimet, të gjitha, gjaku këtu pa problem, por pastaj në fund është arena atje që vendos. Atje vendos arena sepse këtu shumëkush flet në emër të popullit, por populli është atje dhe është populli që vendos.
“Gjynah kush do t’i financojë mediat tani, portalet e Erion Veliajt”, thotë ky Kristi. Kristi ia kalon mirë në Shqipëri në fakt sepse kam parë edhe për kuriozitet këto profilet që mi sjellin, disa janë falco e disa jo por Kristi nuk është fallco. Kristi fiton mirë, publikon foto, bën jetë dhe kur vjen puna, do kënetë.
Dëgjo këtu, nuk ka, po të më thoni mua sot një media, një, në gjithë botën mediatike shqiptare që bën papagallin e qeverisë, që bën papagallin e Partisë Socialiste atëherë do t’ju thoja “Më falni se nuk e kam pasur parasysh”. Nuk ka! Këtu ka një kënetë që ka mediat e veta, një kënetë që nxjerr nga llumi para për mediat e veta dhe çuditërisht, pavarësisht se prej vitesh është ngritur problem në rrugën e drejtësisë, nuk e sheh askush këtë gjë, nuk e sheh askush.
Në akuzën që i bëhet kryetarit të bashkisë në atë romanin e madh, për shembull, flitet për shtëpinë e të vjehrrit, vite e vite më parë marrë në Qerret atje dhe akuzohet që meqë janë gjetur aty rroba të djalit tënd, fëmija i vogël që shkon tek gjyshja në plazh, është shtëpia jote dhe nuk e ke deklaruar.
Okej, mbase është, nuk e di, do ta shikojmë me prova, por ama kur shkohet deri këtu që t’i kërkohet llogari dikujt për vjehrrin e vdekur, që është posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndri nuk ka pasur asnjë lloj pushteti, është vërtetë mbresëlënës. Ndërkohë që, këtu frëngjitë nga të cilat hidhet balta me tonelata përditë hapen e mbyllen me llumin që qarkullon dhe e kthen në arë kënetën. Si i bëhet kësaj pune? Kush do ta bëjë këtë?
Prandaj, përsa i përket mediave, unë mediat në rastin më të mirë shoh që janë deri diku të balancuara në lajme, këto sallonet e politikës janë me sybet në tërësi, por nuk ka problem. Nuk ka problem sepse nuk e kam pasur kurrë të llogaritur median si aleatin në betejën në sytë e popullit. Të thonë çfarë të duan, unë personalisht nuk i shoh dhe nuk kam ndërmend t’i shoh. Marr thjesht disa raporte e buzëqesh.
Nuk kam asnjë fije të zezë në gjithë portretin tim dhe në të gjithë ato fijet e bardha ka histori të tëra këtu që janë në arkivin e një kujtese dhe një eksperience që më ndihmon të shoh, gjithmonë të shoh më larg sesa e sotmja.
“Okej, Sy më Sy duhet me dhanë dorëheqjen zotni”. Jo more Ermal, dorëheqjen ti do ta harrosh bashkë me gjithë të tjerët. Ma keni kërkue qysh kur kam hy në politikë dhe për të më larguar mua nga politika ka vetëm dy rrugë’ ose më largon zemra, në qoftëse nuk më rreth mjaftueshmërisht që të më zgjojë të parin në mëngjes dhe të mos më lërë të fle para se të bien të gjithë të tjerët të flenë dhe aty them stop ose më largon populli i Shqipërisë dhe në 11 maj, për fat të mirë, do të votojë dhe një pjesë e popullit që është jashtë. Jam shumë kurioz si do votojnë ata për të cilët thuhet që “I largova unë, i përzura unë, i dëbova unë sepse Shqipëria kështu dhe sepse Shqipëria ashtu”. I dëbova unë nga Shqipëria që sot është më e mirë seç ka qenë kurrë në historinë e vet dhe shihet me syrin më të mirë që është parë ndonjëherë në historinë e vet. ”I largova unë”, okej. Të shohim çfarë mendimi kanë ata. Në qoftë se ata do të votojnë masivisht për mua si dëbues i tyre ndërkohë që të gjitha shifrat tregojnë që largimi është konstant denbabaden për arsye që i kam shpjeguar njëmijë herë, atëherë unë do mbaj shënim.
Nuk jam unë i kapur pas pushtetit, unë jam i kapur pas punës, pas kësaj pune që e kam parë në kokë unë përpara sesa të bëja realitet pjesë të tëra të kësaj Shqipërie që sot e shohin në të gjithë botën si një destinacion por në momentin kur njerëzit do thonë “Stop”, stop, mbaroi ose do t’i them unë “Më falni, këtu po stopoj”.
“Kohën që keni kaluar në takimet me diasporën për të votuar duhet t’ia kushtoni luftës kundër korrupsionit në vend. Me fjalë e keni gëzuar shumë popullin, me vepra, korrupsioni. E mbytët fare këtë popull të shkretë”.
Për popullin e shkretë të lutem ty dhe të gjithë të tjerëve mos, ju lutem. Populli shqiptar nuk ka qenë dhe nuk është i shkretë se është një popull që të jep ujë në bisht të lugës, e para.
E dyta, lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë kurrë në këto nivele.
E treta në këtë luftë ka probleme dhe do t’i trajtojmë.
E katërta takimet e mia me diasporën i kam bërë kohë më parë, mund të bëj ndonjë më pas. Mesazhet i kam dhënë shumë të qarta, më kanë dëgjuar shqiptarët e Greqisë dhe nuk harrojnë ata dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë ka ndryshuar për ta atje, pas atij takimi që i është ngritur koka lart. Më kanë dëgjuar shqiptarët e Italisë, më kanë dëgjuar shqiptarët e Amerikës, më kanë dëgjuar shqiptarët e Europës, të Anglisë. Unë kam vetëm këtë mundësi, të them atë që mendoj, të bëj atë që mundem pastaj të tjetër gjykojnë. Kështu që me popullin e shkretë kujdes, se populli i shkretë ka 9 herë radhazi që iu thotë të kundërtën, thotë: – Rri, mos ik, vazhdo punën, ok. Është hera e dhjetë. Unë besoj se do thotë prapë rri, mos ik, vazhdo punën. E di që disa do thotë i bleu, i mori. Po bleu 800 mijë, e 900 mijë shqiptar, këtë herë do i blejmë edhe jashtë.
– “Lexoje mirë skenarin që të kanë dhënë, ca të thuash nesër”.
Këtij nuk ia di emrin se e ka shkruar dhe greqisht..
-“Se mos ngatërrohesh mek mek-mek si atëherë kur të kapën gazetar mat kur të thanë pse gjysma e pozitës po hyn në burg?”
Po cila gjysmë ora. Më kapën mat, boh..
-“Ti je përgjegjësi…. si pozita si opozita jeni mjeshtra me gënju këtë popull delikat dhe të pa shkollë”.
I merr të keqen popullit shqiptar. Shqiptari më i pa shkollë është 1000 herë më i pa gënjyeshëm sesa disa me shkollë që përpiqen ta gënjejnë, gënjejnë por nuk ia dalin dot.
“Kur i pari i vendit i ka gjithë bashkëpunëtorët në burg dhe nuk merr asnjë përgjegjësi”.
O zotëri, hapini sytë mirë, hapini sytë mirë, shikoni bëni numërimin, bëni llogaritë, bëni detyrën e shtëpisë përpara se të flisni këtu se është për të qesh kjo, është për të qesh, është shumë për të qesh, iu lutem shumë.
Shqipëria është në një luftë të pa kompromis me korrupsionin dhe do të vazhdojë sepse këtë luftë e garantoj unë dhe Partia Socialiste, askush tjetër. Doni të ktheheni mbrapa dhe të zhyteni prapë të gjithë në kënetë, atye e keni. Por kjo nuk ndodh sepse ka një shumicë që nuk harxhon shumë kohë për të bërë profile falso, për të sharë e për të akuzuar, por që është atje jashtë, jashtë mureve që punon, që lufton, që jeton përditë dhe që bën këtë ekonomi të Shqipërisë dhe nuk janë pak, janë shumë fare.
Ok këtu besoj që mbyllet kjo ditë e sotme, ma ha mendja që ka shumë gjëra për të diskutuar më pas, me siguri do të ketë edhe shtrembërime, do të ketë komente, por një gjë është e sigurt në fund. Ngjarja e djeshme është një ngjarje që do të kërkojë fokusin dhe do të kërkojë konsolidimin e një pozicioni të qartë të Partisë Socialiste duke i dhënë mbështetje të plotë drejtësisë dhe duke kërkuar nga drejtësia standarde të panegociueshme demokratike dhe njëkohësisht për të kuptuar çfarë ka bërë kryetari i bashkisë që duhet hequr nga puna dhe kujt duhet t’ia kërkojë kryeqyteti arsyen pse është lënë pa kokë, pa gjyq.
Të enjten “Sy më sy” jemi të gjithë bashkë pa asnjë diskutim edhe kush s’më do, edhe kush më shan, edhe kush më akuzon, mjafton që mos të jetë një bretkosë, një zhabë apo buf s’mund të jetë se një buf kemi në kënetë dhe mjafton që mos të ketë interesa të drejtpërdrejta. Unë mirëkuptoj të gjithë dhe ata më ekstremistët që nuk kanë interes të drejtpërdrejtë, por flasin si tifozë të verbër, “Rama ik”, “Rama ik”. Unë do të iki vetëm përpara, bashkë me Partinë Socialiste dhe sa më shumë të merreni me mua “Rama ik”, “Rama ik” ik aq më larg do më keni kur të më shihni nga mbrapa.