Elon Musk ka njoftuar se chatboti i tij me Al dhe “konkurrenti” i ChatGPT, Grok 3, është në fazat përfundimtare të zhvillimit dhe do të dalë në treg për rreth një ose dy javë.
“Grok 3 ka aftësi shumë të fuqishme arsyetimi, kështu që në testet që kemi bërë deri më tani, Grok 3 është duke tejkaluar çdo pritshmëri” tha Musk.
Bëhet e ditur se manjati miliarder i teknologjisë themeloi xAI si një konkurrent për OpenAI të mbështetur nga Microsoft dhe Google të Alphabet.
Musk gjithashtu bashkëthemeloi OpenAI, shkruan Reuters.
Në gusht, ai paditi OpenAl dhe shefin e saj, Sam Altman, duke u përpjekur ta bllokojë përpjekjen e tyre për të kaluar në një entitet fitimprurës.
Ndryshe, Musk, i cili u emërua nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për të mbikëqyrur të ashtuquajturin Departamentin e Efiçencës së Qeverisë që synon të zvogëlojë në mënyrë dramatike madhësinë e fuqisë punëtore federale, tha se shpenzimet e qeverisë mund të reduktohen me 1 trilion dollarë ose më shumë.
“Ndoshta ekonomia mund të rritet me 4 ose 5% potencialisht, për sa i përket prodhimit të mallrave dhe shërbimeve reale të dobishme, dhe shpenzimet e qeverisë mund të reduktohen me rreth 3 ose 4% të ekonomisë, rreth ndoshta një trilion dollarë ose më shumë, dhe efekti neto i kësaj do të ishte mungesa e inflacionit nga 2025 deri në 2026, kështu që do të ishte mjaft e jashtëzakonshme”, tha Musk.