Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se KFOR-i do të ketë autoritetin në hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244, pasi Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës nënshkroi me kompaninë ajrore “Lufthansa” një marrëveshje me të cilën synohet hapja e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.
Ai ka thënë se mirëpret një iniciativë të tillë, sepse sipas tij, “ky është hap i rëndësishëm që do të lehtësojë dhe shpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet e përfshirë në procesin e gjatë të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, ka thënë ai në një deklaratë për media.