Autoritetet në Turqi kanë arrestuar kryebashkiakun e Stambollit, disa ditë përpara se ai të zgjidhej si kandidat presidencial. Ekrem Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane është parë gjerësisht si një nga rivalët më të fortë politikë të liderit aktual të vendit, Recep Tayip Erdogan.
Prokurorët e akuzojnë atë për korrupsion dhe ndihmë të një grupi terrorist, duke e quajtur atë “një lider të dyshuar të një organizate kriminale”, shkruan A2 CNN. Autoritetet ndaluan 100 të dyshuar, përfshirë politikanë të tjerë, gazetarë dhe biznesmenë, si pjesë e hetimi, ndërsa Guvernatori i Stambollit vendosi 4 ditë kufizime në qytet. Imamoglu theksoi se do të vazhdojë të luftojë pasi zëri i popullit nuk mund të heshtet.
“Me keqardhje them se një grusht mendjesh që përpiqen të uzurpojnë vullnetin e popullit tonë, kanë përdorur policinë time të dashur, forcat e sigurisë së këtij vendi si mjet për këtë të keqe, dhe kanë grumbulluar qindra policë në shtëpinë time. Le ta dijë i gjithë kombi im se unë do të vazhdoj të luftoj kundër atij personi dhe mendjes së tij që e përdor të gjithë këtë proces si një aparat”, tha Imamoglu.
Arrestimi vjen si pjesë e një vale të madhe të goditjes së figurave të opozitës në Turqi në muajt e fundit. Kritikët kanë dënuar lëvizjen duke e konsideruar si të motivuar politikisht. Por presidenti Erdogan, që ka 22 vite në pushtet, dhe partia e tij kanë mohuar pretendimet me frazën që gjyqësori është i pavarur. Ndërkohë, lideri i partisë kryesore të opozitës, pjesë e së cilës është dhe kryebashkiaku Imamoglu, theksoi se arrestimi është një “përpjekje e qartë për grusht shteti”.