Albania
Pse shqiptarët janë më të palumturit në rajon dhe Kosova më e lumtura?
Shqipëria dhe Kosova flasin të njëjtën gjuhë, kanë tradita dhe histori të ngjashme, por kur bëhet fjalë për kënaqësinë për jetën janë në dy kahe të kundërta.
Të dhënat e fundit nga Raporti Botëror i Lumturisë 2025, i publikuar nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara gjetën se nga 140 shtete, Shqipëria u rendit në vendin e 89 në botë, më e palumtura në Europë duke lënë pas vetëm Turqinë, ndërsa Kosova ishte më e lumtura në rajon, me një renditje totale në vendin e 29 në botë dhe e 18-a në Europë.
Serbia renditet në vendin e 31, Bosnjë Hercegovina në vendin e 56, Mali i Zi në vendin e 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86. Indeksi reflekton cilësinë e jetës së qytetarëve në vende të ndryshme duke analizuar tregues si të ardhurat, mbështetja sociale, shëndeti, liria personale, bujaria dhe niveli i korrupsionit.
Por si shpjegohen këto diferenca në indeksin që mat kënaqësinë e njerëzve ndaj jetës së tyre, duke përfshirë sa të lumtur, të sigurt dhe të kënaqur ndihen ata në raport me kushtet në të cilat jetojnë.
Korrupsion i lartë në rajon
Një tregues që penalizon pjesën më të madhe të vendeve të rajonit është korrupsioni. Për Shqipërinë (vendi i 111), Maqedoninë e Veriut (131) dhe Bosnjë Hercegovinën (124), ky është shqetësimi kryesor, që ndikon negativisht në cilësinë e jetesës. Perceptimi më i ulët për korrupsionin në rajon është në Mal të Zi (44), Serbi (61), Kosovë (69).
Perceptimi i korrupsionit matet përmes dy pyetjeve kryesore të Anketës Botërore të Gallup-it:
– A është korrupsioni i përhapur në qeverinë e vendit tuaj?
– A është korrupsioni i përhapur në bizneset e vendit tuaj?
Shqiptarët nuk kanë mbështetjen e njëri tjetrit
Treguesi i dytë që ndikon negativisht në kënaqësinë e të jetuarit për shqiptarët është mungesa e perceptuar e mbështetjes nga miqtë. Në indeksin e mbështetjes sociale, Shqipëria renditet në vendin e 111 në botë dhe e fundit jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
Treguesi i mbështetjes sociale matet përmes pyetjes: “Nëse do t’ju ndodhte diçka e keqe, a keni ndonjë person tek i cili mund të mbështeteni?” Përqindja e të anketuarve që përgjigjen pozitivisht përdoret si tregues i mbështetjes sociale në atë vend.
Edhe në Kosovë mbështetja nga miqtë është me ulët se në vendet e tjera të rajonit, duke u renditur në vendin e 70. Kryesimin e mban Serbia (29), e ndjekur nga Mali i Zi (39), Bosnjë Hercegovina (47), Maqedonia e Veriut (54).
Kosova, më bujarja në rajon, Shqipëria nga fundi
Treguesi ku Kosova ka marrë pikët më të larta është bujaria, duke u renditur e 17-a në botë. Pyetja që u drejtohet të anketuarve është: “A keni dhuruar para për bamirësi muajin e kaluar?”
Malazezët janë më pak bujarët në rajon (99) të ndjekur nga shqiptarët (72). Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut (46), Serbia (36), Bosnjë Hercegovina (28).
Shtetasit e Shqipërisë e Kosovës kanë lirinë më të madhe në rajon
Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët mendojnë që nuk kanë liri për të marrë vendime jetësore, duke u renditur në vendin e 119 në botë. Edhe në Bosnjë Hercegovinë nuk ndihen të lirë (89), po ashtu në Serbi (66) dhe Mal të Zi (61).
Pyetja që u bëhet të anketuarve është: “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë tuaj për të zgjedhur atë që bëni me jetën tuaj?”
Shtetasit e Kosovës e Shqipërisë perceptojnë që ata kanë lirinë më madhe për të zgjedhur në rajon. Kryesimin e ka Kosova, që renditet e 28-a në botë, ndërsa Shqipëria është në vendin e 34.
A e blen paraja lumturinë?!
A e blen paraja lumturinë. Nëse shikojmë indeksin në rajon, rezulton që jo.
Ndonëse janë më të varfrit në rajon dhe Europë, e matur sipas prodhimit të brendshëm për frymë (vendi i 77 nga 140 shtete në botë), shtetasit e Kosovës rezultojnë më të lumturit në rajon dhe ndër më të lumturit në Europë, pasi në cilësinë e tyre të jetesës ndikojnë liria për të marrë vendime, bujaria dhe percpetimi i korrupsionit më të ulët se në shtetet e tjera të rajonit.
Shqipëria është e dyta nga fundi për nivelin e të ardhurave për frymë (65), por ndryshe nga Kosova ata ndiejnë mungesën e bujarisë, mbështetjes nga miqtë dhe sidomos nivelin e lartë të korrupsionit.
Në Mal të Zi, ku të ardhurat për frymë janë më të lartat në rajon (vendi i 48 në 140 shtete në renditje), malazezët sërish renditen ndër më të palumturit në rajon, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Qytetarët e malit të Zi nuk janë të kënaqur me lirinë për të marrë vendime si dhe janë më pak bujarët në rajon.
Edhe në Serbi, ku të ardhurat për frymë janë në nivele të ngjashme me Malin e Zi (51), qytetarët janë të pakënaqur me lirinë për të marrë vendime dhe kjo duket dhe në zemërimin e tyre në protestat që po vazhdojnë prej dy muajsh./ Monitor
Albania
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi, sektori në rënie të lirë
Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonomi. Tkurrja e fondeve që qeveria po i vë çdo vit në dispozicion po bën që sektori të prodhojë më pak vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Kjo ecuri negative u vu edhe më shumë në dukje në tremujorin e tretë të vitit gjatë së cilit kontributi i bujqësisë në ekonomi ishte negativ… 0.41 për qind më pak se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, thotë për A2, Esmeralda Ballesha, eksperte për bujqësinë.
Bujqësia ka hyrë tashmë në cikël rënës, e ndikuar nga njëra anë, nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në anën tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, thotë Ballesha.
Vitin e kaluar, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.69 për qind. Kjo ndodhi në një kohë kur ekonomia u rrit me gati 3.5 për qind, çka dëshmon se sektori është lënë tashmë në rënie të lirë. “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. e Theksoj. Minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”, thotë Ballesha.
Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi ka qenë gati 22 për qind e totalit, por sektorit përherë e më shumë po merr më pak para nga buxheti i shtetit. Rrjedhimisht po prodhon më pak vlerë të shtuar në ekonomi.
Albania
Berisha uron Kurtin për fitoren: Zgjedhjet, një sukses i vërtetë i demokracisë në Kosovë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
-
Albania16 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK15 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports14 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania16 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
