“Shqipëria në 2030 në BE, plan ambicioz dhe realist”. Deklaratën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, bërë nga Tirana, gjatë konferencës me kreun e qeverisë, lideri i opozitës Sali Berisha e lexon jo si një mbështetje të qëndrimeve të Edi Ramës që premton integrim të vendit në Union, por si një rrugë me pengesa që ka Shqipëria përpara.
“Ajo nuk investoi asnjë nanogram në zotimet e Edi Ramës. I tha edhe tjetrën, që është rrugë gjithëpërfshirëse. Kurse, Edi Rama u përpoq të asociojë mashtrimin e tij me praninë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, zonjës Kallas. Por ajo mbajti vendin e vet dhe qëndrimin e vet. Me një fjalë, ajo u tha shqiptarëve, unë nuk kam punë me ato që thotë ky”, tha Berisha në konferencë për media.
Mungesën e një takimi mes tij delegacionit të ardhur nga Bashkimi Evropian, Sali Berisha, e justifikoi me faktin se vizita ishte rajonale e jo vetëm për Shqipërinë. “Zonja Kallas është në një udhëtim rajonal. Më duket se e dëgjove që tha se, do shkojë nga këtu në Bosnjë. Udhëtimet rajonale janë për qëllime rajonale dhe normal që ajo takon qeveritarët, cilido që të jetë qeveritar, ata do takojë. Ky është rregulli i udhëtimeve rajonale, nuk kanë synimi vendin”, shtoi Berisha.
Kjo vizitë e shefes së diplomacisë së BE, përkon edhe me kthimin e Berishës nga Strasburgu ku takoi zyrtarë të ndryshëm të Parlamentit Evropian. Lideri i opozitës pohoi se në takimet e nivelit të qartë që zhvilloi ishte bërë zëri i Shqiptarëve, si dhe njoftoi se denoncimet e tij kishin prodhuar anulimin e një darke të Edi Ramës me zyrtarë të unionit.
“Ishte një kënaqësi shumë e veçantë, pas të themi pothuajse skandalit ndërkombëtar të Edi Ramës, çka kishte detyruar në një akt të pashembullt me një lider evropian, kishte detyruar drejtuesit e këtij institucioni të anulojnë darkën zyrtare të parashikuar për kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai nuk ishte i denjë për këtë darkë. Nuk ishte i denjë, ia anuluan darkën”, tha Berisha.
Berisha u pyet dhe për takimin e çeljes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, ku konfirmoi se krah tij do jetë edhe strategu amerikan Chris Lacivita.