Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla kanë publikuar fotografi të reja për të shënuar 20-vjetorin e martesës së tyre, duke e kthyer këtë përvjetor në një moment simbolik gjatë vizitës shtetërore në Itali.
Çifti mbretëror shfaqet i buzëqeshur dhe i relaksuar në ambientet mahnitëse të kopshtit të Villa Wolkonsky, rezidenca zyrtare e ambasadorit britanik në Romë.
Në fotografitë e publikuara, Mbretëresha Camilla shkëlqen me një elegancë klasike, duke mbajtur një karficë me zambakun e luginës, një simbol delikat që përfaqëson dashurinë e qëndrueshme dhe përkushtimin ndër vite, shkruan BBC.

Nga ana tjetër, Mbreti Charles paraqitet i qetë dhe me një buzëqeshje të ngrohtë, duke reflektuar harmoninë dhe stabilitetin që ka karakterizuar marrëdhënien e tyre në dy dekada bashkë.
Ambasadori britanik në Itali, Lord Llewellyn, e përshkroi këtë udhëtim si një moment “historik”, duke nënvizuar rëndësinë e vizitës në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me aleatët evropianë pas Brexit.

“Kjo vizitë shtetërore vjen në një moment kyç, ndërsa ne po rivendosim marrëdhëniet tona me partnerët tanë evropianë”, u shpreh ai.
Dashuria e çiftit mbretëror për Italinë – kulturën, historinë dhe kuzhinën e saj – ka zgjuar një jehonë pozitive në publikun italian, i cili pritet t’i mirëpresë me ngrohtësi gjatë ndalesave të tyre në Romë dhe qytetin e lashtë të Ravenës.

Mediet lokale kanë raportuar për një “ethet mbretërore”, duke theksuar kuriozitetin dhe simpatinë që ngjall çifti në mesin e qytetarëve.
Pjesë e axhendës ishte planifikuar të ishte edhe një vizitë në Vatikan, ku Mbreti Charles do të merrte pjesë në një shërbesë të veçantë në Kapelën Sistine.
Megjithatë, kjo pjesë e vizitës u shty për shkak të gjendjes shëndetësore të Papa Françeskut.
Papa është parë duke u rikuperuar, me një paraqitje publike së fundmi në Sheshin e Shën Pjetrit, por ende nuk ka njoftime zyrtare për një takim privat me Mbretin.