“Takime, takime dhe vetëm takime…”. Kjo ishte këshilla e Sali Berishës për gratë demokrate me të cilat zhvilloi një takim paraditen e së mërkurës. Në një prej kafeneve në Tiranë, lideri demokrat u ankua sërish për censurë mediatike, ndaj dhe kërkoi sa më shumë takime në terren.
Në shembullin e fushatës së Donald Trump, që si kryefjalë kishte takimet ballë për ballë, kandidati për kryeministër pohoi se të gjithë duhet të kuptojnë leksionet që vijnë nga SHBA.
“Ata gjetën se me takime mund të ndërrohej mendimi i një të tretës së atyre që kishin mendim tjetër për të votuar. Pra, takimi sipas rezultateve të kësaj fushate, është përcaktues dhe vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.”
Kërkoi që të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike të shmangin narrativen e kreut të qeverisë. Shprehu sërish bindje për fitore në 11 maj dhe përsëriti një nga pikat e programit elektoral, faljen e të gjitha gjobave, që siç tha bëhet për të çliruar shqiptarët nga makthet e padrejtësive.
“Ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë.”
Pas takimit me gratë demokrate, Berisha u ul në kolltukun e zyrës së tij dhe iu përgjigj qytetarëve në mediat sociale. Pyetjes se pse nuk po e prezanton qeverinë në hije, iu përgjigj kështu.
“Kabineti do jetë një kabinet me përfaqësim mbarëkombëtar të shqiptarëve në Shqipëri, diasporë dhe kudo që janë. Natyrisht kabinet në hije në Europë paraqesin vetëm konservatorët britanikë, që janë edhe tradita më e vjetër konservatore në Europë. Kabineti ynë do shpallet pas fitores së 11 Maj.”
Shfrytëzoi edhe këtë komunikim me qytetarët për të përsëritur ftesën për kundërshtarin e tij për debat publik në media.