Albania
BIRN: Aleanca e pashpallur PS-PSD bëhet aleancë e kushtëzuar
Kryetari socialdemokrat Tom Doshi shpalli objektivin për të qenë pjesë e shumicës së ardhshme qeverisëse ndërsa shprehu pakënaqësi ndaj socialistëve të Edi Ramës dhe kritikoi caktimin e Benet Becit si drejtues fushate pavarësisht problemeve me drejtësinë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate Tom Doshi, i cili garon në Shkodër, shpalli objektivin për të marrë tre mandate deputetësh në këtë qark, shprehu për herë të parë në publik pakënaqësi ndaj socialistëve ndërsa mohoi idenë se mund të bëjë aleancë me Berishën.
Në një takim me elektoratin në Shkodër, politikani ish-socialist që është sanksionuar nga administrata e parë e Presidentit Trump për korrupsion madhor, kritikoi të dy partitë e mëdha për korrupsion dhe shtoi se atij i vjen turp që “gjysma e qeverisë është në burg dhe nën hetim”. Ai shënjestroi veçanërisht kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci, i cili është nën hetim ndërsa konfirmoi publikisht për herë të parë përplasjet me Partinë Socialiste, të cilën e ka mbështetur pa qenë në aleancë formale përgjatë tetë viteve të fundit.
“Kryetari i Bashkisë Shkodër që drejton fushatën e PS-së, është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët,” deklaroi Doshi.
Doshi ishte deputet socialist për disa mandate por u përzu nga Rama në vitin 2015 dhe u zgjodh deputet në Shkodër për Partinë Socialdemokrate në vitin 2017. Në vitin 2018 ai u vendos nën sanksione nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, drejtuar në atë kohë nga Presidenti Donald Trump. Doshi drejtoi partinë pa qenë deputet në zgjedhjet e vitit 2021 dhe fitoi tre mandate, dy në Shkodër dhe një në Tiranë.
Partia Socialdemokrate shënoi sukses të pazakontë në zgjedhjet për pushtetin vendor 2023, duke fituar 86 mijë vota dhe 116 mandate këshilltarësh. Votat e PSD-së në ato zgjedhje sugjerojnë synimin për mandate në disa qarqe të vendit, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Kukësin, Dibrën, Tiranën e Fierin. Në Kukës, Dibër e Lezhë, votat e socialdemokratëve mundet të mos mjaftojnë për të fituar mandat, por, nëse gërryejnë nga radhët e njërës palë, mund të ndihmojnë palën tjetër, sepse në këto qarqe numri i mandateve është tek dhe formula e ndarjes së mandateve favorizon partinë që arrin të fitojë qoftë edhe një votë më shumë se sa konkurrentët.
Socialdemokratët garojnë në këto zgjedhje me shumë drejtorë të administratës aktuale të Partisë Socialiste, ndonëse marrëdhëniet e tyre me vëllain e madh nuk kanë qenë tërësisht të mira së fundmi. Kandidatët e PSD-së në Fier u ankuan për tentativa për pushime nga puna në sektorin publik, aludohet, për shkak të kandidimit për këtë parti.
Zyrtarisht PSD dhe PS nuk kanë qenë aleatë që nga koha kur kjo parti u vu nën drejtimin e Doshit ndërsa në ditët pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur fati i maxhorancës qeverisëse të socialistëve ishte i paqartë, Doshi shpalli menjëherë publikisht mbështetjen për Edi Ramën. Tre deputetët e tij kanë votuar në kuvend rregullisht në mbështetje të socialistëve dhe së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e klasifikoi këtë parti formalisht si pjesë e maxhorancës.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur Doshi dukej se shërbente si guri rezervë i Ramës për krijimin e maxhorancës në rast se shqiptarët nuk i jepnin 71 mandate, kësaj here Doshi shpalli qëllimin për të qenë guri kyç, me forcën e mandateve të fituara në zgjedhje.
“…pa Partinë Social-Demokrate nuk ka mazhorancë në Shqipëri,” deklaroi ai ndërsa i kërkoi shqiptarëve votën nën premtimin se do të investojë në aparatura mjekësore për trajtimin e sëmundjes së kancerit, aparatura që aktualisht mungojnë në Shqipëri.
Rezultati i zgjedhjeve të shkuara në Shqipëri ka qenë me shumicë të thjeshtë por komode në numër mandatesh për socialistët në vitin 2017 dhe 2021 por mandatet shtesë mbi kuotën 71 kanë rezultuar gjithmonë të vështira për t’u kapur. Në zgjedhjet e vitit 2009, mandatet u ndanë 70 për PD-në, 66 për PS-në dhe 4 për LSI-në, gjë që ndihmoi këtë të fundit që të bëhej forca përcaktuese në shumicën qeverisëse, një pozicion që pas zgjedhjeve të 11 majit mund të mbahet nga socialdemokratët ose nga ndonjë apo disa nga partitë e vogla të reja garuese, të cilat mund të marrin mandate deputetësh kryesisht në Tiranë.
Albania
Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari
Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet gjithashtu me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj.
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag.
Konkretisht, nga janari 2026, çdo i punësuar me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.
Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura nga paga mujore. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë do të rritet në rreth 17,709 lekë në muaj, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh çdo muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.
Në terma praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë si për punonjësit ashtu edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë gjithashtu më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës.
Sipas relacionit të projektbuxhetit dhe të dhënave të administratës tatimore, kjo politikë do të sjellë rreth 9 miliardë lekë të ardhura shtesë për arkën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku 7.6 miliardë lekë pritet të vijnë nga sigurimet shoqërore dhe 1.4 miliardë lekë nga sigurimet shëndetësore.
Për vitin 2026, të ardhurat totale nga kontributet janë programuar të arrijnë në 197 miliardë lekë, ose 11.4% më shumë se pritshmëritë për vitin 2025.
Megjithatë, për mijëra të punësuar me paga mbi 176 mijë lekë, ky ndryshim nuk përkthehet në përmirësim të të ardhurave, por në një ulje të drejtpërdrejtë të pagës neto.
Në këtë këndvështrim, rritja e pagës minimale shndërrohet në një barrë shtesë fiskale për një segment të konsiderueshëm të forcës së punës, duke rritur koston e punës për bizneset dhe duke reduktuar të ardhurat mujore reale të punonjësve me paga mesatare dhe të larta, që nga muaji janar 2026.
Ekofin.al
Albania
Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin
Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.
Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.
Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.
Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.
Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.
Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.
“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.
Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike. MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.
Monitor
Albania
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht
Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.
Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.
“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.
Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.
Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.
Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.
Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.
Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
