Në kërkim të antidotit përfundimtar për të luftuar dronët në fushën moderne të betejës, nuk mungojnë idetë novatore.
Në Britani, për shembull, ata përdorën me sukses një armë me lazer të drejtuar nga frekuencat e radios për të neutralizuar mbi 100 drone në të njëjtën kohë gjatë një testi të kryer në Uellsin Perëndimor.
Zhvilluar nga Thales UK në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, “RF DEW”, i koduar si RapidDestroyer, përfaqëson një përparim të madh në luftën kundër dronëve.
Duke përdorur valë të padukshme radio, sistemi çaktivizon dronët duke prishur ose shkatërruar elektronikën e tyre të brendshme. Ndryshe nga zgjidhjet tradicionale anti-dronë, të cilat zakonisht sulmojnë objektivat individualisht, RapidDestroyer mund të neutralizojë grupe të tëra menjëherë.
Në stërvitjen e fundit, ai rezultoi i aftë të mposhtte dy tufa të dronëve në hyrje në të njëjtën kohë, duke shënuar testin më të madh të kundërmasave të kryer ndonjëherë nga ushtria britanike.

Me një distancë maksimale efektive prej 1 kilometër, sistemi është jo vetëm i fuqishëm, por edhe jashtëzakonisht ekonomik. Çdo gjuajtje kushton vetëm 0.12 euro, duke e bërë atë shumë më ekonomik sesa sistemet e mbrojtjes ajrore të bazuara në raketa.
Edhe pse ende nuk është miratuar për vendosje operacionale, arma po konsiderohet si një gur themeli i ardhshëm i mbrojtjes së fushëbetejës pasi shkatërron deri në 100 dronë njëherësh.
Ndërkohë që kërcënimet nga mjetet ajrore pa pilot përshkallëzohen, RapidDestroyer-i britanik mund të bëhet thelbësor për mbrojtjen e trupave dhe infrastrukturës në luftërat e së nesërmes.