Komisioni i Parlamentit Evropian për Çështjet Kushtetuese, u shpreh sot në favor të ratifikimit të traktatit të Brexit-it, që është etapa e parë para votimit në seancën plenare javën e ardhshme.
Të zgjedhurit e Komisionit votuan me shumicë votash me 23 vota pro dhe 3 kundër rekomandimet e tyre për votimin e planifikuar më 29 janar, kur teksti, që rregullon kushtet e divorcit, do t’u dorëzohet të gjithë eurodeputetëve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit, Charles Michel, për vendet anëtare, do të nënshkruajnë nesër tekstin e marrëveshjes së divorcit të që do t’u dorëzohet eurodeputetëve. Dokumenti më pas do të dërgohet në Londër për t’u nënshkruar nga Boris Johnson.
Votimi i Parlamentit Evropian do të pasohet nga ratifikimi i marrëveshjes nga qeveritë e shteteve anëtare, etapa e fundit e procedurës, që do të zyrtarizojë largimin e Britanisë së madhe nga Bashkimi Europian më 31 janar, pas më shumë se tre vite negociata të vështira./ATSH/