Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga Parku Olimpik mbajti një konferencë për mediat për të sqaruar situatën, pasi Partia Demokratike ka kontestuar numërimin e votave të ardhura nga Greqia, duke ndërprerë përkohësisht këtë proces.
“Me çfarëdolloj “veshjeje”, askush nuk mund ta sfidojë ligjin. Mund të duket sikur e sfidojnë, por ne kemi të gjithë qetësinë për të marrë vendimet që duhen. Nuk është çështje kohe, por çështje se si do duhet të vendosësh. Koha do të kthejë gjithçka në shinat e ligjit. Për ne është e rëndësishme të merren vendimet e duhura. Nuk mund të ketë vlerësim në bllok për të gjitha votat e diasporës. Nuk mund të shpallen të paligjshme 20 mijë vota vetëm pse dikush ka një dyshim” deklaroi Celibashi.
Ai theksoi se deri më tani Partia Demokratike nuk ka paraqitur prova zyrtare për pretendimet e saj.
Në lidhje me mospublikimin e rezultatit të Vorës, Celibashi shpjegoi: “Shpallja të hënën e rezultatit të Vorës dhe njësisë 10 nuk cenon votën. Nesër shpallet edhe shumica e rezultateve të njësive të tjera. Nuk mund të mos e konsideronim kërkesën e Partisë Demokratike, e cila dha konsensusin e implementimit të projektit (votimi elektronik), interesi lidhej me verifikimin se sa kredibël janë pajisjet”.
Kur u pyet për tensionet mes numëruesve, Celibashi drejtoi gishtin nga përfaqësuesit e partive politike të pranishëm në procesin e numërimit: “Ka tension mes numëruesve sepse edhe përfaqësuesit politikë nuk e ndihmojnë mbarëvajtjen e procesit. Ata nuk kanë punë me çfarë zhvillohet në vendnumërimin e votave. Por, janë në të drejtën e tyre për të qenë në procesin e numërimit, por mesa duket këtë të drejtë po e shpërdorojnë”.