Aleatët evropianë të Ukrainës vazhdojnë të rrisin presionin mbi Rusinë. Pas vizitës së liderëve të BE-së, në Kiev gjatë fundjavës, ministrat e jashtëm nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja e të tjerë, janë takuar mëngjesin e sotëm në Londër për të diskutuar konfliktin Rusi-Ukrainë.
Duke folur përpara takimit, sekretari i jashtëm britanik, David Lammy, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin duhet “të marrë seriozisht” angazhimin në bisedimet e paqes.
Ndërkohë, The Guardian raporton se edhe Gjermania “pret që Rusia të bjerë dakord për armëpushim”, me ministrin e ri të jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili ka kërkuar që Putini të përgatitet për negociata.
Në anën tjetër edhe Barrot i Francës ka bërë thirrje për “paqe dhe negociata”, duke kërcënuar Rusinë me më shumë sanksione nëse nuk angazhohet.
Ministri i jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka shtuar se qëndrimi i Francës ishte “shumë i qartë: ne duam paqe, ne duam negociata”. Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka akuzuar Rusinë se ‘po luan lojëra’, ndërsa ka lënë të kuptohet edhe për një marrëveshje të mundshme mbrojtjeje BE-Mbretëri e Bashkuar, gjatë javës së ardhshme.
“Ne duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë që të dëshirojë vërtet paqe dhe të ulet dhe të bisedojë me Ukrainën”, ka thënë ajo duke shtuar se, “nëse vazhdojnë të bombardojnë Ukrainën gjatë gjithë kohës, nëse nuk ka armëpushim, nuk mund të ketë bisedime nën zjarr”.