Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se në Kosovë nuk është evidentuar asnjë i prekur nga virusi “2019-nCoV” që shpërtheu në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës, ku u shkaktuan disa viktima.
Megjithatë, IKSHPK-ja bën thirrje për kujdes, derisa shton se është duke e monitoruar situatën, transmeton Koha.net.
Më 31 Dhjetor 2019, OBSH u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës. Virusi nuk përputhej me ndonjë virus tjetër të njohur. Kjo ngriti shqetësimin sepse kur një virus është i ri, ne nuk e dimë se si përhapet tek njerëzit. Një javë më vonë, më 7 janar, autoritetet kineze konfirmuan se ata kishin identifikuar një virus të ri. Virusi i ri është një koronavirus, i cili është një familje e viruseve që shkakton rrufë të zakonshme (ftofje) si dhe virusin e SARS dhe MERS”, thuhet në komunikatë.
Ky virus i ri u emërua përkohësisht “2019-nCoV”. OBSH ka punuar me autoritetet kineze dhe ekspertë globalë që nga dita kur u informuam, për të mësuar më shumë rreth virusit, si ndikon tek njerëzit që janë të sëmurë me të, si mund të trajtohen dhe masat parandaluese.
Tutje thuhet se aktualisht, rastet e infektuara në Kinë janë eksportuar në SHBA, Tajlandë, Japoni dhe Republikën e Koresë. Virusi është i rrezikshëm në rast të shfaqjes së komplikimeve të sëmundjes, sidomos për personat me imunodeficiencë dhe sëmundje kronike.
Mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus.
IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë IKShPK/ Departamenti i Epidemiologjisë bënë mbikëqyrjen e rasteve gjatë tërë vitit, dhe përcjell situatën epidemiologjike.
Instituti Kombëtar ka rekomanduar te të gjithë Drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK.
Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005). Instituti Kombëtar do të informojë rregullisht Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën e Situatave dhe OBSh-në për ecurinë epidemiologjike të Novel Coronavirus (2019-nCoV) në Republikën e Kosovës.
Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e situatës në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse. Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.
Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga ky virus në vendin tonë.
Masat e parandalimit Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes. Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz. Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Reuters raporton se deri më tani janë shkaktuar 26 viktima nga ky virus, derisa mbi 800 të tjerë janë infektuar.