Një turist gjerman duket se i ka shpëtuar vdekjes në det, por ka mbetur i plagosur rëndë si rezultat i pasionit të tij për t’u zhytur në plazhet e bukura të jugut që shumë po reklamohen si mrekulli të Evropës.
Policia në një njoftim për ngjarjen ka bere te ditur se i plagosuri ka qenë jashtë zonës së rrethuar dhe skafi po ashtu, çka teorikisht nuk e ngarkon me përgjegjësi autorin e aksidentit. Por një gjë është e sigurtë, se shumë drejtues, kryesisht jet ski, në të gjithë Shqipërinë, shkelin rregullisht rregulloren e distancës së lejuar për t’u afruar bregut për lundrim. Manovrat e tyre të çmendura krejt afër turistëve në det, janë një rrezik i madh dhe permanent, për plagosje, vdekje dhe për krijimin e një antireklame kundër turizmit në Shqipëri si një destinacion i bukur por që mund të lësh jetën atje.
Kryesisht të huajt, ndryshe nga shqiptarët e mesuar tashme, nuk e bëjnë llogarinë që Shqiperia, krahas mrekullive të natyrës, ka dhe banditë të shumte në det që nuk respektojnë rregullat e hyrje-daljes apo ruajtjen e distancave të lundrimit pranë plazheve.
Veç këtyre njerëzve të papërgjegjshëm, ekziston dhe policia inekzistente, e cila për një shishe birrë mbyll sytë ndaj shkeljeve flagrante që drejtues mjetesh kryejnë rregullisht në plazhet tona.
Në të gjitha plazhet e Shqipërisë, nuk respektohet 100% ligji apo rregullorja e lundrimit të këtyre mjeteve, dhe asnjë polic nuk është larguar nga puna për mbylljen e syve ndaj këtyre shkelësve.
Për gjetjen e 10 rrënjë kanabis në një territor, largohet nga puna shefi i policisë së zonës, ndërsa për plagosje dhe vdekje të turistëve të huaj në Shqipëri nuk është larguar asnjë polic nga puna për moszbatim të rregullave në detyrë.
Siguria në plazhe nuk mund të lihet në dorën e rastësisë apo të policeve të papërgjegjshëm që bëjnë shoqeri për një birrë me shkelësit e ligjit.
Nëse qeveria e ka shpallur turizmin prioritet, shteti nuk mund të vazhdojë të jetë spektator teksa nëpër plazhe vijojnë tragjeditë me pushues vendas e të huaj, si krime të paralajmeruara.