Kapiteni i Fluminense, Thiago Silva, ish-ylli i Milanit, zbulon se e ka telefonuar Massimiliano Allegrin para ndeshjes me Interin për të marrë ‘disa informacione’ rreth ‘Nerazzurrëve’.
Fluminense mposhti Interin 2-0 në fazën 1/8 të Kupës së Botës për Klube të hënën.
Gjatë një interviste pas ndeshjes për SportMediaset, Thiago Silva tregoi se kishte biseduar me ish-trajnerin e tij, Allegrin, para përballjes.
“Jam shumë pasionant pas futbollit. Këtë javë i telefonova Allegrit, një mik i imi, dhe i kërkova disa informacione për Interin”, tha mbrojtësi brazilian.

“Ai foli shumë mirë për këtë ekip. Ka respekt të madh për ta, po ashtu si unë. Arrita t’u transmetoja disa nga këto informacione ekipit, dhe mendoj se Allegri na dha këshilla të mira”.
“Ne nuk folëm për Milanin. I thashë se ndoshta do ta vizitoj në janar, bashkë me Ibran dhe këtë ekip të madh”.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tonë. Nuk është e lehtë të luash ndaj Interit në këtë mënyrë. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë”, vazhdoi Silva.
“Mendoj se luajtëm mirë në aspektin defensiv. Me topin nuk arritëm të luanim siç jemi mësuar, dhe ishte e vështirë të thyhej presioni i tyre. Sidomos me këtë vapë, nuk ishte e lehtë të luaje”.
“Jemi shumë të kënaqur me kualifikimin, por tani duhet të pushojmë sepse luajmë përsëri pas tre apo katër ditësh”, përfundoi ai.