Momente paniku kanë kaluar pasagjerët e fluturimit DL446 të kompanisë amerikane “Delta Air Lines”, të cilët u detyruan të bëjnë një ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angeles, menjëherë pas ngritjes, për shkak se zjarri përfshiu motorin e majtë të avionit.
Avioni, një Boeing 767-400 me numër regjistrimi N836MH, ishte nisur drejt Atlantës, por pak minuta pas ngritjes në ajër, ekuipazhi raportoi anomali serioze në motorin e majtë, të cilat tregonin shenja të një zjarri të mundshëm.
Pamjet dramatike, të transmetuara drejtpërdrejt në kanalin e specializuar në aviacion “LA Flights” në YouTube, tregojnë flakë dhe shkëndija që dilnin nga motori i majtë ndërsa avioni ishte ende në ajër.
Në një reagim të menjëhershëm, piloti vendosi të rikthehej në pistë, ku u realizua një ulje e sigurt emergjente. Zjarrfikësit e aeroportit u aktivizuan menjëherë pas uljes, duke shuar flakët dhe siguruar zonën.
Fatmirësisht, asnjë pasagjer apo anëtar i ekuipazhit nuk u lëndua nga incidenti.
Sipas burimeve të specializuara si Aviation A2Z, avioni ishte i pajisur me dy motorë GE CF6, dhe kishte më shumë se 24 vite shërbim aktiv në flotën e Delta Air Lines.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e saktë të incidentit, ndërsa avioni është pezulluar për inspektim teknik.