Pas një sezoni të dështuar për Manchester United, i cili e përfundoi kampionatin 2024/25 në vendin e 15-të – më i keqi që nga rënia nga elita në vitin 1974 – Matthijs de Ligt ka dhënë një mesazh të fortë për rikthim dhe përgjegjësi.
Në një prononcim pas fitores 2-1 ndaj West Ham United në miqësoren parasezonale të zhvilluar në New Jersey, mbrojtësi holandez theksoi se koha ka ardhur për rikthim.
“Sigurisht që ua kemi borxh atyre. Por, para së gjithash, ia kemi borxh vetes. Të gjithë jemi të pakënaqur me performancat tona sezonin e kaluar. Kjo është gjëja e parë që duhet të rregullojmë. Ia kemi borxh vetes të luajmë shumë më mirë. Dhe pastaj, padyshim, tifozët janë gjëja më e rëndësishme gjithashtu. Shpresojmë t’u japim shumë më tepër gëzim këtë sezon”, deklaroi De Ligt.
Manchester United është tani nën drejtimin e Ruben Amorim, i cili ka ardhur për të kthyer klubin në majat e futbollit anglez. Trajneri portugez, që pas marrjes së detyrës i kërkoi ndjesë mbështetësve për sezonin e kaluar “katastrofik”, u shpreh optimist për të ardhmen.
“Nëse ka një klub në botë që ka provuar në të kaluarën se mund të kapërcejë çdo situatë, çdo fatkeqësi – ai është Manchester United. Është Klubi i Futbollit Manchester United”, nënvizoi Amorim.
Në të njëjtën linjë, edhe De Ligt shfaqi besim dhe entuziazëm për fillimin e ri.
“Nuk mendoj se do të jetë e vështirë të kalojmë nga sezoni i kaluar. Ai është mbyllur. Sezoni i ri është një mundësi e re. Ka shumë pozitivitet tani në kamp. Gjithashtu, kemi disa lojtarë të rinj dhe mjaft kohë për t’u stërvitur mirë”, ka thënë holandezi.
“Djajtë e Kuq” synojnë një rikthim në zonën evropiane dhe objektivi minimal për sezonin 2025/26 është një vend në pjesën e epërme.