Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 29 korrik sekuestrimin e pasurive që lidhen me të hetuarit për kontrabandimin në vendet e Bashkimit Evropian të cigareve të prodhuara në Shqipëri nga kompania Albanian Tabak Fabrika e re e Cigareve”, shoqëri që deri në fillim të këtij viti zotërohej nga Ilir dhe Darjo Jashari, babë e bir. Pasuritë e sekuestruara që dyshohet se janë krijuar nga të ardhurat e siguruara prej kontrabandimit të cigareve, sipas SPAK, e kalojnë vlerën e 9.3 milionë eurove.
Në sekuestro preventive janë vendosur nëntë pasuri të regjistruara të në emër të shoqërisë “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve” sh.p.k., – e blerë në shkurt të këtij viti nga biznesmeni durrsak, Ergys Agasi.
Po ashtu, janë sekuestruar 7 apartamente me sipërfaqe totale 1094 m2; 3 parkime; si dhe dy vila me sipërfaqe ndërtimi totale 1318 m2 e troje në zonën e Mulletit, një prej të cilave në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”.
Sipas SPAK, vlera prej rreth 9.3 milionë euro e këtyre pasurive, dyshohet se përfaqëson përfitime të paligjshme të gjeneruara nga veprimtaria e kontrabandës në kuadër të organizatës kriminale ose grupit të strukturuar kriminal.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se ky grup i strukturuar kriminal, me një veprimtari me qëllim fitimi ekonomik të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, i ka sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e rreth 3.6 miliardë lekëve ose 36 milionë euro dhe një dëm prej 10 milionë eurosh në vetëm katër raste të dokumentuara kontrabandimi në tregun e BE-së. Në një tjetër rast, nëse kalimi kontrabandë i sasisë së cigareve do të ishte realizuar, do të kishte shkaktuar një dëm prej rreth 2.8 milionë eurosh.
Për të realizuar këtë veprimtari kanë ndihmuar struktura të caktuara të doganës që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos shoqëruar ngarkesat deri në dalje nga territori i Shqipërisë. Po ashtu, kontrabanda është legjitimuar dhe përmes çlirimit të eksportit fiktiv në sistemin “Asycuda Ëorld” të doganave, që tregonte sikur sasitë e cigareve kanë dalë nga Shqipëria në doganën dalëse të përcaktuar në deklaratën doganore.