Pasi i shpëtuan rrezikut për jetën nga flakët që përfshinë fshatrat e Gramshit, banorët e zonës tani përballen me një tjetër dramë: mbijetesën.
Dhjetëra familje janë strehuar në qendrat e emergjencës të ngritura nga Bashkia e Gramshit, ndërsa ankthi për fatin e tyre është i madh.
“Gjithçka patëm u shkrumbua dhe tashmë jemi pa çati mbi kokë, pa bagëti dhe pa bujqësi, që ishin burimi i vetëm i të ardhurave dhe produkteve ushqimore”, është dëshmia që përsëritet nga shumica e banorëve të prekur.
Zjarret e ditëve të fundit lanë pas një bilanc të rëndë në këtë bashki: dhjetëra banesa të djegura, qindra kafshë të humbura, koshere bletësh, tokë bujqësore të shkrumbuar, ndërsa për shumë familje kjo do të thotë fund i një jete të tërë pune.
Pas përpjekjeve për neutralizimin e zjarreve, vëmendja është zhvendosur tek pasojat sociale dhe ekonomike. Ndërsa temperaturat mbeten të larta dhe rreziku nga flakët ende nuk është zhdukur plotësisht, shpresa e vetme e banorëve është ndihma nga shteti, për të rifilluar nga e para në mes të asgjësë që kanë mbetur.