Në vitin 1858, studiuesi austro-hungarez, Johann Georg von Hahn, i cili më vonë do të quhej babai i studimeve shqiptare, bëri një udhëtim nëpër Ballkanin jugor, nga Beogradi në Selanik, me qëllim të dukshëm për të shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një linje hekurudhore përmes rajonit. Më poshtë është një fragment nga përshkrimi i udhëtimit të tij në Kosovë, një rajon pothuajse i panjohur në atë kohë.

Nga: Johann Georg von Hahn (1811-1869)[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie (1950 -2017)
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala / Telegrafi.com
Kaçaniku
[…] Kaçaniku është vendi i përkryer për një strofull kusarësh, sepse nuk ka rrugë tjetër përreth Grykës së Lepencit. Në këngët e vjetra serbe shpesh përshkruhet si i tillë dhe deri në fillim të këtij shekulli mbeti vatër e kusarëve të rrugës. Vetëm në vitin 1807, Reshid Pasha i Kalkandelit [Tetovës] e pastroi rajonin prej tyre, pasi ua dogji pyjet. Këtë na e tregojnë Pouqueville dhe Boué.
Shumë pak prej lexuesve të mi do të jenë në dijeni se toka e Kaçanikut është lagur me gjak fisnik gjerman. Ngjarjet që rrethojnë këtë katastrofë, sipas asaj që di, u sollën për herë të parë në dritë nga A. Arneth në veprën e tij Jeta e Kontit Guido Starhemberg. Një fragment nga faqet e këtij libri të shkëlqyer është edhe më i përshtatshëm këtu, pasi hedh dritë mbi shqiptarët e këtij rajoni. Në këtë kontekst, kam përshtatur emrat e vendeve sipas asaj që kam menduar se është më mirë.
Pas fitores së lavdishme të ushtrisë perandorake në Nish dhe pas pushtimit të këtij qyteti, pjesa më e madhe e ushtrisë marshoi në Veri drejt Vidinit dhe Vllahisë. Megjithatë, Kont Piccolomini që kishte komandën e trupave që mbetën në Serbi, përparoi me shpejtësi drejt Jugut dhe mori Prishtinën dhe Fushën e Kosovës, së bashku me Grykën e Kaçanikut. Ai madje dërgoi forcat përgatitore përmes grykës – të cilat pushtuan vendbanimet në anën tjetër, përfshirë kryeqytetin e lashtë të Dardanisë, Shkupin. Banorët e krishterë të këtij rajoni, të cilët e mirëpritën trimin dhe bamirësin Piccolomini, si një shpëtimtar nga zgjedha e të pafeve, deklaruan se do të ishin të gatshëm të ktheheshin nën sundimin e krishterë, nëse do të merrnin mbështetjen e duhur. Turqit, nga ana e tyre, ishin të dëshpëruar nga suksesi i ushtrisë perandorake, aq sa ky moment do të kishte qenë i mirë për të bërë paqe. Mjerisht, ai e humbi mundësinë dhe ndodhën një sërë pengesash të cilat, në një masë të madhe, e zhbënë suksesin që kishte arritur.
Fatkeqësia e parë ishte vdekja e Piccolominit – ai vdiq papritur në Prishtinë më 9 nëntor 1689. Pasardhësi i tij në komandë ishte Duka i Holshtajnit, sjellja e egër e të cilit, mbledhja arbitrare e taksave dhe toleranca e shkeljeve të ushtarëve të tij bënë që shqiptarët të ktheheshin kundër tij dhe të riktheheshin nën turqit. Megjithatë, më 27 nëntor, ndoshta afër Stipos [Shtipit], ai arriti të mposhtte një ushtri turke prej 6 000 vetash të cilën pashallarët e Shkupit dhe të Sofjes e kishin mbledhur kundër tij. Por, po atë dimër, një ushtri e re turke përparoi në Fushën e Kosovës, mori fortesën e fortë të Kaçanikut dhe afër asaj zone mundi kolonelin Freiherr von Strasser. Koloneli, i cili tashmë urrehej nga shqiptarët, kishte ekzekutuar së fundmi një nga burrat e tyre për një shkelje të vogël. Kundër këshillës së oficerëve të tjerë, ai dërgoi trupën e tij prej 2 800 vetash për të luftuar me një forcë turke prej 12 000 vetash, në një fushë të hapur, pa ndonjë përkrahje të mëtejshme. Ai pastaj fyeu një nga shqiptarët që ia kishte bërë me dije kotësinë e këtij operacioni, hyri në debat me të dhe e qëlloi në krah me pistoletë. Shqiptarët e zemëruar, për pasojë, e braktisën atë gjatë betejës dhe kaluan në anën e turqve. Nën një sulm të egër të armikut, trupat gjermane treguan trimëri të jashtëzakonshme, por u shtypën nga forca e pabarabartë e kundërshtarit. Pavarësisht akteve të tij të trimërisë së jashtëzakonshme, Strasseri trim, por i nxituar, e kuptoi shumë vonë gabimin dhe e pagoi me jetë sjelljen e tij të ashpër dhe të pamatur. Së bashku me të ra edhe Princi heroik i Hanoverit, pasi vrau nëntë luftëtarë të armikut me duart e veta, si edhe kontët Styrum, Gronsfeld dhe Auersperg – burra rinj plot që premtonin shumë. Konti Solar arriti të arratisej natën, në errësirë, me pak luftëtarë që i kishin mbetur, dhe u fsheh në një pyll të dendur.
Kur mori vesh për katastrofën, Duka i Holshtajnit braktisi Prishtinën ku kishte grumbulluar shumë furnizime, dhe u tërhoq në Nish. Megjithatë, shumë shpejt, gjeneral Veterani, pasuesi i Piccolominit në komandë, nxitoi drejt fushëbetejës – edhe pse vetë ende vuante nga plagët – mori komandën, forcoi moralin e trupave të demoralizuara dhe u hodh kundër armikut i cili u tërhoq sapo ai mbërriti. Veterani rimori Prishtinën dhe Prizrenin të cilat trupat perandorake i kishin mbajtur më herët, por tashmë me forca të rralluara! Ai kishte vetëm 15 000 nën komandë dhe duhej të linte 4 000 prej tyre pas për të mbrojtur fortesën e Nishit. Nuk duket se zgjati shumë okupimi i dytë i Kosovës nga trupat perandorake, pasi rënia e Nishit dhe e Beogradit zhvendosi skenën e luftës në kufirin jugor të Hungarisë.
Një fakt interesant del në pah nga këto ngjarje historike – se në vitin 1689 Dardania kishte një popullsi të bollshme dhe luftarake shqiptare sepse, sipas mendimit tim, është shumë e pamundur që shqiptarët e përmendur këtu të kenë ardhur nga vetë Shqipëria për t’u bashkuar me trupat perandorake. Në veprën e sipërpërmendur, nuk ka përgjigje për pyetjen nëse këta shqiptarë ishin të krishterë apo myslimanë. Një botim me burime të dorës së parë, mbi fushatën dardane të trupave perandorake, do të sillte një kontribut të rëndësishëm në njohuritë tona për këtë rajon dhe për banorët e tij, dhe gjithashtu do të kishte interes të madh për historinë tonë ushtarake, pasi në të përmenden emrat si Starhemberg dhe Veterani. Askush nuk do të ishte më i përshtatshëm për këtë sesa një biografi për të parin.
Rrafshi i Kosovës
E kaluam natën në hanin e madh në vendroje, që i përkiste një shqiptari, pamja e të cilit na kujtoi më shumë një kapedan palikar sesa një hanxhi. Të nesërmen në mëngjes, u nisëm për dy orë përgjatë shtratit të lumit Lepenc, drejt Rrafshit të Kosovës, dhe pastaj u ngjitëm përmes shkurreve në skajin e saj jugor. Megjithatë, në mbrëmje kishin filluar shiu dhe mjegulla, dhe ato na penguan të shihnim, siç do të kishim dëshiruar, këtë rajon magjepsës. Të gjitha kodrat dhe malet ishin mbështjellë me re deri në bazat e tyre dhe mbetën kështu gjatë gjithë qëndrimit tonë. Madje, edhe shikimi i gjërave në rrafsh shpesh ishte i vështirë për shkak të mjegullës.
Rrafshi duket të ketë formë drejtkëndëshe. Njëra nga anët e saj të ngushta zgjatet deri në shpatet veriore të vargmalit të Sharrit. Këto male ngrihen deri në një piramidë madhështore të formuar nga Mali i Lubetenit i cili bie papritur në Veri, Lindje dhe Jug, dhe lidhet me vargun e Karadakut përmes një sërë kodrash nëpër të cilat përshkon lumi Lepenc. Kjo majë masive që dominon rrafshin, për fat të keq, na u shfaq vetëm një mbrëmje kur po ktheheshim nga Gjilani në Kaçanik.
Ka dy rrjedhje lumenjsh që ndajnë këtë fushë. Në pjesën e saj jugore, lumi Lepenc, i cili përshkon shpatet veriore dhe lindore të maleve të Sharrit, derdhet në Vardar, ashtu si edhe lumi i afërt i Nerodimës. Në pjesën më të madhe veriore të rrafshit, lumi Sitnica, një degë e Ibrit, rrjedh nga Jug-Juglindja në Veri-Veriperëndim në drejtim të Moravës që vetë derdhet në pellgun e Danubit. Në një vend, këto dy rajone lidhen me njëra-tjetrën përmes një bifurkacioni – i vetmi që unë njoh në të gjithë pellgun e Danubit. Në një hurdhë të ndodhur rreth një orë e gjysmë nga burimi i Nerodimës, një pjesë e ujit të përroit kanalizohet përmes një mulliri dhe rrjedh në kënetën e Saslit, ndërsa pjesa kryesore e përroit rrjedh në Lepenc. Këtë fenomen na e përshkroi një kavas nga Gjilani, i cili tha se një pjesë e ujit të Nerodimës derdhet në Detin e Zi, ndërsa pjesa tjetër në Detin e Bardhë – që është termi që përdorin turqit për të emërtuar Detin Mesdhe.
Këneta e sipërpërmendur e Saslit duket të jetë mbetja e fundit e një liqeni të madh i cili, në kohët parahistorike, mbulonte Rrafshi e Kosovës dhe, është mjaft e çuditshme, ka dy përrenj që rrjedhin prej saj: ai jugori (Lepenci) dhe ai veriori (Sitnica) […]
Rruga nga Kaçaniku në Prishtinë arrin nivelin e mëparshëm horizontal te fshati Babush, pasi kalon kodrat e fundit me shkurre, rreth pesë orë nga Kaçaniku dhe gjashtë orë nga Prishtina. Këtu ajo takohet shpejt me lumin Sitnica. Fshati Babush është i banuar vetëm nga një familje e vetme, e ndarë në dhjetë shtëpi, që e lidh prejardhjen e saj që nga Beteja e Kosovës në shekullin XIV. Paraardhësi i tyre e mori këtë fshat, që ka disa orë ecje në perimetër, si pronë pa taksa si një shpërblim për shërbime të rëndësishme të zbulimit që ai ia ofroi Sulltan Muratit I. Pasardhësit e tij i ruajtën privilegjet tatimore, derisa i humbën ato me reformat tatimore të Tanzimatit.
Natën e kaluam në hanin e Rubofcit, gjysmë ore në Veri, dhe prej andej nuk e morëm rrugën e drejtë për në Prishtinë, por u kthyem drejt Lindjes për te Manastiri i Graçanicës, një nga më të njohurit në Mbretërinë e lashtë të Rashkës, një mbretëri që përfshinte Rrafshin e Kosovës dhe Rrafshin e Drinit të Bardhë (Metohinë). Fjala Rashkë duket të ketë dalë nga përdorimi këtu dhe ruhet vetëm nga gjermanët dhe hungarezët të cilët i quajnë kolonët serbë të Banatit si “Raitzen”. Serbët e kanë zëvendësuar me termin Serbia e Vjetër (Stara Srbija), por nuk arrita të zbuloj se çfarë zone të saktë përfshin ky term. Përveç rrafsheve të përmendura më lart, ndoshta përfshihet edhe lugina e Novi Pazarit.
U ndalëm për të biseduar me një grup fshatarësh që po përfitonin nga një ditë pushimi për të shkuar për ta takuar pronarin e tyre në një fshat fqinj, dhe ata i pyetëm për rajonin. Pavarësisht motit të zymtë, ishin më se të gatshëm të na jepnin informacion, ndërsa më bëri përshtypje mënyra teatrale me të cilën këta tetë a nëntë burra përgjigjeshin – të gjithë njëkohësisht dhe me të njëjtën përgjigje për çdo pyetje të majorit. Majori rrinte ulur mbi një pelë me këmbë të gjata, i mbështjellë me një pelerinë të madhe shiu dhe me kapuçin mbi kokë, dhe të gjithë krahët shtriheshin në një drejtim sa herë që ai pyeste për ndonjë vend. Nuk mund të imagjinohej një kor më i përkryer. Shqiptarët, nga ana tjetër, sillen në një mënyrë më aristokratike. Rregulli i përgjithshëm për ta është që flet burri më i moshuar dhe të tjerët heshtin.
Megjithatë, kur karrocieri ynë pyeti për drejtimin përmes kënetës, kori ynë papritmas heshti dhe u përpoq të largohej sa më shpejt. Na erdhi keq për këta njerëz të mirë dhe u kënaqëm vetëm me një shfaqje të thjeshtë të drejtimit të përgjithshëm që duhej të merrnim. Por, së shpejti zbuluam se keqardhja jonë kishte qenë e pavend, sepse karrocieri nisi të dukej i shqetësuar dhe kuajt me karrocën zhyteshin gjithnjë e më shumë në batak. Atëherë vumë re një fshatar që po ecte përmes kënetës në drejtimin e kundërt, jo larg nesh. E thirrëm të vinte dhe ai na shpjegoi se po kërkonte një lopë. Nuk ishte i sigurt nëse e kishte humbur rrugën apo nëse ishte rrëmbyer nga shqiptarët apo nga ndonjë ujk. E pyetëm nëse kafsha kishte zakon të shkonte vetëm në drejtimin që kishte marrë ai vetë, gjë që ai e mohoi me njëfarë hutimi. Kështu, vendosëm që të vinte me ne dhe se do t’ia jepnim një bakshish për shërbimin. Ishte e qartë, nga shprehja e fytyrës së tij, se ishte i hutuar se pse po i ofronim një shpërblim, pa qenë të detyruar, por thjesht u përgjigj: “po, zotëri” dhe hipi. Pa humbur kohë, majori nisi ta pyeste dhe nxori disa informacione prej tij për bifurkacionin e Nerodimës, por ishin aq të paqarta saqë na u desh ta pyesnim disa herë. Në fund, ai ishte aq i tmerruar sa ngriti gishtin tregues dhe të mesëm në formën e germës V dhe bërtiti: “Shih, zotëri, kur niveli i uji është i ulët, përroi bën kështu”! Papritmas e kuptova ç’po përpiqej të thoshte, dhe kur fshatari mori vesh nga pyetjet se unë e kuptova, qeshi me zë të lartë dhe vazhdoi të mbante gishtat drejt meje, duke thirrur Krishtin dhe shenjtorët si dëshmitarë për të më bindur se e thoshte të vërtetën.
Ndërkohë, balta kishte arritur deri në boshtet e karrocës, por nuk ishim të shqetësuar, sepse fshatari na siguroi se po përparonim në drejtimin e duhur. Dhe, vërtet, së shpejti arritëm në tokë të fortë, pasi ndodheshim afër këmbës së maleve në anën lindore. Pasi kaluam një sërë luginash dhe kodrat ndërmjet tyre, arritëm në manastir. Ai ndodhet në bregun e majtë të përroit të Graçanicës, i cili buron nga kodrat një çerek ore në Lindje dhe rrjedh në drejtim të Perëndimit në fushën përreth dhe, ashtu si përrenjtë e tjerë me rrjedhje Lindje-Perëndim që kemi kaluar, derdhet në Sitnicë.
Kisha e manastirit ndodhet në mes të një oborri të rrethuar me mur dhe disa ndërtesa ngjitur, dhe është ndërtuar në stilin bizantin. Megjithatë, ajo përmban një sërë elementesh që nuk i kisha parë më parë. Secila nga katër fasadat e saj është e ndarë në tri pjesë, nga të cilat pjesa më e ulët përbëhet nga tri harqe të rrumbullakëta, ku harku i mesit është një herë e gjysmë më i madh se dy të tjerët. Mbi secilin prej këtyre harqeve qendrore ndodhet pjesa e dytë e përbërë nga katër harqe të mprehta. Forma drejtkëndore që ato krijojnë mban pjesën e tretë që është kupola kryesore. Në këndet që krijohen nga harqet e jashtme, ndodhen katër kupola dytësore të cilat, sipas mendimit tim, janë shumë të izoluara dhe nuk janë në harmoni me bazën e kupolës kryesore.
Shtyllat që mbajnë katër kupolat ngrihen në brendësi në një lartësi të veçantë, por nuk lënë përshtypje për harmoni kur analizohen me përmasat modeste të qemerit kryesor që ato mbështesin. Po të kishin përmasat e duhura, këto harqe të ngushta të rrumbullakëta do të shfaqnin një elegancë të madhe. Një shembull i mirë i këtij stili është kisha e vogël në Mistrën e Vjetër e cila tani, fatkeqësisht, është gjysmë në rrënoja.
Në përputhje me tri harqet e jashtme të fasadës, trupi kryesor i kishës përmban tri nefe të ndara me mure. Në nefin e djathtë ndodhet një mur në të djathtë të hyrjes, me një mbishkrim të madh në gjuhën sllave, të pikturuar me shkronja të zeza mbi fasadën prej guri të bardhë gëlqeror. Ai përbëhet nga 82 rreshta, secili me rreth 130 shkronja që zënë një gjerësi prej rreth shtatë këmbësh. Thuhet se përmban aktin themelues të manastirit dhe se është lëshuar nga Mbreti Milutin i cili besohet të ketë qenë themeluesi i manastirit. Po të kishte qenë moti më i mirë, nuk do të kisha hezituar ta kopjoja të gjithë mbishkrimin, pavarësisht gjatësisë së tij, por, në këto rrethana, një përpjekje e tillë nuk kishte kuptim. Murgjit e manastirit, të cilët ishin katër gjithsej, përfshirë abatin, më treguan se një udhëtar i quajtur Stefan e kishte kopjuar mbishkrimin në fillim të verës së kaluar. Iu deshën tetë ditë dhe ata ia ndërtuan një skelë për ta ndihmuar. Kisha dëgjuar për këtë udhëtar edhe në manastirin e Sveti Otac, ku kishte qenë gjithashtu. Në të dy vendet, e njihnin vetëm me emrin e krishterë dhe shtonin se fliste rrjedhshëm bullgarisht dhe se udhëtonte vetëm, pa shoqërues.
Përballë mbishkrimit, në të njëjtën dhomë, ndodhen disa shkronja me alfabet latin të gdhendura në një altar drejtkëndësh të punuar në mënyrë të vrazhdë. Në halkidikumin e kishës ndodhet një altar tjetër më i madh, po ashtu drejtkëndësh, i cili në të dy anët e tij paraqet mbishkrime varresh nga periudha pagane romake. Në hyrje ndodhet gjithashtu një gur varri nga e njëjta periudhë. Në dyshemenë e kishës ka edhe një tjetër, por prej tij mund të lexohen vetëm disa shkronja në fillim të rreshtit. Dyshoj se këto janë sjellë në manastir nga stacioni i Vicianumit përgjatë rrugës së madhe ushtarake që lidhte Naisusin [Nishin] me Lisusin [Lezhën], për të cilën do të flas më hollësisht më poshtë. Nëse Vicianumi mund të identifikohet me fshatin Çagllavicë, atëherë do të kishte qenë vetëm një orë larg nga Graçanica.
Prishtina
Nga manastiri vazhduam rrugën për një orë e gjysmë deri në qytetin e Prishtinës, që ndodhet në një drejtimin veri-veriperëndimor. Për të arritur atje, kaluam sërish disa lugina dhe vargje kodrash. Qyteti nuk ndodhet as në fushë dhe as në buzë të saj, por në një luginë anësore, në pikën ku ajo ndahet në dy degë. Nëpër të kalon një përrua që zbret nga dy luginat e sipërme dhe bashkohet aty. Sipas llogaritjeve të mia, qyteti ka një lartësi prej 1 776 këmbësh mbi nivelin e detit. Ka dymbëdhjetë minare dhe një kullë sahati që ngrihen mbi morinë e shtëpive.
Prishtina (nga sllavishtja prišt, që do të thotë “puçërr, çiban”) është qendra kryesore e stërvitjes ushtarake, pas Manastirit, për gjysmën perëndimore të gadishullit. Pa dyshim është zgjedhur për pozitën e saj strategjike ushtarake, duke qenë ndërmjet shqiptarëve të trazuar dardanë dhe gegë, dhe afër pellgut të Novi Pazarit që përbën lidhjen e vetme ndërmjet Bosnjës dhe pjesës tjetër të perandorisë – një rajon ku serbët kanë depërtuar shpesh për të “shtrënguar duart” me malazezët. Për këtë arsye, qyteti është i mbushur me ushtarë të armatosur që mbajnë të gjitha llojet e armëve, megjithëse nuk është një qendër administrative, por i përket Pashës së Prizrenit dhe është selia e një mudiri të thjeshtë. Zyrtari aktual që mban këtë post është një burrë i vogël dhe i moshuar që na kushtoi shumë vëmendje, por ne nuk ramë në kontakt me autoritetet ushtarake.
Të nesërmen në mëngjes (1 nëntor), gjithçka ishte mbuluar me të bardhë, pasi gjatë natës kishte rënë një këmbë borë. Dimri kishte mbërritur në këtë pllajë të lartë dhe, siç më informuan vendasit, zakonisht pas shfaqjes së tij të parë ai bëhej i ashpër. Prandaj, pritej një mot i keq. Për këtë arsye, u detyrova të ndryshoja planin tim fillestar për të vazhduar në drejtim të maleve dardane dhe mendova se ishte më mirë të kthehesha sa më shpejt në Jug, në klima më të buta dhe më të lehta. Qëndrova për dy ditë në shtëpinë e kryetarit. Dhomat e errëta nuk ishin aspak të përshtatshme për të më disponuar. Megjithatë, qëndrimi ishte interesant, sepse nëna e kryetarit më tregoi se udhëtarët evropianë rrallë arrijnë deri aty. Të fundit që ajo mbante mend ishin dy të rinj francezë që kishin qëndruar tetëmbëdhjetë vjet më parë, kur burri i saj, atëherë kryetar i qytetit, ishte ende gjallë. Kur përmenda emrat Boué dhe Viquesnel, ajo mundi të kujtonte vetëm të parin, por përshkrimi i saj ishte i saktë. Kjo ishte e vetmja gjurmë që gjetëm për këta burra, të cilëve shkenca u ka borxh përshkrimin e parë të hollësishëm të këtyre vendeve. Deri në çfarë mase këto troje kanë qenë të panjohura përpara tyre – dhe në fakt, ende janë – mund të shihet nga veprat që ata lanë pas. Sa të pakta janë ato – asgjë që të ruhet për brezat e ardhshëm!
Meqenëse moti e bëri të pamundur një vizitë te fiset malësore dardane, e shfrytëzuam kohën në Prishtinë për të mësuar të paktën diçka rreth tyre. Për herë të parë na u përmend një ndarje gjeografike e tokës në Lindje të Rrafshit së Kosovës në një pjesë veriore të quajtur Lab [Llap] dhe një pjesë jugore të quajtur Golak [Gollak]. Nuk më duket e besueshme që të rrjedhë nga këto fjalë termi Lab Golab, të cilin shqiptarët në Shqipërinë tipike e përdorin për të përshkruar vëllezërit e tyre dardanë. Siç kam shkruar më herët, ky i fundit është më së shumti i lidhur me Golubinje, me emrin e vjetër të Vranjës. Gol në sllavisht do të thotë “cullak” dhe Golak, si Golesh, i referohet një vargmali të zhveshur ose të shkretë. Është e mundur që karakteri shkëmbor i Mërkonjes dhe i dy vargmaleve fqinje t’i ketë dhënë emrin kësaj zone, por nuk arrita të siguroja ndonjë informacion të saktë për këtë, as për shtrirjen gjeografike të rajonit, ndonëse jam i bindur se kufijtë e tij mund të përcaktohen me saktësi pas një inspektimi në terren.
Rajoni i Labit mban emrin nga lumi, një degë e Sitnicës, dhe përfshin zonën për të cilën u përpoqëm të mësonim sa më shumë që të ishte e mundur gjatë qëndrimit në Prishtinë, sepse ende është krejtësisht e panjohur.
Secili nga këto rajone mund të ndahet në dy pjesë, siç tregon shënimi që bëra: Golaku i Epërm përfshin 19 fshatra që mbajnë kuvendet e tyre në xhaminë e Prapashicës [Prapashticës]. 21 fshatrat e Golakut të Poshtëm mblidhen pranë fshatit Sfircë. 20 fshatrat përreth Prishtinës, nga ana e tyre, kuvendojnë në Orlan [Orllan], dhe 22 fshatrat e Labit mblidhen në Podujevo [Podujevë]. Nga ky shënim mund të kuptohet se shqiptarët dardanë mbajnë kuvende popullore, ashtu siç bëjnë malësorët e mëmëdheut, por, për fat të keq, në Prishtinë nuk kishte një Pater Gabriel për të më shpjeguar në detaje funksionimin e këtyre kuvendeve dardane, siç bëri ai për Alpet e Shqipërisë së Veriut. Për rrjedhojë, nuk arrita të mësoj asgjë më shumë për ta.
Shqiptarët dardanë, ashtu si shqiptarët në malësi dhe në Mirditën e mëmëdheut, janë të ndarë në fise, por uniteti fisnor është më i dobët. Kjo mund të shihet nga fakti se gjakmarrja është çështje familjare dhe jo e tërë fisit. Detyrimi për të marrë hakun bie vetëm mbi të afërmin më të ngushtë të njeriut të vrarë dhe, po ashtu, përgjegjësia për vrasjen i takon vetëm trashëgimtarit më të afërt të vrasësit. Megjithatë, është e diskutueshme nëse parimi “ai që trashëgon, ai merr hakun” është pjesë përbërëse e zakonit këtu – ashtu siç pretendohet. Më i çuditshëm ishte një informacion tjetër që dëgjova në Dediq dhe që u konfirmua nga shqiptarë në Prishtinë: se një vajzë mund të trashëgojë pasurinë e të atit. Me martesën e saj, kjo pasuri kalon në zotërim të një fisi tjetër, sepse, megjithëse fiset janë shumë të shpërndara këtu, zakoni ende nuk lejon martesa midis anëtarëve të të njëjtit fis. Megjithatë, në Prishtinë më informuan se ky rregull nuk respektohet gjithmonë në mënyrë të rreptë. Nëse trashëgimtarja është në gjendje të trashëgojë pronën dhe nëse duhet të martohet me një anëtar të një fisi tjetër, atëherë nga një perspektivë ligjore mungon një tipar kryesor i një fisi, pra koncepti i territorit kompakt fisnor.
Ashtu si në mëmëdhe, klani këtu quhet fis, një term që duket se lidhet me greqishten φύσις. Udhëheqësit pasardhës të fiseve quhen nacer, një fjalë të cilën nuk e kam hasur në mëmëdhe. Ndoshta është me origjinë turke.
Fiset kryesore janë të shpërndara nëpër vend, përafërsisht si vijon: nga 22 fshatrat e Labit, 20 prej tyre janë të klementinëve [Kelmend]. Dy të tjerët i përkasin fisit Betush [Bytyq]. Ata shtrihen nga Podujeva deri në Kurshumli dhe banojnë në shumicën e fshatrave në Dediq. Nga ana tjetër, nuk ka kelmendas në rajonet e Vranjës dhe të Gilanit [Gjilanit]. Të gjithë e konsiderojnë Kelmendin, që jeton në Alpet shqiptare të Veriut dhe që i përket besimit katolik, si fisin e tyre amë nga i cili, në kohë të ndryshme, familje të veçanta janë shpërngulur në Dardani. Grashniqët [Krasniq] gjenden kryesisht në dhe përreth Prishtinës dhe përbëjnë thuajse të gjithë popullsinë myslimane të atij qyteti. Përveç tyre, ka vetëm katërmbëdhjetë shtëpi të fisit Emir, të cilët e konsiderojnë veten si degë e një fisi amë në Novo Brdo [Novobërda]. Këta emirë janë të vetmit myslimanë në vend që kanë prejardhje nga Azia ose, siç thuhet në mënyrë lokale, janë të vetmit osmanlinj në vend.
Golaku i Epërm dhe Golaku i Poshtëm janë fshatrat kryesore të krasniqëve në rajonin e Prishtinës, ku ata janë më pak a më shumë të barabartë në numër me kelmendasit. Ata janë gjithashtu të dukshëm në Leskoc dhe në Mitrovicë, dhe po ashtu gjenden në rajonin e Vranjës.
Të përzier me krasniqët në rajonin e Leskocit janë degët e fiseve Sob (sanë), Berisha dhe Gashi. Sobët janë gjithashtu shumicë në Luginën e Moravicës. Thuajse të gjithë banorët e Karadagut [Mali i Zi i Shkupit] janë të fisit Berisha. Gashi gjithashtu gjendet në rajonin e Masuricës i cili, megjithatë, i përket kryesisht krasniqëve. Gashjanët banojnë në gjashtë fshatra në rrethinën e Leskocit, por nuk kanë lidhje me pjesën tjetër të fisit të tyre në Prishtinë dhe Vranjë. Kryetari i tyre dikur ishte Latif Aga, i njohur në gjithë vendin për trimërinë e tij. Tani është zëvendësuar nga djali i tij i madh, Reshid Aga, vëllai i të cilit, Emini, komandon garnizonin prej pesë vetash në vendrojën në Lebana [Lebane]. Jam mirënjohës për disa nga këto informacione ndaj këtij Eminit dhe njërit prej vartësve të tij i quajtur Hajdar, i cili posaçërisht më ra në sy sepse ishte i vetmi shqiptar i cili, me gjestet e veta, tregonte se u ofronte strehë të tjerëve [jomyslimanëve?]. Më treguan gjithashtu për fise të tjera të mëdha: Gashjanët që janë të shpërndarë gjithandej, dhe Shaljat [Shala] që përbëjnë pjesën kryesore të popullsisë së rajonit të Vuçitërnës [Vushtrrisë] dhe që e njohin Shalën katolike të Alpeve shqiptare të Veriut si fisin e tyre amë.
Këto janë fiset më të mëdha. Megjithatë, ata e ndajnë Dardaninë shqiptare me një duzinë fisesh më të vogla. Këto të fundit mund të ndahen më tej në grupe më të vogla. Për shembull, fisi Berisha ka shtatë degë: 1. Asqur, 2. Ali Shiça, 3. Dodo, 4. Murtur, 5. Livosh, 6. Kuç, 7. Gec, dhe këto degë ndahen në njësi edhe më të vogla. Meqenëse nuk munda të mësoj asgjë të re për këto çështje në Dardani, i lutem lexuesit t’i referohet asaj që kam shkruar tashmë në Albanesische Studien [Studime Shqiptare].
Sa i përket shifrave të popullsisë për shqiptarët dardanë, pika e vetme e besueshme referuese është raporti nga Shtabi i Përgjithshëm i korpusit ushtarak të Rumelisë mbi numrin e rekrutëve që popullsia myslimane në këto rajone të Shqipërisë dardane jep në rekrutimin e klasit të parë në kohë paqeje, në një përpjesëtim prej 5:100. Informacioni tjetër që kam mbledhur në këtë drejtim përputhet me këtë.
_____________
Kurshumlia | 39 |
Leskoci | 84 |
Vranja | 80 |
Prokopi | 45 |
Prishtina and Podujeva | 82 |
Gjilan | 83 |
Total | 413 |
_____________
Kjo përbën një total prej 8 260 shqiptarësh në moshë për rekrutim, sepse popullsia myslimane në këto rrethe është tërësisht shqiptare dhe nuk ka shqiptarë të krishterë atje. Megjithatë, kjo nuk na ndihmon më tej sepse, ndonëse pyeta për një vlerësim të përpjesëtimit të rekrutëve ndaj popullsisë së përgjithshme, nuk mora asnjë përgjigje.
Për fat të mirë, mora një informacion në Gjilan se kishte 3 800 shtëpi në qarkun që mban emrin e këtij qyteti, nga të cilat 2 300 ishin të shqiptarëve myslimanë dhe 1 500 të bullgarëve të krishterë. Ky informacion mund të shërbejë më pak a më shumë si bazë për një llogaritje. Siç vërejta më herët, shqiptarët priren të ruajnë njësite e tyre familjare sa më gjatë të jetë e mundur nga shpërbërja dhe të qëndrojnë brenda tyre, sepse janë më të prirur ndaj gjakmarrjes dhe ligjit të forcës sesa serbët dhe bullgarët. Për këtë arsye, do të vlerësoja se në një familje shqiptare ka të paktën gjashtë persona mesatarisht. Sipas kësaj llogaritjeje, Shqipëria dardane do të kishte një popullsi rreth 70 000 banorësh.
Nëse llogarisim sipërfaqen e këtij rajoni si rreth 80 milje katrorë, atëherë do të kishte një dendësi popullsie prej rreth 900 banorësh për milje katrore.
Përveç rretheve të përmendura më sipër, ka edhe disa të tjera jashtë Lab Golakut dhe rajoneve në Lindje, si Lugina e Moravicës, burimi i Moravës dhe pjesë të Rrafshit të Kosovës. Nga ana tjetër, mund të supozojmë me siguri se listat e përdorura për rekrutim në këtë vend të egër dhe të ashpër janë larg nga të dhënat reale të popullsisë, dhe për këtë arsye dyshoj se shifrat tona janë më shumë më të ulëta sesa të larta. /Telegrafi/
_______________