Nëse ai ka mbështetur krijimin e shtetit të Izraelit, George Soros nuk ka reshtur që prej asaj kohe së ndjekuri evolucionin e së majtës antisioniste, deri në atë pikë sa të financojë OJQ të afërta me islamizmin politik, nga të cilat disa kanë lavdëruar pogromin e 7 Tetorit.
Nga Paul Sygy
György Schwartz lindi në Hungari në 1930 në një familje ashkenaze (babai i tij do ta ndryshonte disa vite më vonë mbiemrin në Soros) dhe asistoi në pushtimin e vendit të tij nga Gjermania naziste, më 19 mars 1944, kur ai kishte vetëm 13 vjeç. Atë vit, historianët vlerësojnë se rreth 825.000 hebrenj jetonin ende në Hungari. Midis majit dhe korrikut, nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Adolf Eichmann, një komandë SS e instaluar në Budapest kontrolloi deportimin e 434.000 hebrenjve hungarezë, kryesisht drejt Auschwitz, ku 80% u vranë që në mbërritjen e tyre në kampin e përqendrimit, në dhomat e gazit. George Soros i shpëtoi fatit të tyre falë bashkëpunimit të një nëpunësi të ministrisë së Bujqësisë, që e mori atë nën mbrojtjen e tij me një identitet të rremë: që prej shpëtimit të tij, ai është një i mbijetuar i Shoah-ut.
Në një artikull në formë manifesti botuar në 2007 në The New York Review për të kritikuar me ashpërsi politikën e George Bush në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e «American Israel Public Affairs Committee (AIPAC)», pika e fortë e të djathtës izraelite në Shtetet e Bashkuara, George Soros shkruante: «Për një kohë të gjatë jam përmbajtur të hyj në debatin mbi Lindjen e Mesme… Unë jam i shqetësuar për qëndrueshmërinë e Izraelit… si një hebre i mbijetuar i Holokaustit kam një ndjenjë përgjegjësie për bashkëbesimtarët e mi hebrenj dhe një shqetësim të thellë për mbijetesën e Izraelit, dhe nuk doja të çoja ujë ë mullirin e armiqve të Izraelit.» Por, që nga ajo kohë, George Soros i la mënjanë këto masa paraprake për t’u futur në një kryqëzatë të ashpër kundër qeverisë izraelite, deri në atë pikë sa të financojë masivisht, përmes Open Society, organizata antisioniste me lidhje herë pas here të turbullta me armiqtë e sigurisë së Izraelit.
Këto lidhje arritën deri në atë pikë sa që autoritetet izraelite dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë denoncuar ndonjëherë një bashkëpjesëmarrje pasive të Soros në ringjalljen e antisemitizmit, në Lindjen e Mesme dhe në Perëndim. Paradoksi bëht edhe më i madh, kur mëson se George Soros vetë, si hebre që shpëtoi nga Holokausti, është vërnë një shënjestrën e së majtës progresiste, duke u shnderuar njëkohësisht në një objekt fushatash me nuanca antisemitike.
Në 2017 në Hungari, Viktor Orban e bëri Soros-in armikun e tij të preferuar politik, duke organizuar fushata me postera të shpërndara në mbarë territorin kombëtar. Ai e akuzonte për mbështetje të shoqatave pro-migracion dhe përpjekje për të manipuluar opozitën socialiste, duke e shndërruar figurën e Sorosit në simbol të gjitha mitologjive të teoricienëve të komplotit. “Tentakulat e çifutit Soros janë shtrirë në politikën evropiane dhe amerikane” shkruhej në pankartat e partisë së Orbanit.
«Hebreu Soros» u fut kështu në listën e figurave satanizuese të gjuetisë të shtrigave ndërkombëtare: nga Henry Kissinger, e deri tek financuesi i famshëm amerikan i NASDAQ, Michael Milken. Sipas Rudy Reichstadt, kundërshtarit të madh të teorive të komplotit dhe antisemitizmit, ai u shndërrua në «një sinonim të’oktapodit që është kafsha-totem e ikonografisë konspiracioniste».
Nuk ka dyshim, George Soros nuk lë askënd indiferent. Angazhimet politike shumë të majta e kanë bërë atë shënjestër të lëvizjeve konservatore, ndërsa hebraizmi i tij ushqen njëkohësisht dy ndjenja instinktive që reflektohen si në pasqyrë: disa e urrejnë se janw antisemitë ndwrsa tw tjerë ankohen se këto fushata shpifjeje nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxjerrin Soros-in të pafajshëm për gabimet e tij.
Kështu, një teoricien amerikan i komplotit, Lyndon LaRouche, ka hedhur në treg idenë sipas së cilës George Soros si adoleshent kishte kryer krime në bashkëpunim me nazistet, gjatë pushtimit të Hungarisë. Kjo tezë e gënjeshtërt është përsëritur shpesh nga ata që duan ta diskreditojnë Soros-in dhe të fshehin rrethanat që e shpëtuan atë nga kampet e vdekjes: Baumbach, nëpunësi administrativ, të cilit i ati i Sorosit i besoi shpëtimin e të birit, u ngarkua, më pas, nga qeveria kuislinge hungareze të bënte disa shpronësimeve të hebrenjve hungarezë. Po askush s mund të thotë se ku hyn këtu fajësia e një djaloshi adoleshent.
E vërteta është se nënpunësi e bënte këtë kompromis për të mbrojtur bashkëshorten e tij, e cila ishte vetë hebreje. Siç e ka treguar gazetarja amerikane Nadine Epstein, Soros shpesh i ka rrëfyer këto episode më vonë në intervista, për të shpjeguar se ai kishte mësuar të jetonte në një botë pa rregulla për të justifikuar lehtësinë me të cilën ai lundronte në universin e financës dhe tsë tregut. Kundërshtarët e tij e kanë përdorur këtë anekdotë për ti hedhur fajin një adoleshenti 13-vjeçar duke i vënë mbi shpinë krimet e njeriut që e kishte marrë nën mbrojtje për ta shpëtuar nga deportimi. Edhe sot, personalitete pranë Benyamin Netanyahu-t dhe shumë të tjerë, që për shkak të moshës nuk i përjetuan vuajtjet e padurueshme që shumë hebrenj pësuan në vendet e pushtuara, e përdorin këtë rrëfim për ta trajtuar Soros-in si nazist.
Të nazistifikosh Soros-it është për më tepër qesharake ngaqë angazhimi i tij politik dhe itinerari i tij intelektual kanë në thelb, siç e pamë, mbrojtjen e shoqërive të hapura përballë regjimeve fashiste dhe komuniste. Megjithatë, marrëdhëniet që ka krijuar Soros me Izraelin janë në të vërtetë ambigue. Open Society më shumë se një herë është detyruar të bëjë hapa pas përballë devijimeve të organizatave për të cilat Soros kishte menduar se do të ishin hallka të dobishme për të majtën izraelite, por që përfundimisht dolën të lidhura me armiqtë vdekjeprurës të shtetit hebre.
George Soros nuk e ka fshehur kurrë mbështetjen e tij për opozitën ndaj Likud-it, entuziazmin e tij për nënshkrimin e marrëveshjeve të Oslos dhe simpatinë e tij ndaj Yitzhak Rabin, të cilin ai e ka përshkruar si kryeministrin më të mirë që ka pasur shteti i Izraelit. Në tekstin e tij të vitit 2007, Soros e konsideron AIPAC (dhe sionizmin e djathtë në përgjithësi) si pjesërisht përgjegjës për forcimin e armiqve të Izraelit nëpër botë, duke refuzuar «dogmatizmin» e Bush-it, që atëherë refuzonte të njihte zgjedhjet me të cilat Hamasi sapo kishte ardhur në pushtet në Gaza. Soros bënte thirrje për një njohje nga Shtetet e Bashkuara të një qeverie palestineze që përfshinte Hamasin dhe dënonte zgjedhjen (të mbështetur nga AIPAC) për ta konsideruar Hamasin si një organizatë terroriste.
Sulmi i 7 tetorit 2023 provoi përpara syve të gjithë botës natyrën e vërtetë të Hamasit, por, për Sorosin ka qenë fillimisht intoleranca e izraelitëve dhe e amerikanëve ajo që e shtyu Hamasin të pëdorte dhunën terroriste kundër Izraelit. Duke bashkuar fjalën me veprën, Soros nuk ka pushuar së financuari organizatat pro-palestineze, por këto veprime filantropike e kanë çuar disa herë drejt subvencionimit të krahut të armatosur të antisemitizmit botëror dhe të luftës terroriste kundër shtetit hebre.
Kështu, në vitin 2020, Open Society akordoi një çek prej gjysmë milioni dollarësh për një OJQ pseudo-humanitare, Islamic Relief Worldwide, e konsideruar terroriste në Izrael, të cilën shërbimet qeveritare e akuzonin se financone Hamasin, dhe që për disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë, shihej si e lidhur me Vëllezërit Myslimanë. Në atë periudhë, verën e vitit 2020, drejtori i degës austriake të Islamic Relief Worldwide, Heshmat Khalifa, u detyrua të japë dorëheqjen pasi kishte deklaruar se hebrenjtë ishin “nipërit e majmunëve dhe të derrave”. Polemika do të ishte mbyllur, po të mos ishte pasardhësi i tij, Almouztat Tayara, i cili gjithashtu dha dorëheqjen pasi mbështeti Hamasin si “forcën më të madhe të rezistencës në historinë moderne”, duke shpërndarë në Facebook karikatura ku Barack Obama paraqitej nga hebrenjtë me një kravatë të stolisur me yllin e Davidit.
Në total, Open Society mendohet të ketë shpenzuar mbi 13 milionë dollarë për organizata të afërta me Hamasin ose që kanë justifikuar sulmet e 7 tetorit. Midis përfituesve të këtyre fondeve të shpërndara përmes Tides Center, gjendet Adalah Justice Project (AJP), një shoqatë e vogël amerikane, e cila shpërndau imazhe pas 7 tetorit duke deklaruar se ky sulm terrorist përbënte “një akt rezistence dhe një reagim natyral ndaj shtypjes”. Në të njëjtën kohë, sipas një raporti hetimor të Parlamentit Evropian, Open Society shpenzoi 3 deri në 5 milionë dollarë për organizata të tjera të lidhura me qeverinë iraniane.
Një artikull i New York Post tregoi gjithashtu se Open Society kishte akorduar në vitin 2018 një subvencion prej 60,000 dollarësh për Arab American Association of New York, e cila më pas organizoi një tubim në Brooklyn gjatë të cilit u hodhën slogane që bënin thirrje për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Përballë disa zbulimeve të kësaj natyre, Open Society është detyruar të tërhiqet, veçanërisht duke ndaluar subvencionet për shoqata humanitare në Turqi apo në Indonezi, të cilat u zbuluan si maska të propagandës islamiste.
Djali i vogël i George Soros, Alexander, i cili mori drejtimin e Open Society në vitin 2023, iu përgjigj akuzave në një deklaratë të ribotuar në vitin 2024 nga agjencia Jewish News Syndicate, ku kujtoi se vepra e të atit kishte pasur gjithmonë për qëllim “të luftojë urrejtjen etnike, fetare dhe racore në të gjitha format e saj”, përfshirë antisemitizmin. Në përgjigje të ambasadorit izraelit pranë Kombeve të Bashkuara, Gilad Erdan, i cili e cilësoi si “turp” mbështetjen e Open Society për “organizata që kërkojnë të shkatërrojnë Izraelin”, Alex Soros kujtoi se Open Society lufton antisemitizmin dhe se organizata e tij dënon gjithashtu “përdorimin mashtrues të këtij termi si armë për të mbyllur debatin”. Me këtë rast ai njoftoi një fond të ri prej gjysmë milioni dollarësh për të luftuar antisemitizmin. Edhe Aleksi sbëri asgjë më shumë se besnikëria ndaj metodës së babait të ti: kur një çek nxit polemika duhet nënshkruar një tjetër për të mbështetur një kauzë që të nxjerr nga situata e vështirë që ka krijuar i pari.
Përktheu nga Le Figaro T. Çela, Lapsi.al