Connect with us

Albania

Kriza e mbetjeve në Shqipëri: Nyja lidhëse mes krimit të organizuar dhe fondeve publike

Published

on

Sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është joefikas dhe i korruptuar, me kontraktorë të lidhur ngushtë me politikanë apo grupe të akuzuara për krimit të organizuar, ndërsa qytetarët përballen me ndotje, abuzim fondesh dhe mungesë transparence.

Nga Geri Emiri, Erjola Azizolli, Bardha Nergjoni dhe Xhevahir Zhabina

Në një rrip toke mes lumit Erzen dhe një ligatine të gjelbër në fshatin Shetël të Shijakut, grumbujt e mbetjeve urbane janë pjesë e pandashme e peizazhit. Dikur habitat për shpendë dhe gjallesa të tjera ujore, ligatina po e humbet funksionin e saj natyror për shkak të ndotjes nga mbeturinat.

Sipas banorëve dhe dëshmive të mbledhura nga BIRN, kamionët e kompanisë “AMR”, kontraktore e Bashkisë Shijak, kanë shkarkuar aty për vite me radhë, jo vetëm nga zonat përreth, por edhe nga fshatra më të largët si Maminasi.

Advertisement

Fenomeni u bë i dukshëm vetëm pas rënies së një serie zjarresh, që zbuluan shtresat e plehrave dhe tërhoqën vëmendjen e mediave.

“Kanë tre vjet që i sjellin këtu,” tha për BIRN Demir Stafa, banor i zonës. “Jemi mësuar të mbyllemi brenda për t’i shpëtuar erës së rëndë, por askush nuk merr masa,” u ankua ai.

Më 8 gusht, Prokuroria e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi kompaninë “AMR”, pasi pronari i saj, Fadil Balla akuzohet se është përfshirë në një rrjet kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Gjatë pesë viteve të fundit, kompania përfitoi tre kontrata publike nga Bashkia Shijak me vlerë totale 1.9 milionë euro – të gjitha të fituara pa konkurrencë.

Advertisement

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN, bashkitë e vendit shpenzojnë çdo vit dhjetëra miliona euro për pastrimin, gjelbërimin dhe depozitimin e mbetjeve urbane, por shumica e këtyre fondeve përfundojnë tek një grusht kompanish që operojnë koncesione, që janë nën hetim për korrupsion si dhe te kompani që kanë lidhje me anëtarë të krimit të organizuar.

Në gjashtë vitet e fundit, më shumë se 1/3 e fondeve të trajtimit të mbetjeve ka shkuar në llogaritë e kompanive të sekuestruara koncesionare që operojnë tre landfillet e tejmbushura me plehra të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Ndërkohë, dhjetra milionë euro janë përfituar nga kompani të lidhura me grupe të krimit të organizuar nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge.

Advertisement

Venddepozitimi ilegal mes fushave të fshatit Shetël ka sot një volum të reduktuar mbetjesh për shkak të zjarrit që shpërtheu në qershor. Mbi pirgjet e krijuara ndër vite është hedhur një shtresë dheu, duke mbuluar gjurmët e grumbullimeve të përsëritura të plehrave në këtë zonë.

Ndryshe nga sa BIRN konstatoi në terren, Bashkia Shijak deklaroi se “hotspoti i krijuar është evaduar.”

“Në Fshatin Shëtel të Nj.Ad.Gjepalaj kanë qenë krijuar disa hotspote, të cilat janë marrë masat dhe janë pastruar,” tha bashkia Shijak në një përgjigje me shkrim. Kompania “AMR” nuk i komentoi akuzat e banorëve, vendimin për sekuestron dhe hetimet e SPAK deri në publikimin e këtij shkrimi.

Advertisement

Si i doli tymi skemës së djegësve

Bashkia e Durrësit i transporton mbetjet në landfillin e Sharrës me një kosto të lartë financiare. Foto: Geri Emiri.

Menaxhimi i mbetjeve urbane është një ndër problemet më të mëdha mjedisore të Shqipërisë së tranzicionit. Vetëm gjatë vitit 2023, bashkitë llogaritën së bashku rreth 844 mijë ton mbetje të menaxhuara, ndërsa tonelata të tjera shfaqen të hedhura në venddepozitime ilegale me rrezik të lartë ndotjeje ose transformimi në vatra zjarresh.

Në kodrat e Sharrës, në periferi të Tiranës, shtatë vite më parë qeveria vendosi të ndërtonte, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, një djegës për mbeturinat e ngurta urbane, i cili parashikohej të prodhonte edhe energji elektrike.

Inceneratori nuk u ndërtua kurrë, ndërsa kompania që mori përsipër ndërtimin e tij, “Integrated Energy BV”, u vu nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme, mes dyshimeve për korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Sipas SPAK, kompania kontrollohej de fakto nga biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët janë dënuar për korrupsion dhe gjenden në arrati.

Advertisement

Të dhënat e Thesarit tregojnë se bashkitë kryesore të vendit kanë shpenzuar mbi 260 milionë euro në gjashtë vitet e fundit vetëm për pastrim, gjelbërim dhe depozitimin e mbetjeve. Rreth  një të tretat e kësaj shume, rreth 90 milionë euro, kanë shkuar për kontratat koncesionare për incenerimin ose depozitimin e mbetjeve në landfill.

Më 16 prill, Gjykata e Tiranës shpalli fajtorë për shpërdorim detyre shtatë ish-zyrtarë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, për kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës. Ish-deputeti socialist Alqi Bllako, i gjykuar veçmas për të njëjtën aferë, u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg.

Inceneratori i Tiranës është projekti më i madh nga tre projektet e debatueshme të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për trajtimin e mbetjeve urbane përmes incenerimit. Tarifa e incenerimit vlerësohej se do t’u kushtonte taksapaguesve qindra milionë euro gjatë një periudhe 30-vjeçare.

Advertisement

Një projekt i ngjashëm, por më i vogël, i financuar nga buxheti i shtetit në Fier, nuk u vu kurrë në punë, ndërsa inceneratori i Elbasanit funksionoi për pak kohë dhe sot është jashtë përdorimit.

Për menaxhimin e zonës së mbetjeve dhe inceneratorit, në vitin 2021, shtatë bashkitë e qarkut Elbasan themeluan kompaninë publike “Eco-Alb”. Në shkurt 2025, kjo kompani, përmes një analize kostosh të zhvilluar me “Filto Auditing”, konstatoi se kostoja minimale e trajtimit të mbetjeve për vitin 2025, pa incenerator, është 2,600 lekë për ton, ndërsa me incenerator në punë arrin në 5,000 lekë për ton – gati dyfish. Sipas raportit, nëse turbinat për prodhimin e energjisë do të viheshin plotësisht në funksion dhe inceneratori do të punonte me kapacitetin teknik të lejes mjedisore, atëherë çmimi për mbulimin e kostove do të zbriste në 4,200 lekë për ton.

Administratori i “Eco-Alb”, Leli Kaja, që menaxhon zonën e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, la të kuptohej gjatë një interpelance me Këshillin Bashkiak më 29 korrik se inceneratori nuk do të vihej më në punë, duke e konsideruar situatën emergjente. “Duhet ndërtuar një landfill i ri. Sasia e mbetjeve ka arritur të shembë disa skarpata anësore të landfillit,” tha ai, duke akuzuar këshilltarët bashkiakë për mungesë mbështetjeje.

Advertisement

Sipas tij, çdo ditë në landfillin ekzistues hyjnë mbi 150 ton mbetje dhe është e pamundur të menaxhohet kjo sasi. “Do të ketë përsëri rrezik,” paralajmëroi ai.

Interpelanca, e thirrur pas një zjarri në fillim të korrikut, nxori sërish në pah krizën e thellë të trajtimit të mbetjeve për shkak të dështimit të projektit të inceneratorëve. Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar buxhetit rreth 50 milionë euro. Të tre projektet e inceneratorëve kanë gjeneruar kosto të larta për taksapaguesit dhe janë kthyer në kriza mjedisore për bashkitë që duhej të trajtonin mbetjet në to.

Lidhjet me krimin e organizuar

Advertisement
Automjetet e transportit të mbetjeve të parkuara në “Ajman Park Resort”. Foto Geri Emiri.

Në një cep të parkimit të madh të “Ajman Park Resort” – një kompleks luksoz për organizimin e festave me shërbime hoteli dhe restoranti – qëndrojnë të rreshtuara edhe automjetet që mbledhin mbetjet urbane të Bashkisë Shijak dhe të njësive të saj administrative.

Kompania “AMR” sh.p.k., e krijuar në vitin 2015, hyri në sektorin e pastrimit dy vite më vonë, kur së bashku me kompaninë “Alb Garden” fitoi tenderin e parë për shërbimin e tërheqjes së mbetjeve urbane, me një vlerë gati 343 mijë euro.

E ardhmja e këtij shërbimi në Shijak u vu në pikëpyetje më 8 gusht, kur, pas një operacioni të përbashkët të SPAK dhe autoriteteve të huaja, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e “AMR” sh.p.k., në pronësi të Fadil Ballës.

I njohur në zonë edhe si “Julian” apo “Jul Balla”, ai akuzohet për përfshirje në një nga organizatat më të fuqishme shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila dyshohet se ka trafikuar të paktën 28 ton kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Advertisement

“AMR” nuk është e vetmja kompani aktive në sektorin e grumbullimit të mbetjeve që dyshohet për lidhje me krimin e organizuar. Në qarkun e Elbasanit, kompania “Viola Green” sh.p.k. ka përfituar gjatë gjashtë viteve të fundit më shumë se 8 milionë euro për pastrimin e mbetjeve nga bashkitë Kuçovë, Rrogozhinë dhe Peqin.

Një nga tre aksionerët e kësaj kompanie, Marsel Shega, gjithashtu i njohur si Bujar Shega, është arrestuar nga SPAK në Itali si pjesë e organizatës kriminale të udhëhequr nga Suel Çela, e cila, sipas prokurorëve, kishte lidhje të ngushta me politikën, policinë dhe gjyqësorin.

Më në veri, në Lezhë, pastrimi i qytezës bregdetare të Shëngjinit i është besuar nga bashkia kompanisë “Coral Shengjini”. Ish-pronari i kësaj kompanie, Ardian Nikulaj, ka garuar në vitin 2021 si kandidat për deputet për Partinë SocialDemokrate dhe në formularin e vetëdeklarimit ka specifikuar se ishte dënuar për armëmbajtje pa leje në vitin 2003 dhe për kontrabandë në vitin 2006.

Advertisement

Në vitin 2023, Nikulaj u ekzekutua në hotelin e tij në Shëngjin, në një vrasje me stil mafioz, për arsye gjakmarrjeje nga një shtetas portugez.

Një tjetër kompani, “REJ” sh.p.k., ka përfituar rreth 8 milionë euro në gjashtë vjet nga bashkitë Shkodër, Pogradec dhe Himarë për kontrata për pastrimin e mbetjeve urbane. Aksioner i saj në minorancë është kompania “KLIVA” sh.p.k. në pronësi të Gzim Salillarit, i cili, sipas autoriteteve italiane, kontrabandonte drogë në qytetin jugor të Barit nga porti shqiptar i Durrësit në fund të viteve 1990.

Salillari u dënua nga një gjykatë e Barit në vitin 2002, por nuk e vuajti dënimin falë një vendimi të Gjykatës së Lartë në Shqipëri dhe një procesi faljeje nga Ministria italiane e Drejtësisë.

Advertisement

Në biznesin e bashkive për trajtimin e mbetjeve urbane operojnë edhe kompani të hetuara për probleme me tenderat. Njëra prej tyre është “V.A.L.E Recycling”, e cila operon gjithashtu në fushën e riciklimit të mbetjeve spitalore, e cila ka përfituar rreth 2.1 milionë euro nga kontratat e grumbullimit dhe depozitimit të mbetjeve me bashkitë e Laçit dhe të Lezhës.

Administratori i kompanisë, Elvis Miri është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme tenderë nga spitalet. Miri i ka kundërshtuar akuzat në deklarimet e tij në Prokurori.

Turizmi, peng i mbetjeve 

Advertisement
Zjarrfikës duke u përpjekur të shuajnë zjarrin në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë. Foto arkivë nga Jerola Ziaj.

Gjatë muajve të nxehtë të verës, kur dielli i mëngjesit lind mbi gjirin e Vlorës, qyteti shpesh zgjohet jo me aromën e jodit dhe erën e kripur të detit, por nën një perde të dendur tymi ngjyrë gri që ngrihet ngadalë nga fusha e grumbullimit të mbetjeve në periferi. Është një pamje apokaliptike e përsëritur prej vitesh.

“Dëmi i shkaktuar nga djegiet përbën një krim mjedisor ndaj qytetarëve dhe dëmton rëndë turizmin,” tha për BIRN ambientalisti Simo Ribaj, i cili prej vitesh ndjek situatën.

Ai ngriti pyetje mbi mungesën e hetimeve efektive: “Përse nuk është zbuluar asnjë autor i ndezjes, pavarësisht përsëritjes së rasteve?”

Për vite me radhë, qyteti turistik i Vlorës i vari shpresat te landfilli i Sherishtës – një projekt i integruar për menaxhimin e mbetjeve me vlerë 20.8 milionë euro, i financuar nga banka gjermane KfW, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi që paguhen nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër grante.

Advertisement

Projekti iu besua kompanisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe ngeci në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, i dënuar nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash me koncesionet e inceneratorëve.

Megjithëse landfilli i ri i Sherishtës u hap zyrtarisht në prill, deri në muajin qershor mbetjet urbane të Vlorës vazhdonin të hidheshin në venddepozitimin e vjetër pranë qytetit. Punimet në landfillin e Sherishtës duhej të kishin përfunduar në vitin 2021.

Kosto e lartë, eficiencë e ulët

Advertisement
Mbetjet urbane në Stacionin “Iliria” në Plazhin e Durrësit. Foto: Geri Emiri.

Ndërsa vonesat në hapjen e landfillit të ri në Vlorë sollën kosto mjedisore, mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos në qytetin e Durrësit dhe transferimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës në Tiranë ka sjellë një faturë të lartë financiare.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2020–2023 tregon se rreth 30% e buxhetit të Bashkisë Durrës përdoret për menaxhimin e mbetjeve urbane – shumë mbi normat e rekomanduara nga OKB-ja prej 3–15%. Qyteti dhe njësitë administrative menaxhohen nga dy ndërmarrje publike për pastrimin, ndërsa për zonat më të largëta si Sukthi dhe Ishmi, bashkia ka kontraktuar kompaninë private “AFA GRUP” sh.p.k.

Sipas Planit Sektorial Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, Bashkia Durrës duhet t’i depozitojë mbetjet në landfillin e Sharrës, por mund të ulë kostot përmes ndërtimit të një stacioni transferimi.

“Ky dokument parashikon ndërtimin e stacioneve të transferimit, që lejojnë transportin e mbetjeve me mjete me tonazh më të lartë, duke reduktuar kostot dhe distancat e transportit,” tha për BIRN eksperti i mjedisit, Erni Kocani. Sipas tij, bashkia duhet të nisë investimet në këtë drejtim.

Advertisement

Buxheti i ndërmarrjes publike që mbulon kryesisht zonën urbane të qytetit është dyfishuar vitet e fundit, duke arritur në rreth 4.6 milionë euro, ndërsa ndërmarrja që mbulon zonën e Plazhit ka regjistruar një rritje të lehtë, me rreth 2.1 milionë euro në vit.

Megjithatë, një vëzhgim i BIRN në disa lagje të Durrësit tregoi se pasdite kontejnerët janë shpesh të mbushur përtej kapacitetit, me mbetje të hedhura jashtë tyre edhe në zona turistike si Plazhi. Bashkia tha se gjeneron dhe evadon mesatarisht 185 ton mbetje në ditë dhe se gjatë sezonit turistik, grumbullimi kryhet 3-4 herë në ditë në zonat e banuara, tregtare dhe bregdetare.

Sipas Kocanit, sektori i menaxhimit të mbetjeve urbale përballet sot me një sërë problematikash, të cilat kërkojnë investime për rehabilitim dhe standardizim të shërbimit.

Advertisement

“Pas reformës territoriale, bashkitë trashëguan rreth 190 venddepozitime ilegale me përmasa të ndryshme. Për shembull, edhe sot Bashkia Tepelenë depoziton mbetjet në brigjet e lumit Vjosa,” përfundoi ai.

Continue Reading

Albania

“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.

Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.

“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.

“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.

Advertisement

“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.

Continue Reading

Albania

“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë

Published

on

By

Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.

Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.

Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.

Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.

Advertisement

Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.

Continue Reading

Albania

Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë

Published

on

By

Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE

Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?

Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.

Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.

Advertisement

Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.

Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.

Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.

Advertisement

Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.

Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.

Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.

Advertisement

Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.

Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.

Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.

Advertisement

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.

Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.

Advertisement
Continue Reading

Live ALBUK TV

UK23 hours ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania1 day ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania3 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Sports23 hours ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania1 day ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania2 days ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Kosova17 hours ago

Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes

UK2 days ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Albania2 days ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Albania2 days ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Albania5 hours ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Bota17 hours ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK1 day ago

Spitalet paralajmëruan se kriza e kujdesit në fund të jetës kërcënon trajtimin

Bota1 day ago

Përplasjet kufitare Taxhikistan-Taleban: Çfarë fshihet pas tyre, pse ndikojnë në Kinë?

Trending