Rikthehen tërmetet e forta në Shqipëri. Sizmologu Dëfrim Shkupi thotë për “Shekullin” se janë pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Ai bën me dije se një tërmet i fortë mund të ndodhë pas 90 vjetëve.
Tërmeti i mbrëmjes që lamë pas në orën 21:17, me magnitudë 4.8 solli sërish panikun e dy muajve më parë. Epiqendra e tij ishte në fshatin Bubq, por lëkundjet e tij u ndjenë në çdo qytet, duke rikthyer edhe njëherë frikën dhe pasigurinë qytetarët. Por çfarë thonë sizmologët për këtë goditje? Dhe sa janë gjasat për një tërmet më të fuqishëm se ai i 26 nëntorit, me magnitudë 6.3?
Sizmologu Dëfrim Shkupi, thotë për “Shekulli”-n se ky tërmet është një post-goditje e atij të 26 nëntorit duke shtuar më tej se lëkundjet do të vazhdojnë. Ai thotë se goditja më e madhe ka kaluar dhe gjasat për një tërmet me përmasat e atij të 26 nëntorit, mund të ndodhin vetëm pas 90 viteve. “Kjo është pasojë e tërmetit të 26 nëntorit dhe do vazhdojnë edhe të tjerë. Janë pasojë për lëkundjet për inerci të goditjes së madhe. Po të kujtojmë tërmetin që ndodhi në Aqulia të Italisë, zgjati afro dy vite. Është normale e gjithë kjo situatë. Kryesoja e gjithë kësaj është se e keqja ka kaluar, për hir të vërtetës. Me këtë lloj tërmeti, sipas statistikës të përpiluar nga sizmologu Bexhim Muço, këto lloj tërmete ndodhin njëherë në 90 vjet. Ky tërmet krahasohet me atë të 1926. Ky tërmet mund të përsëritet vetëm pas 90 vitesh. Nuk duhet panik”, thekson ai.
Dëfrim thotë se këto tërmete janë të kontrolluara dhe të gjithë ekspertë e fushës ndajnë të njëjtin mendim, se lëkundjet do të ndihen për muaj me radhe e ndoshta vite. “Nga ana profesionale, u them që këto lloj tërmetesh janë në qendër të gjithë stacioneve botërore, pra kontrollohen dhe mendimi është i njëjtë. Pra, shfryrje, lëkundjet do të vazhdojnë. Nuk do të ketë më tërmet me të njëjtën magnitudë. Tërmetet mund të ndodhin në vende të tjera, siç është në Stamboll por nuk ka asnjë ndikim te ne”, bën me dije ai. Sakaq, sqaron se zonat ujore gjithmonë e kanë probabilitetin më të lartë për të ndjerë tërmetin më fortë. “Tërmeti që ndodhi në Durrës, në Tiranë u ndie vetëm gjysma e tij, sepse distanca nga epiqendra e amortizon, po ashtu e amortizojnë edhe formacionet mbi të cilat janë ndërtuar qendrat urbane. Ku ka zona me shkëmbinj të fortë, ulet 1.5 ballë ndikimi i tërmetit. Po qenë formacione, si Këneta e Durrësit apo Thumana, rritet me 1 ballë. Ndaj dhe nuk këshillohen që të bëhen ndërtime në zona që janë mbi formacione gjeologjike shumë të dobëta dhe ujëmbajtje”, nënvizon ai.
Tërmetet duket se po përhapen në gjithë Europën. A janë këta ndikim i njëri-tjetrit dhe sa i rrezikuar është vendi ynë nga lëkundjet e shteteve fqinje? Sizmologu thotë se tërmeti i rënë në Turqi apo në Greqi, nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, duke mos qenë pasojë e njëri-tjetrit pasi janë ndikime nga pllaka të ndryshme. “Litosfera është ndërtuar nga disa pllaka globale të mëdha, siç është Azia, Afrika, Australia, ose pllaka oqeanike e Paqësorit. Por ka edhe pllaka të vogla, siç është pllaka Arabike që ndikon te tërmeti Turqisë. Pllaka e Adrias, p.sh. ndikon te tërmetet tona. Janë përplasje të këtyre pllakave. Konkretisht, Adria futet poshtë truallit Arbëror, duke krijuar përplasje shkëmbore, të cilat krijojnë disa bomba atomike, që shkarkohen”, tha ai.