Gjenerali në pension Wesley Clark, ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ambiciet e Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë dhe më gjerë.
Clark, një figurë me përvojë të gjerë ushtarake dhe diplomatike, ka analizuar situatën aktuale të luftës në Ukrainë, negociatat për paqe dhe implikimet e mundshme të garancive të sigurisë për Ukrainën, duke paralajmëruar se Putini ka synime që shtrihen përtej kufijve të Ukrainës.
Gjatë intervistës për Abc News Clark u shpreh se Vladimir Putin ka një vizion afatgjatë për të rikthyer ndikimin e ish-Bashkimit Sovjetik, ku shefi i Kremlinit e ka konsideruar shpërbërjen e tij si “tragjedinë më të madhe të shekullit të 20-të”.
Sipas Clark, Putini ka punuar me këmbëngulje dhe me një qasje metodike për të realizuar këto ambicie, duke përdorur dhunën për të zgjeruar ndikimin rus.
“Ai dëshiron të gjithë Ukrainën, Baltikun, dëshiron të ndryshojë orientimin e Rumanisë, Bullgarisë, Polonisë, ndoshta të përfundojë në Gjeorgji dhe Moldavi. Këto janë synime të mëdha dhe ai i arrin ato hap pas hapi”, tha Clark.
Ai shtoi se Putini mund të përdorë negociatat për paqe si një mjet për të fituar kohë, duke kërkuar lehtësimin e sanksioneve dhe hapjen e mundësive ekonomike për Rusinë.
Clark paralajmëroi se mungesa e një kërkese të qartë për çmobilizimin e forcave ushtarake ruse dhe ndalimin e ndërtimit të kompleksit ushtarak-industrial mund të krijojë kushtet për një valë të re të ekspansionit rus në Evropë.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara gjatë intervistës ishte mundësia e garancive të sigurisë për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Clark shprehu skepticizëm lidhur me vlerën e këtyre garancive, duke theksuar se ato mund të jenë të vështira për t’u zbatuar dhe mund të mos ofrojnë mbrojtjen e nevojshme për Ukrainën. Ai vuri në dukje presionin e madh që po ushtrohet mbi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë negociatave për paqe.
Sipas Clark, nëse Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ofron Zelenskyy-t një garanci sigurie dhe i kërkon të pranojë kushte të caktuara, mund të jetë e vështirë për Ukrainën të refuzojë, pavarësisht dëshirës së saj për të ruajtur integritetin territorial.
“Nëse Presidenti Trump thotë, ‘Duhet ta bësh këtë, dhe ja garancia ime e sigurisë,’ atëherë po shohim një dorëzim në kohë reale” tha Clark, duke shtuar se një marrëveshje e tillë mund të çojë në zhvendosjen e më shumë se 200,000 personave nëse Ukraina detyrohet të heqë dorë nga territoret e saj.
Clark kritikoi politikën e SHBA-ve ndaj Rusisë gjatë administratave të ndryshme, duke theksuar se ajo ka dështuar të ndalojë përpjekjet ekspansioniste të Putinit.
Ai përmendi rastin e pushtimit të Krimesë në vitin 2014, kur SHBA-të këshilluan Ukrainën të mos kundërshtonte aneksimin për të shmangur provokimin e Putinit.
“Ka një histori të gjatë të mossuksesit për t’u përballur me Putinin”, tha Clark, duke sugjeruar se kjo qasje ka inkurajuar agresionin e mëtejshëm
Intervista vjen në një moment kyç, pas takimit të fundit mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe Vladimir Putinit në Alaska, ku u diskutuan përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje për Ukrainën.
Trump ka shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë, por Putini ka vendosur kushte të rënda, duke përfshirë kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit dhe refuzimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Clark, në intervistën e tij, paralajmëroi se një marrëveshje e nxituar mund të jetë e dëmshme për interesat e Ukrainës dhe të destabilizojë Evropën.
Në një intervistë të mëparshme për CNN, Clark kishte kritikuar qasjen e Trumpit ndaj Putinit, duke e quajtur të pamjaftueshme për të ndalur agresionin rus. Ai sugjeroi që në vend të postimeve në rrjetet sociale që i bëjnë thirrje Putinit të ndalojë sulmet, Trump duhet të forcojë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe të tregojë vendosmëri për të mbështetur Kiev-in derisa Rusia të pranojë se nuk mund të fitojë ushtarakisht.
Clark theksoi rëndësinë e Ukrainës për stabilitetin ekonomik dhe moral të Evropës, duke paralajmëruar se një kolaps i Ukrainës mund të ketë pasoja të rënda për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
“Evropa është partneri ynë më i madh tregtar dhe investitori më i madh në SHBA. Nëse Ukraina bie, do të ketë paqëndrueshmëri dhe zhvendosje ekonomike në të gjithë Evropën”, tha ai.
Clark shprehu shqetësimin se Putini mund të përpiqet të dobësojë NATO-n dhe të krijojë përçarje mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj evropianë.