Ish-zv.drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima është kthyer pranë familjes.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, përmes një njoftimi zyrtar. Ai u denoncua i zhdukur nga familjarët pasditen e së mërkurës.
Në njoftimin për mediat, Policia bën të ditur se Shima është paraqitur në komisariatin nr.1 në kryeqytet dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.
Po ashtu mësohet se gjatë deklarimeve që Shima ka dhënë pas rikthimit ka pohuar se ishte larguar në jug të vendit, pas një sherri që kishte pasur me të dashurën e tij, por pa dhënë shpjegime lidhur me mesazhin e dhënë familjes se po e arrestonte policia.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë -Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.