Parlamenti grek ratifikoi sot marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e ka cilësuar këtë si një tjetër lajm të mirë për për diplomacinë e Shqipërisë e veçanërisht shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Edhe një lajm i mirë për diplomacinë e Shqipërisë e veçanërisht shqiptarët që jetojnë në Greqi. Parlamenti grek tashmë ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë”, ka theksuar Cakaj.
Sipas tij, “kjo marrëveshje lehtëson lëvizjen e shtetasve grekë dhe shqiptarë, si dhe kursen kohën e tyre të vyer nga procedurat e zgjatura dhe paratë e shumta për pajisjen me leje drejtimi”.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshje është në frymën e përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për të ndërlidhur objektivat madhorë të politikës së jashtme me çështjet ditore të shqiptarëve”, ka theksuar ai./ATSH/