Një përplasje e fortë politike ka shpërthyer mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, pas deklaratave të këtij të fundit se BDI dhe LSDM po përgatisin një “plan të fshehtë” për të rrëzuar procesin zgjedhor.
Në një reagim të ashpër, BDI i cilësoi deklaratat e Mickoskit si “shpifje të pastra”, “tentativë e dështuar për të fshehur krizën e legjitimitetit të qeverisë” dhe “deklarata të rrezikshme që nxisin përplasje etnike”.
Partia shqiptare akuzoi Mickoskin se po krijon “armiq imagjinarë” për të shmangur përgjegjësinë për shkelje të Kushtetutës, diskriminim ndaj shqiptarëve dhe instrumentalizimin e institucioneve shtetërore si KSHZ-ja dhe Gjykata Kushtetuese.
BDI theksoi se zgjedhjet e tetorit do të shërbejnë si një “referendum” ku qytetarët do të ndëshkojnë “politikën e frikës dhe manipulimit”, duke shtuar se as shqiptarët dhe as maqedonasit nuk meritojnë të udhëhiqen nga “skenarë të rremë”. Partia paralajmëroi se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Ohrit.
Mickoski paralajmëron ndryshime pas zgjedhjeve
Deklaratat e Mickoskit erdhën gjatë një fjalimi në panairin e kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE. Ai akuzoi LSDM-në dhe BDI-në se, përmes “inflacionit të kandidaturave të pavarura dhe listave fantome”, po synojnë qëllimisht ta rrëzojnë procesin zgjedhor dhe “ta turbullojnë pamjen e qartë të disfatës së tyre historike”.
Ai tha se zgjedhjet lokale nuk do të shërbejnë si “dera për hyrjen e BDI-së në qeveri”. Mickoski shtoi se pas zgjedhjeve të tetorit do të ketë një riorganizim të Qeverisë me “njerëz të rinj” për të “përforcuar kapacitetet” dhe për të ecur “më guximshëm” në rrugën e ndryshimeve.