Shpresat për një takim të afërt mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelenski, janë zbehur. Sipas Ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, një samit i tillë është “jorealist” për momentin, pasi nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme.
Në një deklaratë për rrjetin televiziv amerikan NBC, Lavrov theksoi se Putini është gati të takohet me Zelenskin vetëm pasi të jetë përgatitur një agjendë e plotë për samitin, e cila, sipas tij, është ende larg finalizimit. Ai përmendi çështje kyçe si njohja e lëshimeve territoriale dhe heqja dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO, si kushte të domosdoshme për një takim të tillë.
Trump përmend sërish sanksionet kundër Moskës
Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili më parë kishte bërë thirrje për një takim mes dy liderëve, ka shuar shpresat për një zgjidhje të shpejtë. Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se “do të shohim nëse Putini dhe Zelenski do të punojnë së bashku”, duke shtuar se ata “nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin”.
Në lidhje me përpjekjet për paqe, Trump tha se brenda dy javësh do të marrë një vendim të rëndësishëm, duke lënë të hapur mundësinë për sanksione masive kundër Moskës, por pa përjashtuar mundësinë e “mos bërjes së asgjëje”.
Kjo deklaratë tregon se presioni ndaj Rusisë mund të rritet, megjithëse pa ofruar një plan të qartë për zgjidhjen e konfliktit.