Një studente e arkeologjisë nga shteti amerikan i Floridës ka zbuluar një objekt të rrallë prej ari të shekullit të 9-të gjatë gërmimit të saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar.
Studentja, Yara Souza, zbuloi një medaljon ari nga periudha mesjetare në rreth 90 minuta gjatë punës së kryer nga Universiteti i Newcastle në zonën Redesdale të Northumberland.
“Nuk mund ta besoja që gjeta diçka kaq shpejt në gërmimin tim të parë, ishte një përvojë mjaft emocionuese”,-tha Souza për ‘Daily Mail’.
Sipas universitetit, objekti, i cili daton në vitet 800, është rreth katër centimetra i gjatë dhe ka një zbukurim dekorativ në njërën anë. Objekti u gjet pranë rrugës ‘Dere’, një rrugë e rëndësishme që lidhte Jorkun dhe Edinburgun gjatë Perandorisë Romake.
Sipas ekspertëve, objekti i artë mund të ketë pasur një funksion fetar ose ceremonial. Ari ishte një material me status të lartë i përdorur nga elita e periudhës, dhe Rruga ‘Dere’ lidhte dy qendra të mëdha fetare.