Kina tha të mërkurën se është “e paarsyeshme dhe joreale” që t’i kërkohet për t’u bërë pjesë e bisedimeve për çarmatosje bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Gui Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, i bëri këto komente pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e kishte diskutuar kontrollin e armëve bërthamore me homologun rus, Vladimir Putin, dhe se donte që edhe Kina të përfshihet në bisedime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Forcat bërthamore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë fare në nivelin e njëjtë dhe mjedisi i sigurisë strategjike dhe politikave bërthamore të të dyja vendeve janë tërësisht të ndryshme” – tha zëdhënësi kinez.
Sipas tij, Kina e ndjek politikën që të mos përdorë e para armë bërthamore dhe një strategji bërthamore të vetëmbrojtjes, duke shtuar se Pekini nuk do të përfshihet në një garë armësh me një shtet tjetër.
“Shtetet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet që me zell t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre me prioritet special për çarmatosje bërthamore” – tha Guo.
Para se të takohej me homologun nga Koreja e Jugut, Trumpi tha para gazetarëve të hënën se “njëra nga gjërat që ne po mundohemi ta bëjmë me Rusinë dhe me Kinën është denuklearizimi dhe kjo është shumë e rëndësishme”.
“Mendoj se denuklearizimi është shumë – është një qëllim shumë i madh, por Rusia është e gatshme që ta bëjë këtë dhe mendoj se Kina do të jetë gjithashtu e gatshme për ta bërë këtë. Nuk mund ta lejojmë shumimin e armëve bërthamore. Na duhet t’i ndalim armët bërthamore. Fuqia është tepër e madhe” – tha Trumpi./Nacionale