Një specie e panjohur më parë e dinosauri, e quajtur Istiorachis macarthurae, është zbuluar në Ishullin e Wight në jug të Anglisë.
Zvarraniku prehistorik, i gjatë rreth dy metra dhe me peshë një ton, ka habitur shkencëtarët me një strukturë të dallueshme në shpinë — një velë dorsale e ngjashme me ato të disa dinosaurëve të tjerë ose zvarranikëve modernë.
Studiuesit nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër besojnë se kjo velë nuk shërbente për rregullimin e temperaturës, siç mendohet zakonisht, por ndoshta kishte funksion sinjalizues.
Sipas revistës shkencore “Papers in Palaeontology”, Istiorachis macarthurae jetoi më shumë se 120 milionë vjet më parë në atë që sot është Ishulli i Wight, sipas një ekipi të udhëhequr nga Jeremy Lockwood nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër.
Karakteristika më e habitshme e këtij zvarraniku prehistorik, i cili kishte përmasat e një bizoni amerikan, është zgjatimi i madh i rruazave dorsale (shpinore), të cilat ndoshta mbështesnin një strukturë lëkure të ngjashme me velën.
Struktura të ngjashme janë vërejtur edhe te specie të tjera, si dinosaurët e gjinisë Spinosaurus, paraardhësi i hershëm i gjitarëve Dimetrodon, apo disa zvarranikë modernë, si hardhuca filipinase me velë (Hydrosaurus pustulatus).
Megjithatë, funksioni i kësaj strukture të pazakontë është ende objekt diskutimi. Një nga hipotezat është se ajo mund të shërbente për rregullimin e temperaturës, gjë që do të kërkonte një rrjet të pasur me enë gjaku. Por, autori kryesor i studimit, Lockwood, e hedh poshtë këtë mundësi për këtë specie të re.
“Një velë me shumë enë gjaku do të ishte shumë e ndjeshme dhe një dëmtim i saj do të çonte në humbje të madhe gjaku,” shpjegon ai. “Ne besojmë se ajo ka pasur më shumë funksion komunikues ose sinjalizues.”
“Kur një tipar shtazor zhvillohet përtej nevojës praktike, kjo ndodh zakonisht për shkak të presionit evolucionar për të tërhequr partnerë”, shton Lockwood.
Sipas ekipit, është e mundur që velat e tilla të kenë pasur funksione të ndryshme në specie të ndryshme — si për t’u dukur më të mëdha për të trembur grabitqarët, ose për t’u dalluar gjatë periudhës së çiftëzimit.
Fosilet e gjetura në perëndim të Ishullit Wight pasojnë një seri zbulimesh të tjera të rëndësishme në këtë zonë, e cila njihet për pasurinë e saj në mbetje dinosauresh.
Siç raportohet në revistën “Papers in Palaeontology”, Emri Istiorachis macarthurae i është dhënë në nder të marinares britanike Ellen MacArthur, e cila në vitin 2005 vendosi rekordin botëror për lundrimin më të shpejtë pa ndalesë rreth botës, me një dorë.