Dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.
Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.
Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakoshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.
Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë këtij marshimi.
Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.
“Ne kujtojmë, nuk heshtim”, thuhej aty.
Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, nga një altoparlant i improvizuar u dëgjua një fjalim i incizuar, ku thuhej se “gjyqësori është një pushtet i pavarur në Serbi vetëm në librat tanë shkollorë”.
Rojet parandaluan incidente në një pjesë të marshimit, kur kolona kaloi pranë një rruge dhe parku, ku ishin vendosur çadrat proqeveritare, raportoi Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).
Një kamp i përkohshëm i mbështetësve të qeverisë ishte ngritur më 12 mars në Parkun Pionir, pranë Presidencës së Serbisë.
Edhe policia ishte e pranishme në atë zonë.
Ekipi i REL-it në terren raportoi se disa demonstrues hodhën gurë drejt policisë dhe atyre të mbledhur para çadrave, por gjithçka kaloi pa incidente.
Protestuesit më parë u ndalën pranë godinës së Qendrës Kulturore Studentore (QKS), nga e cila studentët u dëbuan gjatë bllokadës në korrik, si dhe para Ministrisë së Arsimit.
Para ndërtesës së QKS-së u tha se, nën qeverinë aktuale, “kultura është bërë mjet për promovim politik”.
Tubimi filloi në Sheshin Sava në Beograd, ku përmes altoparlantit u lexuan emrat e 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Gjatë leximit të emrave, 16 nxënës të shkollave të mesme i dorëzuan simbolikisht trëndafila të bardhë nxënësve që udhëhiqnin kolonën.
Nxënësit e shkollave të mesme në bllokadë e kishin thirrur protestën përmes rrjeteve sociale me mesazhin: “Nxënësit e shkollave të mesme kujtojnë.”