Më shumë se një miliard njerëz në botë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, ku ankthi dhe depresioni janë sëmundjet më të përhapura që prekin njerëz të të gjitha moshave dhe shtresave, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
OBSH thekson se, megjithëse disa vende kanë përmirësuar politikat në këtë fushë, shërbimet janë ende të pamjaftueshme dhe kërkohen më shumë investime. Ankthi dhe depresioni janë ndër shkaqet kryesore të paaftësisë afatgjatë dhe rrisin ndjeshëm kostot për pacientët dhe familjet e tyre.
Përveç barrës financiare, ato sjellin edhe humbje të mëdha ekonomike në shkallë globale. Sipas OBSH-së, gratë preken në mënyrë disproporcionale, edhe pse këto çrregullime janë të shpeshta si te burrat, ashtu edhe te gratë. Një tjetër shqetësim i madh është vetëvrasja, e cila mbetet shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë në mbarë botën.
Vetëm në vitin 2021, mbi 727 mijë persona humbën jetën në këtë mënyrë. OBSH paralajmëron se progresi për të ulur numrin e vetëvrasjeve është shumë i ngadaltë. Deri tani, është bërë vetëm 12% e përparimit drejt objektivit për uljen me një të tretën të rasteve deri në vitin 2030. Organizata thekson se barra më e madhe nuk janë vetëm kostot e trajtimit.
Humbja e produktivitetit për shkak të problemeve mendore i kushton ekonomisë botërore rreth një trilion dollarë në vit. Për këtë arsye, OBSH kërkon veprim të menjëhershëm dhe më shumë angazhim nga të gjitha vendet. Sipas saj, shëndeti mendor duhet të jetë prioritet kombëtar dhe global.