Ushtria polake njoftoi se ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore të vendit gjatë një vale sulmesh ndaj Ukrainës perëndimore, duke e cilësuar incidentin si “akt agresioni”.
Forcat polake ngritën në ajër avionë të NATO-s dhe vendosën mbrojtjen ajrore në gatishmëri të lartë, ndërsa Aeroporti Chopin i Varshavës u mbyll përkohësisht. Banorëve në Podlaskie, Mazovia dhe Lublin iu kërkua të qëndrojnë brenda, ndërsa operacionet për gjetjen e dronëve të rrëzuar po vijojnë.
“Pas sulmit të sotëm nga Federata Ruse në territorin ukrainas, ka ndodhur një shkelje e paprecedentë e hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë. Ky është një akt agresioni që ka paraqitur një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë. Sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit me radar kanë arritur gatishmëri të lartë” dhe një operacion për të lokalizuar dhe neutralizuar dronët është duke u zhvilluar. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të provincave Podlaskie, Mazovia dhe Lublin të qëndrojnë brenda”, theksoi komanda operative e ushtrisë polake në një mesazh në X.
Kryeministri Donald Tusk tha se ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se Polonia është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët.
“E kam informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi situatën aktuale dhe veprimet e ndërmarra kundër objektivave që shkelën hapësirën tonë ajrore”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, në X, “Jemi në kontakt të vazhdueshëm”, shtoi Tusk.
“Një operacion është duke u zhvilluar në lidhje me shkelje të shumta të hapësirës ajrore nga Rusia dhe ushtria ka përdorur armë kundër objektivave” të identifikuara si dronë, tha kryeministri polak Donald Tusk në X.