Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se do të kërkojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Gjatë fjalimit të saj mbi Gjendjen e Bashkimit Evropian para Parlamentit Evropian në Strasburg, Ursula von der Leyen tha se ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës.
“Uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo.
Von der Leyen njoftoi propozimin për të pezulluar pjesërisht Marrëveshjen e Asociimit BE-Izrael, me fokus në tregti. Ky hap është kërkuar nga vende si Spanja, Izraeli dhe Sllovenia, por është kundërshtuar nga Gjermania, Hungaria dhe Republika Çeke.
“Jam e vetëdijshme se do të jetë e vështirë të gjesh shumicën. Dhe e di që çdo veprim do të jetë shumë për disa. Shumë pak për të tjerët. Por të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona: Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni”, u shpreh ajo.
Një ditë më parë ushtria izraelite paralajmëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen, para se ta niste ofensivën e gjerë për ta marrë nën kontroll qytetin, i cili thuhet të jetë bastioni i fundit i Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli e bëri këtë paralajmërim të martën para sulmit ndaj liderëve të Hamasit në Katar, ku diskutoheshin negociatat për përfundimin e luftës në Gazë.