Doli para europianëve për të treguar për gjendjen e unionit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u kërkoi qytetarëve që të bëhen gati për një betejë për të ardhmen, teksa përmendi përplasjet për rendin global.
“Europa sot është në një luftë. Po luftojmë për një kontinent të plotë dhe në paqe. Për një Europë të lirë dhe të pavarur. Një luftë për vlerat dhe demokracitë tona. Kjo është një betejë për lirin dhe aftësinë tonë për ta përcaktuar vetë fatin tonë.
Mos u gaboni, kjo është një luftë për të ardhmen tonë. Vijat e betejës për një rend të ri botëror të bazuar në fuqi po vizatohen pikërisht tani. Pra, po. Europa duhet të luftojë për vendin e saj në botë, në të cilën shumë fuqi të mëdha janë ose të paqarta ose hapur armiqësore ndaj Europës”, tha ajo.
Teksa shprehu kritika të forta për politikat e presidentit amerikan me tarifa dhe taksa, nënvizoi se bota në të cilën jetojmë aktualisht, është e mbushur me pasiguri dhe imazhe kaosi që vijnë nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut. Von der Leyen nuk harroi që të ndëshkonte Izraelin për veprimet e fundit.
“Do të ngrijmë mbështetjen tonë bilaterale për Izraelin. Do të ndalojmë pagesat në disa fusha, por pa ndikuar punën tonë me shoqërinë civile të Izraelit apo Yad Vashem. Së dyti, do t’i propozojmë Këshillit të BE-së, vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave ekstremistë dhe pushtuesve të dhunshëm. Gjithashtu do të propozojmë pezullimin e marrëveshjes së asociacionit në çështjet e tregtisë”, shtoi Von der Leyen.
Mes shumë temave të tjera, presidentja e Komisionit Europian foli dhe për Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë procesin e integrimit për të gjitha vendet e rajonit.