Disa imazhe të publikuara nga mediat e huaja thuhet se tregojnë shkatërrimin brenda një shtëpie polake të shkatërruar pasi u godit nga një dron rus, ndërsa Evropa i afrohet momentit të saj më të rrezikshëm që nga viti 1945.
Pronarët mbijetuan me fat, por nëse do të ishin vrarë, vdekja e tyre mund të kishte “aktivizuar” Nenin 5 të NATO-s.
Klauzola e mbrojtjes kolektive e trajton një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve, duke ngritur perspektivën e tmerrshme të një lufte globale.
Çatia e shtëpisë në Wyryki-Wola është shkatërruar plotësisht, duke lënë një vrimë të hapur që ekspozon dhomat kah qielli, shkruan Daily Mail.
Brenda, ajo që duket si një dhomë ndenjeje është e mbushur me mbeturina dhe dru të thyer.
Pluhuri ngjitet në çdo sipërfaqe, dhe goditja ka shtypur mobiljet, duke shpërndarë sende shtëpiake të thyera në dysheme.
Shtëpia i përket një çifti të moshuarish, të cilët jetonin atje me dy kafshët e tyre shtëpiake. Çifti ishte në gjumë kur droni goditi shtëpinë e tyre.
Duke folur për mediat polake, ata shpjeguan: ‘Ishte një shpërthim i fuqishëm, një bum i vetëm. Atje ku po flinim, gjithçka u shkatërrua. Ne arritëm të ngriheshim dhe të zbrisnim poshtë”.
Burri tha se edhe papafingo ishte shkatërruar dhe dhoma e gjumit kishte një vrimë të madhe në tavan.
Ai tregoi: “Dhoma ku flinim ishte shkatërruar. Gjërat nga papafingo ishin të shpërndara përreth zonës”.
Ndërsa gruaja shtoi: “Tani për tani, nuk na lejohet të hyjmë në pronë, kështu që po presim në rrugë. Mund ta kalojmë natën pranë shkollës, atje ka një hotel”.
E kryebashkiaku lokal Bernard Blaszczuk tha se çifti është vendosur përkohësisht në bibliotekën lokale.