Tre nxënës u qëlluan me armë zjarri në një shkollë të mesme në Kolorado të SHBA, dhe ndodhen në gjendje kritike.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:24 në ambientet e Shkollës së Mesme Evergreen, e cila ndodhet rreth 48 kilometra në jugperëndim të Denverit. Autori ishte një nxënës shkolle që më pas vrau veten.
Motivi i sulmit apo nëse autori dhe të plagosurit njiheshin me njëri-tjetrin nuk dihen ende dhe policia po heton. Autoritetet kanë kontrolluar shtëpinë dhe makinën e autorit për të zbuluar ndonjë detaj që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.
Shkolla e mesme, e cila u shërben mbi 900 nxënësve, u shpall e sigurt pas një kontrolli policor.
Kjo shkollë është pjesë e Distriktit Shkollor Publik Jefferson, i cili përfshin edhe Shkollën e Mesme Columbine, vendin e një të shtëne me armë zjarri në shkollë në vitin 1999, që ishte një nga më vdekjeprurëset në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, ku u vranë 14 persona.